Shpetim Axhami, kryetar i PLL
Për të frenuar shpopullimin: Nevojitet një Reformë Kombëtare për Arsim Cilësor!
Nesër nis viti shkollor në Arsimin Parauniversitar.
Shpopullimi i vendit është kthyer në një fenomen të rrezikshëm kombëtar, ku dita-ditës shtohet numri i familjeve që largohen jashtë vendit. Në prag të fillimit të vitit shkollor, vihet re një numër më i vogël nxënësish që ulen në bankat e shkollës.
Shkolla që mbyllen, klasa që reduktohen, numri i nxënësve që bie, si dhe shtimi i mësuesve që dalin nga skema arsimore janë shqetësuese. Krahas rënies së numrit të lindjeve dhe hezitimit të të rinjve për të krijuar familje, arsye tjetër është edhe niveli i ulët arsimor.
Për këtë arsye, shumë familje zgjedhin të largohen, të shtyra nga dëshira për arsimim më cilësor për fëmijët e tyre.
Është e domosdoshme të realizohet një Reformë Kombëtare Arsimore, për të rritur cilësinë në arsim dhe për të rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve. Kjo reformë do të ndihmonte në përmirësimin e kushteve dhe mundësive arsimore, duke adresuar kështu një nga shkaqet kryesore të shpopullimit.