Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi komentoi dakordësinë mes PS-PD në parim për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
Në Klan News, Bylykbashi u shpreh se nuk ka ndodhur reformë dhe se vetëm është dakordësuar zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Jo reforma nuk ka ndodhur e para. Reforma zgjedhore, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe problematikat e rënda që kanë dal në zgjedhjet që kanë karakter politik, asnjë nga këto nuk është trajtuar nga kjo reformë. Reforma nuk ndodhi. Ajo që është dakordësuar është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk besoj që ka ndokush idenë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese mund të injorohen, sa na përket ne si opozitë pasi është një nga arsyet që ne akuzojmë mazhorancën përshembull se nuk zbaton vendimin e gjykatës në lidhje me ministren Xhaçka. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese dhe moszbatimi i tyre është një vepër penale“, tha ai.
Sa i takon votës së diasporës nënkryetari i PD u shpreh se nëse vota e këtyre të fundit do të jetë në një numër të madh do të bëjë politikën shqiptare që të ndryshojë mendësi.
“Janë votat pra është baseni më i madh i votave të lira jo si çmim, por si mendësi. Vota e atyre që votojnë nga jashtë nëse do të jetë në një volum të madh do ta bëjë politikën shqiptare që të ndryshojë mendësi, në lidershipin e saj në figurat përfaqësuse, programe, mesazh pasi do të mundohet të kapë këtë lloj vale të të menduarit dhe të votuarit të këtyre zgjedhësve“, tha ai.
Ndërkohë sa i takon akuzave për kompromis mes PS dhe PD për çështjen e listave, Bylykbashi mohon një gjë të tillë ku thekson se opozita ka bërë maksimumin në përputhje me Kushtetutën, pasi siç thotë ai nëse do të ishte në dorë të tyre do të vepronin ndryshe.
“Unë kam parë sesi është bërë ai pazari i 17 Majit 2017, kam parë se si në mënyrë shumë të çuditshme Lulzim Basha dogji mandatet dhe i kam thënë mos e bëj se do të ndryshojë edhe Kushtetutën dhe e bëri. E kam paralajmëruar para se të më përjashtonte ku i thash që ti ke ofertën për pazar që në këmbim të vettingut t’i japësh hartën territoriale dhe me këtë rast më përjashtoi…
Tani të thuash që kemi bërë marrëveshje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetueëse le të dali Lulzim Basha dhe të kuptojmë çfarë juristi është ai. Të thuash që është mbyllur lista kur në fakt është hapur në raport me atë që është, e cila do të bëjë të mundur që një numër pa krahasim kur Lulzim Basha ja la fushën të lirë Edi Ramës të bëj ç’desh do të jetë pa krahasim. A është kjo më e mira e thash që në fillim që ky sistem duhet ndryshuar. Ne arritëm maksimumin në përputhje me çfarë thotë Kushtetuta sepse të jetë për ne bëjmë një gjë krejt ndryshe.“, deklaron Bylykbashi.