Nga Denada Dapellari
Në festën e 7 Marsit të gjithë kujtojmë me nostalgji mësuesit të cilët kanë qenë udhërrëfyesit tanë. Me ta gjithësecili prej nesh ka hedhur hapat e parë të dijes. Ka mësuar alfabetin, të shkruajë fjalitë e para.
Prandaj 7 Marsi është dita kur puna dhe përkushtimi i mësuesve gjatë gjithë vitit shkollor shpërblehet me dashurinë dhe mirënjohjen e nxënësve të tyre. Me lule në duar dhe të buzëqeshur, këtë panoramë na përcjell kjo festë çdo vit.
Sa herë mendojmë apo flasim për mësuesin, na shkon në mendje “Figura e mësuesit”. Bota është kjo që është sot nga puna e mësuesit. Të gjitha profesionet dhe detyrat e ndryshme që bëjnë njerëzit, janë meritë e mësuesit. Është puna e palodhur dhe plot pasion që ai ka bërë gjatë gjithë karierës së tij. Mësuesi është ndër modelet më frymëzuese që zgjedhin njerëzit në jetë. Si e tillë mbetet figurë qëndrore.
Në çdo kohë, profesioni i mësuesit është një nga profesionet më të domosdoshëme dhe më të vështirë. Ai e lidh tërë jetën e tij me fëmijët. Ai, jo vetëm që i mëson të mësojnë, jo vetëm që transmeton njohuritë e tij, por gjithashtu ndihmon fëmijët të gjejnë veten në këtë botë komplekse, ndikon në pikëpamjet e tyre, formon karakterin dhe personalitetin e tyre. Pa një mësues dhe figurën e tij nuk mund të mendohet të arrihen të gjitha këto. Me qindra e mijëra nxënës të tyre janë misionarët e sotëm për të ardhmen dhe vazhdimësinë e jetës shoqërore.
Duajeni dhe vlerësojeni mësuesin i themi edhe shoqërisë edhe fëmijëve.
Figura e mësuesit është çelësi i suksesit të mësuesit në veçanti dhe i gjithë shkollës dhe arsimit në tërësi.
Mesazhi është i qartë për këdo. Ruajeni dhe mbrojeni mësuesin dhe figurën e mësuesit.
Ndjehem me fat që kam zgjedhur këtë profesion, pasi dua të jap kontributin tim modest në arsimimin dhe edukimin e brezave, tek të cilët shoh Shqipërinë e nesërme.
Mirënjohje dhe respekt për çdo kontribuotor të fushës së dijes!