GËRSHETI I JETËS
-Tregim-
Nënë Rabia thithi thellë çibukun e saj dhe shtëllunga resh u ngritën dhe mbuluan dhomën ku ajo rrinte. Rrudhat e thella në fytyrën e saj dëshmonin qartë që jeta nuk kishte qenë dhe aq zemërgjerë me atë. Ajo jetonte me nipin, Bardhylin, me nusen e tij, Teutën, dhe me dy fëmijët e tyre Ester dhe Mikel …
Pas vdekjes së djalit të vetëm, bashkë me nusen në një aksident automobilistik, nënë Rabies i ishin shtuar rrudhat në fytyrë. Megjithatë dukej qartë që kishte qenë një grua e bukur jo vetëm në rininë e saj, por deri vonë. Teuta i solli kafenë e mbasdites aty përjashta nën hijen e dardhës . Nëna mori kafenë, duke e uruar si gjithmonë, “qofsh bekuar moj bijë”, dhe humbi përsëri në kujtime nga rinia e saj… Ishte verë dhe ajo kishte shkuar bashkë me gjyshen të lante rroba në lumë.Në trup kishte veshur një këmishë të bardhë nga ato që visheshin asokohe dhe sipër një jelek ngjyrë vishnje. Ishte në atë moshë kur tiparet e gruas fillojnë të ndryshojnë trupin e njomë të vajzës, duke i dhënë ato forma që e gufojnë fizikisht atë shpërthim energjish që femra fillon të ndjejë që përbrenda. Jeleku me kërcimin e formave fillonte të dukej i ngushtë, duke lënë të dilnin në pah gjinjtë e saj të bukur, që dukej se do të shpërthenin nga çasti në çast. Është ai shpërthim që ia shton ëndërrimet femrës, por e bën edhe të skuqet vajzën ende të parritur kur mbi format e rrumbullakta ndalen sytë ngulmues e lakmitarë të ndonjë djaloshi tek kalon rrugës. Fundi i saj i gjatë me rrudha ishte më shumë i lagur se i thatë. Këmbëzbathur dhe me gërshetin që i binte deri në bel, ajo dukej më shumë si një floçkë uji se një vajzë që sapo kishte rënë në të gjashtëmbëdhjetat.
Ajo ishte jo vetëm një vajzë e bukur, por edhe shumë punëtore për moshën që kishte. Për këtë vajzë aq duarartë fjala kishte marrë dhenë dhe shumë familje të mira kishin dërguar fjalë se e donin për nuse shtëpie.
-Rabo, hë të keqen nëna, shko mblidhi rrobat që kemi nderë atje tej se po ikën dielli e kështu të kthehemi në shtëpi,-i tha nëna. -Mirë, nënë,- u përgjigj e bindur ajo dhe vajti tej tek shkurret ku kishin nderë disa çarçafë të bardhë lini, që shkëlqenin nën rrezet e fundit të diellit.
Fësh fësh, iu bë sikur dëgjoi disa gjethe të lëviznin mbrapa saj … Ktheu kokën, por nuk pa askënd.Përsëri vazhdoi të mblidhte rrobat e sërish ajo zhurma e gjetheve sikur u përsërit. Ajo vëzhgoi këtë radhë më gjatë, por asgjë. E pra as erë nuk po frynte. Një ndjesi e brendshme e nxiti të shpejtonte në mbledhjen e rrobave të ndera. Nuk ndihej e qetë. Kishte njëfarë bindjeje që dy sy i ndiqnin lëvizjet e saj. Por nuk e jepte veten. Vazhdonte të mblidhte rrobat. Një nga çarçafët ishte vënë disi më larg nga rrobat e tjera, mbi një dëllinjë të dendur. Rabo vajti dhe e mblodhi me të shpjetë, por sapo u kthye të shkonte tek rrobat e tjera, ndjeu dy krahë që e mbërthyen nga mbrapa. Bëri të bërtasë, por një dorë e fuqishme ia kishte mbyllur sakaq gojën. Pastaj vendin e dorës e zunë dy buzë të mishta e të nxehta, që e puthën gjatë. Ndjeu një dorë që i zbërtheu jelekun, ia lëmoi pak gjirin e la aty një letër, pastaj i panjohuri e lëshoi dhe, ashtu siç ishte dukur papritur, ashtu edhe u zhduk me vrap në thellësi të pyllit.
Rabo mbeti e befasuar, e trembur, e hutuar dhe e çorientuar nga gjithë ajo që kishte ndodhur mbase vetëm në pak sekonda. Por edhe e turbulluar me një pështjellim ndjenjash që bëhej gjithnjë e më i fortë kur në vrapimin e djalit që ikte njohu shkathtësinë e Dinos, që përmendej si djali më i bukur, më i fuqishëm e më i çartur i krahinës.
Vajza shpejtoi hapat, duke mbuluar fytyrën,që mos ta diktonte gjyshja hutimin e saj. Rrëmbeu koshin me rrobat e pastra dhe u nis për në shtëpi. Gjyshja e ndiqte nga pas, duke rënkuar për dhimjet e kyçeve e diç mërmëriste për motin që me siguri do të ndryshonte. Por Rabo nuk e kishte mendjen tek fjalët e saj. Asaj po i digjte si prush letra në gjoks dhe buzët po i lëshonin flakë nga puthja e Dinos. Dino…Në krahinë ia njihnin të gjithë bëmat, prapësitë, por edhe guximin, shkathtësinë e zemrën bujare që kishte për të ndihmuar të tjerët, pa pyetur për veten. Ai ishte ëndrra e shumë vajzave të zonës. Rabo i kishte dëgjuar disa vajza më të mëdha se ajo tek pëshpërisnin e flisnin me njëfarë zilie për ndonjërën që Dino i kishte kushtuar pak vëmendje apo i kishte rrëmbyer edhe ndonjë puthje. Me siguri, ato më të rriturat, kur binin për të fjetur në shtrat mbrëmjeve e ëndërronin veten për disa çaste në krahët e tij. Por Dino, eh, si Dino, fluturonte sa andej-këtej e nuk kapej.
Arritën në shtëpi dhe në oborr po i priste nëna, e cila,pasi përshëndeti të vjehrrën, i hodhi një vështrim me dhimbsuri së bijës dhe nxitoi të mbyllte portën e avllisë . Rabo la koshin me rrobat e lara dhe nxitoi në dhomë, ku flinte me gjyshen, që të ndërronte rrobat dhe të lexonte letrën që Dino i kishte futur nën jelek. E hapi me zemër ne grykë dhe lexoi ato pak fjalë që ai kishte shkruar nxitimthi: ti je imja, të pres nesër mbas dreke te kroi në korie.
E mbështolli me kujdes letrën në një shami dhe, pasi i mori erë mirë shamisë e futi sëbashku me letrën në një sëndyk. Atë natë mamaja e shikonte si me më shumë dhëmbshuri. Ajo ishte më e vogla e shtëpisë,të tjerët ishin të martuar dhe ndaj ajo kishte patur gjithmonë vëmendjen e të gjithëve. U shtri të flinte, por nuk vuri gjumë në sy. Akoma puthja e Dinos dhe shtrëngimi i tij i rrinin në mendje. Nata përparonte, orët kalonin, po ajo sillte e risillte nëpër mend ato çaste që ia kishin tronditur, por edhe gëzuar qënien e shpirtin e saj. Nuk ia kishte marrë kurrë mendja se sytë e një djali si Dino do të ndaleshin mbi të. Të tjera nga shoqet e saj ishin në pritje të vëmendjes së tij. Ende nuk i besohej se kishte provuar puthjen e tij, së cilës nuk kishte arritur as t’i përgjigjej nga hutimi…
Të nesërmen orët dukej sikur nuk ecnin derisa të vinte pasditja. Vërtitej nëpër oborr, shkoi fshehurazi tek bucela dhe derdhi ujin që kishte brenda, që ta përdorte si pretekst për të shkuar tek kroi për të mbushur ujë. Nuk hëngri as dreke me të tjerët dhe në një moment i tha gjyshes së vet se po shkonte të mbushte ujë tek kroi.
Kur arriti atje, dalloi që larg Dinon që po e priste mbështetur tek trungu i një peme që i varte degët mbi krua.
-Mendova se nuk do të vije, -tha ai ndërsa ajo po afrohej. -Dhe nëse nuk do të vije unë do ja mësyja drejt e në shtëpinë tuaj. Ti do të jesh vetëm imja dhe nuk guxon kush tjetër të të afrohet,-i tha. Ajo u drodh si gjethe vjeshte nga fjalët e tij. Por iu bë edhe qejfi. Fjalë të tilla e bënin të ndihej edhe më e sigurtë dhe më e mbrojtur. E të kishe mbrojtjen e Dinos do të thotë të ta kishin zili tërë vajzat e krahinës.
Pas asaj pasditeje, ata vazhdonin të takoheshin më shpesh. Herë-herë i zinte mbrëmja aty tek koria. Dino e tërhiqte thellë larg krojit, se aty vinin nuset e vajzat e fshatit. Aty në bar, nën hijen e pemëve ai i fliste fjalë dashurie, e përkëdhelte, e mbulonte me të puthura. Krahët e tij e pushtonin fuqishëm e nën pushtetin e atyre krahëve asaj i dukej vetja si një zog i mbështjellë në një çerdhe të ngrohtë, të ngrohtë. Zemra i rrihte me vrull e u përgjigjej me zjarr puthjeve të tij të nxehta. Aty i premtonin njëri-tjetrit se do të duheshin përjetësisht e se vetëm vdekja mund t’i ndante…
* * *
Kishin kaluar disa muaj dhe në fshat filluan të përhapen zëra rreth kësaj dashurie. Kishte edhe prindër ziliqarë që mbase kishin pritur që syri i Dinos të ndalej në vajzat e tyre. Ndaj gjetën mënyrën e ia çuan fjalën babait të saj. Ai u xhindos dhe e mbylli vajzën brenda, duke mos e lënë më të dilte nga shtëpia. Nuk e duronte këtë turp që e bija i kishte sjellë në shtëpi. Do të vendoste ai dhe veç ai për fatin e saj.
Kishte ditë me radhë që Dino shkonte e priste tek koria, aty ku takoheshin zakonisht, por Rabo nuk dukej. Në fillim mendoi se mos ishte e sëmurë. Por kaluan javë e nuk kishte mundësi që sëmundja të vazhdonte kaq gjatë. Pastaj sikur nuk po i pëlqenin edhe vështrimet që disa njerëz i hidhnin nëpër fshat. Megjithatë vazhdonte ta priste me shpresën që ajo do të vinte në takim. Si mund t’i kishte harruar ajo gjithë ato fjalë të zjarrta e premtime të bukura për dashuri të përjetshme?
Një mbrëmje, ndërsa po priste tek vendi i zakonshëm, pa t’i afrohej një djalë i vogël. Ishte nga kushërinjtë e Rabos. Ai i erdhi pranë dhe, pa thënë asnjë fjalë, i la në dorë një letër. Ishte nga Rabo. Një letër e shkurtër, një tufë lot pa shpresë, një klithmë për ndihmë. “Babai i ka marrë vesh të gjitha. Është xhindosur. Për ta mbyllur këtë punë më ka fejuar me dikë që nuk e dua. Është nga fshati përballë. Ka vendosur të më martojë menjëherë dhe të dielën bëhet dasma. Unë nuk dua të shkoj atje as e vdekur. Jam jotja dhe jeta ime është në dorën tënde. Të dua deri në frymëmarrjen e fundit”…
* * *
Krushqit dolën nga oborri i shtëpisë me nusen të ngarkuar mbi kalë. Ia kishin mbuluar fytyrën me duvak, nën të cilin zemra e saj përpëlitej nga gulçet e vajit e dukej sikur shpirti do i dilte në çast nga dëshpërimi. Gratë dasmore, në vend që të shprehnin gëzim për martesën, po e përcillnin nusen me lotë. Karvani i krushqve e la prapa kullën e prindërve të saj dhe mori rrugën drejt fshatit përtej lumit që i ndante. Atje priste tjetër dasëm e të tjerë dasmorë. Dasma kishte tri ditë që kishte nisur.Krushqit kishin zbathur këpucët e shpërvjelur pantallonat për të kaluar lumin, që nuk kishte edhe shumë ujë në atë periudhë, mbasi kishte patur edhe ditë thatësire. Sapo kapërcyen lumin, u ulën në zall për të mbathur këpucët e për të ndezur nga një cigare duhan. Vetëm nusja ishte në kalë e vazhdonte të qante akoma nën duvak.
Befas u dëgjua troku i shpejtë i një kali, hingëllima e tij e zemëruar dhe patkonjtë që nxorën xixa mbi gurët e zallit tek frenuan pranë kalit të nuses. Kalorësi u hodh nga kali dhe zbriti pushkën nga krahu.
Krushku i parë u ngrit nga vendi, kuptoi që diçka e padëshirueshme mund të ndodhte, por nuk pati kohë të arrinte tek pushka e lënë aty pranë në zall, se kalorësi i sapoardhur ia preu vrullin.
-Nuk iu pritet udha krushqve, ndryshe këtë punë e ndan vetëm pushka,-foli krushku i parë.
-Ju jeni krushq që keni prerë pa të drejtë udhën e jetës sime,-foli kalorësi që nxirrte shkëndija nga sytë. Të gjithë krushqit mbetën të palëvizur përballë një vështrimi të tillë kërcënues. Nusja e kishte njohur zërin e kalorësit. Hoqi duvakun dhe e hodhi përdhe, mbi zall.
-Dinooooo!- thirri, duke i lënë krushqit të habitur…
-Nusja që keni mbi kalë më përket mua. Ne kemi lidhur një besë e ajo është fati im. Askush nuk guxon ta marrë fatin tim,-tha Dino dhe nbushi pushkën me vendosmëri…Ashtu me pushkën ngrehur afroi kalin e tij pranë kalit të nuses. Zgjati krahun e fuqishëm, e përfshiu nusen për beli dhe i bëri vend përpara vetes mbi kalin e tij.
-Mbeçi me shëndet, o krushq! Sot unë do qes pushkë për dasmën time,-tha Dino dhe e shkrehu tri herë pushkën në ajër. Për hajër më qoftë dasma!… Pas këtyre fjalëve patkonjtë e kalit nxorën xixa të tjera mbi gurët e zallit dhe u bënë erë. Askush nuk pati kohë të bënte as lëvizjen më të vogël…
Jeta e Rabos me Dinon qe e lumtur deri atë ditë që filluan një sërë fatkeqësish. Në fillim jeta i mori mizorisht Dinon. Pastaj ndodhi aksidenti i djalit bashkë me nusen e nëna Rabie mbeti me nipërit e mbesat, duke pritur të mbyllë edhe ajo kapitullin e vet.
-Nënë, do ma thurësh gërshetin?- e ndërpreu nga kujtimet mbesa e vogël.
Nëna Rabie e mori në prehër të mbesën, nisi t’i thurte gërshetin, duke kujtuar gërshetin e saj kur ishte e vogël. Buzëqeshi, duke thënë me vete: Jeta më ka lënë edhe këto krijesa kaq të dashura, për të cilat ia vlen të jetosh…
Vita Blloshmi
Nje zė ne park ( tregime)











