Nga Gent HYKA
🌑”Mësuesit janë bërë njerëzit më të pakulturuar të këtij vendi….sidomos ata të rretheve”
E shkruajta që ta perceptoja edhe më shqisën e shikimit atë që dëgjova dhe më dukej se më bënin veshët.
Kjo e ka emrin Ina Kollçaku.
Pra TURPI KA NJË EMËR.
Nga prof.Tupe dikur jam dëgjuar një sentencë që e mbaj parsysh çdo ditë: “Nuk ka fjalë të turpshme por përdorim të turpshëm të fjalëve”. E kisha të nevojshme këtë parantezë.
U mundova të gjej një perifrazim se çfarë është kultura. Më rezultoi se kultura përfshinte tiparet dhe dijet e një grupi të caktuar njerëzish, duke përfshirë gjuhën, fenë, kuzhinën, zakonet shoqërore, muzikën dhe artet.
Kjo Zonjë (që e dyshoj se mund të quhet e tillë pas kësaj që tha) sdi pse në rastin më të mirë më duket e frustruar.
Si fillim dua ta “Uroj”, ta uroj për gurin e rradhës që vendosi në malin me gurë linçimi që po u hidhet mësuesve. E turpshme për ty që e the, dhe besoj që së paku kur të kesh arritur në shtëpi dhe ta kesh dëgjuar atë që the, të kesh ndjerë ndjerë sadopak pendesë (por që nuk e besoj).
Ndaj po të them të të vijë TURP!
Rezistencës së asaj që vetëquhet “drejtuese” emisioni, që thotë se nuk janë të gjithë njësoj dhe përdor fjalën “thes” a thua se mësuesit janë kallinj misri, e vetëquajtura “zonjë” thotë “sidomos ata të rretheve”. “Drejtuesja” shpëtoi emisionin ndërsa “zonja” ashtu si themi “ne nga rrethet”: ” Lau m…. me sh….”
Racizëm dhe margjinalizim i shprehur nga një femër? E pabesueshme!
Për të dytën herë TURP.
“DREJTUESA” në atë moment duhet ta kish ndërprerë emisionin, vetëm kështu do e shpëtonte atë. Sdi pse mu kujtua një rast kur kjo drejtuese pyeti te ftuarin e vet:”Motra që të ka vënë emrin është më e madhe apo më e vogëlse ty?”
Por këto ditë po çuditem edhe me politikën, pushtet e opozitë, institucione e shoqata. Nxitojnë secili të përfitojë kapitale apo të sulmojë për kapitale politike mësuesit sa herë munden, e tani asnjë reagim për një deklaratë që prek dinjitetin e mësuesit. Na kujtohet histeritë kolektive kur një shembull negativ shfaqet në tv.
Përsëri TURP!
Që të shpëtoni arsimin si fllim duhet të shpëtoni mësuesin nga kjo Çmenduri linçuese.
Kërkova në rrjete sociale por ajo nuk kish një profil të vetin. Natyrisht për ti bërë “report”.
Por ajo çka mendoj se meriton kjo “zonjë” është që askush të mos ja pranojë NDJESËN edhe nëse një ditë pendohet.
Unë jam një nga ata “sidomos mësuesit e rretheve”. Nga një rreth që quhet Gjirokastër.
E kam punuar në një Gjimnaz që quhet Gjimnazi Asim Zeneli dhe që vitin e ardhshëm feston 100-vjetorin e vet.
E meqë aty sa studiuar edhe poeti Dritëro Agolli, po të përshëndes me një prej poezive të tij:
“Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.
Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!
Nga fjala humbën Judë e Pilatë
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!
Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!
Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç’është e di…
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!”











