Nga Denada DAPELLARI
Vrasja e sotme në Klos, me një bilanc lufte në kohë paqeje, është tragjikomizmi i shoqërisë sonë, e cila përndiqet nga fati i mosdëshirës së saj për të dalë nga mentaliteti mbizotërues mesjetar dhe që nxit pareshtur krime në emër të kodifikimeve të tij.
Sot në qytezën e vogël të Klosit, me humbjen e 3 jetëve, shoqëria shqiptare gjendet akoma nën pushtetin e dogmave, ndërgjegja kolektive e jona është e brengosur për pamundësinë e kapërcimit të këtij stadi të mjerueshëm, është vrarë përpjekja për emancipim, aspirata për civilizim, vizioni për integrim në shoqëritë e vlerave.
Të rinj, që krejt natyrshëm, duan të ecin me ritmin e hapave të moshës, duke guxuar të mos ndrydhin gjuhën e zemrës, marrin në këmbim plumba që këputin jetët e tyre.
Ajo e sotmja rezultoi të ishte një “melodi e këputun“ e këtyre të rinjve, të cilët sapo kishin nisur të gërmëzonin botën e andrrallave të tyre.
Për aq kohë sa, institucioni i familjes nuk luan rolin edukativ që i takon, shoqëria përdor si modele personazhe të gabuara, media prodhon vetëm dhunë, arsimimi është kalbëzuar, politika ofron shëmbëlltyrën më të keqe të bashkëpunimit dhe shteron vetëm në fukarallëk, shqiptarët do vriten mes vetes, ose do ta braktisin këtë vend përgjithmonë.











