Eduart Ndocaj, ish deputet i qarkut Lezhe
Masakra e Qafës së Valmerit dhe rezistenca antikomuniste e Mirditës…
Kujtesë në 73-vjetorin e saj
N’Qaf t’Valmerit të Mirditës.
Fort po vriten krah’t e Shqipes!!
Shkallës Madhe kush po zbret?
T’lidh me tela vajmedet.
Jo ma pak se katërmbdhetë….
Shtatë ditë burg e jo ma shumë,
Ditën e tetë n’litar e n’plumb…
…Kështu i vajtoi Mirdita bijt e saj, këtu e 70-vjet më parë, ditën e 17 Gushtit 1949, ku diktatura komuniste vari në litar e pushkatoi 14 bijtë më të mirë të saj, burgosi afro 500 burra e internoi mbi 300 familje. Masakër e vërtetë, gjenocid e tragjedi e ngjashme me holokauset hitleriane e staliniste. Shkaqet e kësaj masakre kolektive qenë të thella, mllefe të vjetra të rregjimit komunist kundër popullit kreshnik të Mirditës. Preteksi qe i thjeshtë: Vrasja e Bardhok Bibës, më 7 Gusht 1949, me vendim të “Komitetit të Maleve”.
Në Mirditë për afro 10-vjet (1944-1953), nuk u shua rezistenca antikomuniste. Regjimi diktatorial që po instalohej në Shqipëri e dinte fort mirë, se populli i Mirditës nuk nënshtrohej dhe aq lehtë dhe se ky popull historikisht nuk e kishte ulur qafën për t’u vënë nën zgjedhë. Prandaj PKSH dhe Enver Hoxha, për gati 10-vjet rrjesht i’u turrën Mirditës, si bisha të tërbuara për t’a gjunjëzuar, copëtuar, shpërbërë, e për t’ia thyer krenarinë e saj të ligjshme si popull kreshnik.
Mirdita, kjo trevë vitale, kompakte, katolike dhe antikomuniste nuk nënshtrohej kollaj. Regjimi i Enver Hoxhës kishte vendosur ta gjunjëzonte Mirditën e të realizonte mbi të, me çdo çmim mllëfet e vjetra. Këtu mbase duhet kërkuar burimi i vërtetë i masakrës së Qafës së Valmerit dhe i krejt tragjedisë dhe persekucionit komunist mbi Mirditën.
Masakra e Qafës së Valmerit e 17 Gushtit 1949, u krye në prani të afro 2500 mirditorëve, (gra dhe burra), ku u ekzekutuan 14 burra, nga më të mirët e Mirditës, katër prej të cilëvë u varën në litar, dhe dhjetë të tjerë u pushkatuan. Ditari i zi i kësaj masakre do të shënonte këto viktima:
Të varur në litar: -Dedë Preng Gjomarkaj (Orosh), Dodë Marka Biba (Tenë-Kthellë), Pjetër Dedë Vila (Kaçinar), Dodë Llesh Paloka (Kaçinar).
Të pushkatuar: -Nikoll Bardhok Bajraktari (Rrëshen-Kthellë), Nikoll Llesh Bajarktari (Orosh), Llesh Gjon Melyshi (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj (Kaçinar), Preng Shkurt Nikolli (Orosh), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Frrok Ndue Mata (Kaçinar), Gjergj Keç Beleshi (Kthellë-Epër), Gjin Gjokë Kaçi (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi (Pshqesh-Blinisht).
Këta të katërmbëdhjetë burra me dekret të ish Presidentit Berisha, janë dekuruar me medaljen: “Martirë të Demokracisë”. Duhet theksuar fakti se kanë qenë të planifikuar edhe tre të tjerë për t’u pushkatuar atë ditë me 17 Gusht 1949, sa duket për të sinkronizuar numrin e viktimave me datën e ekzekutimit, por gjykata e asaj kohe e ktheu vendimin e ekzekutimit të tyre në burg të përjetshëm dhe jo shumë kohë më vonë se masakra e Qafës së Valmerit këta vdiqën në burg. Ata ishin: -Ndue Gjon Fusha (Rubik), Mark Ded Gjomarkaj (Orosh), Kolë Ndue Gjomarkaj (Orosh).