Nga Marlene Cimons
“Washington Post”
Studiuesit janë përpjekur për dekada të radhë të shfrytëzojnë fuqinë natyrore të sistemit imunitartë njeriut për të luftuar kancerin, duke synuar të gjejnë mënyrat që përdorin tumoret për të anashkaluar atë sistem mbrojtës. Pavarësisht zhgënjimeve dhe sfidave të hershme, shkencëtarët që studiojnë vaksinat kundër kancerit, besojnë se ato janë tani më afër se kurrë më parë.
Ndërsa këto vaksina janë ende shumë larg miratimit nga autoritetet rregullatore, studiuesit mendojnë se përfaqësojnë të ardhmen e terapive kundër kancerit. “Kjo është një periudhë shumë emocionuese për fushën e vaksinave kundër kancerit. Ne kemi bërë shumë përparim në kuptimin se si sistemi jonë imunitar i njeh kanceret. Aktualisht ka dhjetëra kandidatë për vaksina kundër kancerit. Ato janë në studim nga studiues në mbarë botën”- thotë Vinod Balaçandran, onkolog dhe kirurg në Qendrën e Kancerit Memorial Sloan Ketering.
Sistemi imunitar luan një rol kritik në kontrollin e kancerit. Shumë ekspertë besojnë se kanceretpërpiqen vazhdimisht të shfaqen brenda nesh. Zakonisht shkatërrohen nga sistemi imunitar,përpara se të bëhen të zbulueshëm, në një proces që njihet si mbikëqyrje imunologjike.
“Trupat tanë i refuzojnë kanceret gjatë gjithë kohës. Ata që zbulojmë dhe që kthehen në kancere, të cilat duhet t’i trajtojmë me terapi të ndryshme, u kanë shpëtuar kësaj mbikëqyrjeje imunitare. Tumoret e bëjnë këtë, duke mësuar se si të shfrytëzojnë mekanizmat që rregullojnë sistemin imunitar”- thotë Xhej Berzofski, kreu i degës së vaksinave në Institutin Kombëtar të Kancerit (NCI) në SHBA.
Qasjet e reja përfshijnë zhvillimin e vaksinave parandaluese dhe terapeutike. Këto të fundit janë të dizenjuara që të pikasin qelizat tumorale nga ato normale, për të provokuar një përgjigje imunitare ndaj tyre. Ndërkohë, studiuesit po mbledhin një koleksion medikamentesh imunoterapeutike, të cilat do të rrisin efikasitetin e vaksinave.
Qelizat e kancerit lindin nga qelizat tona dhe u ngjajnë atyre. “Kështu, sistemi ynë imunitar i toleron shpesh ato. Ata i fshehin dallimet e tyre, dhe duken si qeliza normale. “Ideja e një vaksine kundër kancerit, është të aktivizojë sistemin imunitar, për të zbuluar sesi kanceri është i ndryshëm nga qelizat normale, t’i njohë qelizat kanceroze si të huaja, dhe t’i refuzojë ato”- shton Berzofski, që është edhe drejtues i seksionit të imunogjenetikës molekulare dhe kërkimit të vaksinave në NCI.
Është e rëndësishme të kuptohet se si ndryshojnë vaksinat terapeutike të kancerit nga ato parandaluese, dhe si ndryshojnë medikamentet e imunoterapisë nga të dy llojet e vaksinave. Shumica e njerëzve janë të njohur me vaksinat tradicionale që na mbrojnë kundër gripit dhe sëmundjeve të tilla të fëmijërisë si fruthi, lija e dhenve dhe kolla e mirë.
Dy vaksina janë miratuar deri tani për të parandaluar infeksionin nga viruse që rrisin rrezikun e kancerit:papillomavirusi i njeriut (kanceri i qafës së mitrës dhe i vaginës, kanceri anal, kanceri i penisit) dhe virusi i hepatitit B (kanceri i mëlçisë). Por shkencëtarët po zhvillojnë gjithashtu vaksina parandaluese për njerëzit me simptoma premalinje siç janë polipet e zorrës së trashë, duke shpresuar të shmangin shndërrimin e tyre në kancer.
Olivera Fin, profesoreshë e shquar e imunologjisë në Universitetin e Pitsburgut, dhe kolegët e saj ishin të parët që identifikuan një antigjen specifik për tumorin, e cila mund të shërbente si një objektiv për sistemin imunitar. Antigjeni specifik për tumorin, MUC1, i zbuluar nga Fin është i pranishëm tek disa lloje kanceresh, përfshirë atë të zorrës së trashë, gjirit, prostatës, mushkërive dhe pankreasit.
Një vaksinë me bazë MUC1, që zhvilloi ajo dhe ekipi i saj, tregoi një përgjigje të fortë nga sistemi imunitar në testet klinike tek pacientët me polipe premalinje të zorrës së trashë. Vaksina e reduktoi me 38 për qind shkallën e përsëritjes së polipeve, thotë Fin.
Ekipi i saj është gati të fillojë një testim të së njëjtës vaksinë tek pacientët e sëmurë me karcinomën duktale, një fazë e hershme e kancerit e kufizuar në kanalet e qumështit të gjirit dhe ende jo invazive, për të parë nëse vaksina mund të parandalojë përhapjen e saj.
Në dallim nga ato parandaluese, vaksinat terapeutike i trajtojnë njerëzit me kancer duke sulmuar qelizat ekzistuese të kancerit, ose duke parandaluar një përsëritje të tyre. Ato e nxisin sistemin imunitar të gjejë dhe shkatërrojë qelizat kancerogjene, që kanë antigjene të caktuara specifike për tumorin, që nuk i kanë qelizat e shëndetshme.
Vaksina ofron disa molekula që sillen si antigjenet, për të stimuluar sistemin imunitar dhe krijuar qeliza të reja T “vrasëse”, të njëjtat qeliza që shënjestrojnë viruset. Në disa raste, vaksinat eksperimentale terapeutike kundër kancerit janë të personalizuara, pra krijohen për vetëm një person nga mostrat e tumorit të atij pacienti.
Teksa njihen si vaksinat neoantigjenike, synimi është të arrihet i njëjti rezultat si vaksinat e tjera terapeutike. Neoantigjenet lindin nga mutacionet unike për qelizat e kancerit të një personi. “Shënjestrimi i neoantigjeneve është vërtet diçka e re”- thotë Patrik Ot, drejtor klinik i Qendrës së Sëmundjeve të Melanomës në Institutin e Kancerit Dana–Farber, që i ka testuar ato tek pacientët e sëmurë me melanomë dhe kancere të tjera. Në një studim të kufizuar të kohëve të fundit, 4 nga 6 pacientët e vaksinuar, nuk kishin përsëritje të tumoreve të tyre pas 25 muajsh.
Tumoret e dy pacientëve të tjerë u rritën, por më pas u zvogëluan plotësisht pasi morën ilaçe shtesë të imunoterapisë. Balaçandran po studion vaksinat e neoantigjenit tek pacientët me një nga kanceret më vdekjeprurëse, kancerin e pankreasit, duke punuar me shkencëtarët në BioNTech, kompania gjermane që bashkëpunoi me kompaninë Pfizer, për të prodhuar vaksinën e suksesshme mRNA kundër koronavirusit.
Ata po përdorin të njëjtën teknologji mRNA për të prdhuar vaksina të individualizuara, dhe që nga viti 2019 kanë trajtuar 19 pacientë me kancer pankreatik. Rezultatet paraprake treguan se gjysma e pacientëve, shfaqën një përgjigje të fortë imune ndaj vaksinës, dhe mbijetuan për më gjatë pa rishfaqjen e tumorit, krahasuar me gjysmën tjetër të pacienteve, sistemi imunitar i të cilëve nuk reagoi.
Shkencëtarët po testojnë gjithashtu vaksina në kombinim me agjentë të tjerë, përfshirë citokinat, të cilat janë substanca që sekretohen normalisht nga sistemi imunitar, por në këtë rast prodhohen në laborator. Citokina injektohet për të rritur efikasitetin e vaksinës.