Kryeministri Edi Rama, u takua para pak kohësh me presidentn turk, Recep Tayip Erdogan, ku përveç pritjes së ngrohtë me kuaj dhe nderimeve të veçanta, atij i’u premtua edhe ndërtimi i një spitali në Fier, fiks për t’u përdorur në fushatë elektorale.
Por, takimet e kryeministrit me “sulltanin”, kanë prodhuar edhe një marrëveshje në fushën arsimit.
Marrëveshja mes qeveria shqiptare dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, ndër të tjera, parashikon futjen e gjuhës turke në shkollat shqiptare, si një lëndë me zgjedhje. Ajo është miratuar me një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 24 shkurt 2021.
Aty thuhet se palët do të “inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor“.
Pala shqiptare gjithashtu “synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë të huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke“.
Pra, gjuhën turke, të cilën deri sot populli në përgjithësi, e mësonte nëpër televizionet shqiptare, të përmbytura nga telenovelat turke, tashmë do ta kenë edhe nëpër shkolla, si një dhuratë nga lideri Edi Rama dhe miku i tij i afërt, Recep Erdogani.
Gjithashtu marrëveshja parashikon edhe nxënien e kulturës dhe letërsisë së palës tjetër. Edhe këtu, nxënësit shqiptarë do të kenë mundësi të iluminohen me kulturën turke, nëse ende nuk e kanë mësuar dhe përvetësuar nga telenovelat.

Aktualisht në Shqipëri, nxënësit mësojnë gjuhën angleze si të detyrueshme dhe gjuhë të dytë me zgjedhje, italishten, spanjishten, frëngjishten dhe greqishten në disa zona.
/TPZ.al/













