I dashur Babagjysh,
Po të shkruaj unë.
E di që ajo çfarë do marrësh nga kjo letër është zhgënjimi, por këtë herë lërmë të të zhgenjej unë. Sot dua të zgjohem fëmijë e të vuaj nga mendja, të mos mbaj mend që jam rritur. Sot dua të shoh botën e pastër, pa dredhira,pa zemra që vjellin vrer, pa hapa që lënë shenja frike dhe dëshmojnë fatin e keq.
Sot dua të vesh kohën me një siluetë të bardhë ndryshe nga ajo që mban kur unë jam e rritur. Ajo është më “e neverosur” dhe xhepat e saj rëndojnë nga ngjarje të kobshme, mëngët ngushtohen frikshëm nga dëshmi të rënda dhe hijet e banorëve shkilen mizorisht nga pushtetarët e vegjël.
Ndaj dua të heq dorë dhe të bëhem fëmijë në qendër të botës së rritur.
Dua të mos shoh makthet e pandemisë dhe të mos mendoj se unë e kam fshehur buzëqeshjen time nën ashpërsinë e maskës që është e aftë të të marrë edhe frymën.
Nuk dua të ulem në tavolinën festive , ose ose të shërbej si e rritur për familjen.
Kësaj here dua të endem e lire, tamam si një fëmijë.Të shkoj pranë oxhakut e të ngroh duart e mpira nga i ftohti e duke u ngrohur të dëgjoj përrallat e gjyshes.
Nuk dua të dëgjoj britma, ulërima, biseda rrënqethëse që më tregojnë se gjyshërit nuk janë.
Jo,unë dua të jetoj me ta,sepse jam dëshpëruar me botën e rritur që ka harruar të zgjohet nga zërat e gjyshërve.
Kësaj here ndryshe nga më parë nuk dua të vrapoj për të gjetur telekomandën për të parë filmin e preferuar vizatimorë, por dua të krijoj një mjet zhurmues dhe ta vendos atë në qendër të botës ku banorët e saj do dëgjojnë mbi dritën e shpresës. Kjo dritë nënkupton vazhdimësinë e jetës edhe pas pabesive të natyrës, apo eksperimenteve djallëzore për të shuar njerëzimin.
Sot dua të mos flej sepse në ëndrra shoh gjithmonë huliganë që rrëmbejnë dritat e qytetit dhe të tjerë të lënë rrugave që përpiqen ti rindezin ato.
Unë nuk e dua këtë sepse është fundvit dhe shpreh dëshirën e lidhjeve elekrike.
Këta lidhje nuk duan elektricitet , por dashuri e cila bën masën më të bukur kur telat e zemrës takohen së bashku.
Sot dua të dëgjohem, të atashohem me botën e pllakosur nga frika e infektimit e të u flas atyre mbi të ardhmen plot ngjyra.
A mundesh të ma plotësosh këtë dëshirë të parë?
Te marrësh slitën tënde e të dy së bashku të bëhemi zëri festiv i botës.
Të ndezim në forma ritmike dritat e lumturisë e në mënyra të magjishme të largojmë zemërimin që ka kapluar turmat e pafajshme.
Të trokasim në dyert e shtëpive e të dërgojmë te qeshura tek ata që u ndanë nga të dashurit e tyre pa u dhënë përshëndetjet e fundit, si shkak i këtij të panjohuri që po trazon botën.
Të ecim këmbëzbathur rrugëve të qytetit e të ndjejmë trishtimin e banorëve të pa strehë. Të zbrazim të githë mbajtëset me dhurata e ti dërgojmë tek të gjithë ata që kanë mbeshtetur kokat e tyre në ndjenjëse të betonizuara ku acari dimërorë ua ka mbyllur të gjitha lidhjet e botën.
Të vrapojmë duke brohoritur e të kërkojmë me ngulm një vit dedikuar gjyshërve tanë sepse ata janë të vetmit që gjejnë diagnozat e shpirtit dhe përcjellin në mënyrë të drejtë dhe “diplomatike” urtësi, pozitivitet dhe dashuri.
Ndaj plotësoma të gjithë këtë dëshirë të flaktë dhjetori sepse nuk do të kemë më një mundësi të dytë për të qenë fëmijë.
Nuk do të mundem më të krijoj një pikëpamje pozitive për botën sepse harta e të menduarit do stopojë së dhënuri mendime nëse unë nuk nuk vrapoj drejt shërimit të dhimbjeve të cilat janë kaq të mundimshme sa njerëzit i konsiderojnë tashmë si disfatat e tyre.
Nuk do të ekzistojë më rasti i shkatërrimit të “rrenacakëve” të lumturisë sepse në botën e rritur nuk pëlqehen ndërhyrjet tona pasi ata besojnë se sukseset e vitit arrihen me mashtrime dhe hipokrizira dhe nuk e njohin drejtësinë e një fëmije si mua.
Ndaj të lutem bëji të realizueshme dëshirat e mia, ose më saktë dëshirën time pasi unë të thirra vetëm për lumturinë dhe jo për listat e gjata që ti je mësuar të marrësh çdo vit.
Më mundëso të paktën një herë besimin se ti ekziston, edhe pse të kam përshkruar gjithmonë si figurë imagjinare dhe të gënjeshtërt.
Më fal që e kam bërë këtë, më fal që kam harruar herën e fundit që të kam besuar.
Sot të kërkoj si trupi shpirtin dhe të lutem si hëna natës.
Nuk dua më shikime të trishta , as dëshira të fshehura, e as shpresa të panjohura.
Dua jetë të mbathura këndshëm ku këpucët e secilit të jenë stiluar nga petku i bukurisë dhe të jenë shtrënguar fort nga lidhëset e lumturisë.
Mirupafshim ëndrra ime, e mos harro të mbesësh vetëm ëndërr!