Nga Elona CASLLI
Zonja Muti, pata mundësinë të ndiqja takimin tuaj me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.
Mes shumë fjalive tipike që thuhen në raste të tilla, më bëri përshtypje adhurimi që shprehët për kryebashkiakun.
Gjatë diskutimit tuaj, pata përshtypjen se ngatërronit Romën me Tiranën.
Mos ndoshta, fjalimin që duhet të mbanit në Romë e mbajtët në Tiranë?!
Ishit aq e mallëngjyer nga zyra e kryebashkiakut , sa u shprehët se po të mundnit do vinit një shtrat dhe do flinit atje. Deri këtu krejt në rregull, por para se të shtriheni, dilni pak në tarracën e bashkisë dhe hidhini një sy qendrës së këtij kryeqyteti.
Ju duhet ta dini fort mirë se qendrat historike të qytetit në botën e qytetëruar, konsiderohen të paprekshme dhe trashëgimia kulturore është kryefjala e çdo qyteti evropian.
Kryebashkiaku që adhuroni zonjë, është vrasësi me pagesë i këtij kryeqyteti.
Kryebashkiaku që adhuroni zonjë, ka shembur Teatrin Kombëtar.
Kryebashkiaku që adhuroni zonjë, është në të vërtetë Turpi i këtij qyteti.
Duke qenë se u përlotët teksa kryebashkiaku ju rrëfente marrëdhënien e tij me fëmijët e shkollave që i ftonte në zyrë, kisha disa pyetje për ju;
- Në cilin vend të botës ndodh që një kryebashkiak të ftojë sistematikisht fëmijët e shkollave në zyrën e tij?!
- Në cilin vend të botës ndodh që një kryebashkiak të rrëfejë një perversitet të tillë ;
“””Fëmijët janë avokatët e mi më të mëdhenj. Kur ne krijuam ditët pa makina, prindërit e fëmijëve më quanin komunist, por pastaj kur fëmijët shkonin në shtëpi dhe u thonin- Unë në ditën pa makinë, ngrita balonën në qiell dhe i dhashë biçikletës. U kënaqa shumë” , prindërit filluan të ndryshonin mendje.
Me pak fjalë zonjë, në cilin vend të botës ndodh që një kryebashkiak i do dhe mendon për lumturinë e fëmijëve më shumë se prindërit që i kanë sjellë në jetë këta të fundit?!
Meqënëse u emocionuat shumë dhe me mbjelljen e pemëve të kryebashkiakut, duhet thënë se kryebashkiaku mbjell kulla dhe jo pemë.
Dhe një kullë zonjë e nderuar po mbillet fill pas dhuratës që ju dha kryebashkiaku. Fill pas Sahatit, po mbillet një kullë.
Ju thatë se disa miq nga Shqipëria ju kishin thënë se kryebashkiaku ishte njeri fantastik. Dhe ju e pohuat këtë me zë të lartë dhe madje nënvizuat faktin se Tirana kish pësuar një zhvillim të hatashëm.
Mos keni ngatërruar fjalën ” zhvillim” me fjalën shkatërrim, zonjë?!
Post Scriptum- Në kujtesën e shqiptarëve janë ngulitur thellë rolet tuaja në kinematografinë italiane. Roli që luajtët sot, ishte një dështim i vërtetë.