Autoritetet italiane dhe gjermane informojnë se varianti i ri i koronavirusit që po qarkullon në Britani, mund të luftohet me vaksinat ekzistuese, edhe pse paraqitet më infektues se zakonisht.
Varianti i ri i koronavirusit i përhapur në Angli dhe që po vë në panik botën, është vërtet më i transmetueshëm por mësohet se luftohet po njësoj me vaksinat e prodhuara deri tani.
Një paciente bartëse e mutacionit të ri të virusit SARS-CoV-2 është izoluar edhe në Itali, pasi ishte kthyer nga Londra së bashku me partnerin përmes aeroportit të Fiumiçinos.
Autoritetet thanë se gruaja shfaqte një ngarkesë virale më të fortë se e zakonshmja, duke konfirmuar hipotezën se virusi ka aftësinë të infektojë deri 70 për qind më shumë sesa i pari.
“Varianti i ri i SARS-CoV-2 që po qarkullon tani në Londër ka pësuar ndryshime proteinike, çka ka rritur nivelin e infektueshmërisë prej tij. Varianti i ri nuk e bën virusin më agresiv nga ana klinike e as nuk ndikon në reagimin e tij ndaj vaksinës,” informoi drejtori i Departamentit për Parandalimin e Sëmundjeve Infektive, Xhovani Rexa, në përpjekjen për të qetësuar publikun italian.
Edhe Ministria gjermane e Shëndetësisë njoftoi se vaksinat e tanishme janë efikase ndaj mutacionit të ri të koronavirusit.
Ndërkohë vazhdon të zgjerohet lista e shteteve që kanë ndaluar udhëtimet drejt apo nga Britania e Madhe për shkak të rrezikut më të fundit epidemiologjik.
Italia, Gjermania, Franca, Holanda, Turqia, Kanadaja deri Argjentina dhe Kili në Amerikën e Jugut kanë bllokuar hyrjet-daljet për në Angli për 48 orë ose deri në fillimin e vitit 2021.
Bashkimi Europian mësohet se do të takohet për t’u koordinuar për situatën.
Bartës të variantit të virusit të ri janë diktuar edhe në Holandë e Danimarkë, ndërkohë që në Britani ai ka qarkulluar prej shtatorit e tani përbën gati dy të tretën e të gjitha rasteve të reja.
Sëmundja e Covidit-19 ka vrarë mbi 1,7 milion veta në botë, ndërsa rastet e konfirmuara deri tani po i afrohen shifrës 80 milionë.