Nga Skender Doçi
Në fakt, është e vështirë ta ndash me një vizë apo me një definicion, se kur një shtet dhe shoqëria brenda kufijve të tij është demokratike e mirfilltë. Kjo, për një sërë arsyesh metodash dhe modelesh që ekzistojnë në rrafshin teorik për demokracinë, por jo pak edhe në atë praktik, sikurse janë modelet e ndryshme mbi ndërtimin e shtetit dhe konceptet që përfaqësojnë lidhur me individin dhe shoqërinë.
Kur flasim për demokraci, kemi prejashtuar automatikisht sistemet totalitare qoftë me bazë komuniste, ushtarake, apo diktaturat monarkike, këtu futet edhe ndonjë formë e ndërmjetme kur një individ ose një grup i caktuar për arsye dhe faktorë të ndryshëm kanë arritur të uzurpojnë shtetin, dhe vazhdojnë ta mbajnë si rezultat i forcës.
Ne nuk kemi dëgjuar të flitet për demokracinë kineze sepse sistemi politik është monopartiak dhe zbatohen konceptet e ekonomisë së tregut, pra quhet “modeli kinez”, e raste të tjera në lindjen e mesme … etj.
Për të bërë vlerësimin e shteteve përgjatë rrugës së demokracisë, unë mendoj se mund të vendosim një shkallë jo ekzakte vlerësimi, nga e cila nisemi për të bërë edhe një klasifikim të tyre, sigurisht aq sa është e mundur. Unë pëlqej ta bëj këtë vlerësim si më poshtë:
- Vend në tranzicion drejt një sistemi demokratik
- Vend me demokraci funksionale
- Vend me demokraci në zhvillim
- Vend demokratik
- Vend me demokraci të zhvilluar e të përparuar
- Vend model për demokracinë dhe shoqëritë demokratike
(shkalla e
vlerësimit është sipas mendimit tim).
Demokracia
në vetvete është një sistem që nuk pushon së përmirësuari dhe së përsosuri
asnjëherë.
Kjo për vetë natyrën që ka ky sistem i organizimit shoqëror, i cili ka hedhur themelet teorike (deri diku edhe praktike)
p.e.s në Greqinë e Lashtë.
Nuk dëshiroj të ndalem se cilat janë kriteret dhe kushtet që kam unë parasysh në këtë shkallë vlerësimi prej gjashtë nivelesh dhe si do i radhisja disa shtete sipas kësaj shkalle, pasi nuk është objekt i shkrimit të sotëm.
Dëshiroj
të theksoj një dallim të madh, midis vendeve të ndryshme përsa i përket
sistemeve në të cilat kaluan paraprakisht.
Në ato vende që nuk u instalua sistemi komunist, në rrugën e tyre drejt
demokracisë nuk ekzistonte problemi i pronësisë. Struktura dhe vlera e
kapitalit që ishte krijuar deri në atë kohë e ruajti vlerën e tij përgjatë
gjithë kohës, sigurisht në kushtet e një konkurence më të madhe, por nuk pati
probleme të pronësisë dhe shpërbërje të vlerës së krijuar, apo përvetësimin e
saj nga një klasë e caktuar njerëzish në mënyrë të njëanshme. E kundërta e
kësaj, ndodhi në vendet ish-komuniste.
Ne si shtet dhe shoqëri, kemi kaluar nivelin e parë, të cilin e dimë dhe e njohim më mirë se pjesa më e madhe e vendeve europiane, përfshirë edhe ato post-komuniste, pasi kemi hequr jo pak për të dalë nga ai nivel vlerësimi.
Aktualisht
ne jemi tek niveli i dytë – Vend me demokraci
funksionale.
Mendoj se i kemi kaluar ¾ e këtij niveli, çështjet pezull që duhen zgjidhur për
t’u quajtur i kaluar ky nivel janë të shumta. Ajo që dëshiroj të theksoj është
se, janë më shumë probleme që në themel kanë vullnetin politik.
Fjala bie, parlamenti dhe pushteti lokal janë monopartiake. Janë sikurse ideja
e Ramiz Alisë në 1999-ën që donte të quante opozitë, bashkimet profesionale,
organizatën e gruas, frontin demokratik, organizatën e rinisë, ku të gjithë e dinin
se si është e vërteta.
Mund të themi se, proçesi demokratik është stopuar dhe drejtimi si forma e
shprehjes së vullnetit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve multipartiak nuk
ekziston. Duhet ta kemi të qartë se, me sitatën politike që ndodhet sot Shqipëria,
sikur 100 vite të zgjasë, për 100 vite
integrimi nuk do bëjë as edhe një hap përpara.
Tjetër është
sjellja me mediat.
Është krijuar një klimë tejet e tensionuar në disfavor të fjalës së lirë,
gazetarisë investigative e cila ka filluar shumë me vonesë dhe ka qenë e mangët
në këtë drejtim. Me ligje e rregulla kufizuese ndrydhëse dhe presione shtetërore
mediatike. Unë nuk mund ta kuptoj një gazetar apo analist që situatën politike
në të cilën ndodhet vendi ynë ta pëlqejë ta glorifikojë e aq më tepër ta mbrojë.
Për median ligji më i mirë është me dy shprehje të vetme:
– Në Shqipëri media është
e lirë.
– Liria e medias mbrohet me ligj.
Çfarë t’i shtohet tjetër është në të keqe të demokracisë, lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij.
Kushdo që i
kundërvihet qeverisë me çfarëdolloj mjeti legal, nuk mund t’i kundërvihet
qeveria atij (Individi apo subjekti) me pushtetin dhe mekanizmat që ka në mënyrë
tendencioze, ilegale ose personale. Kjo në demokraci s’ka “emër” për keq.
Tjetër është represioni militantesk ndaj fjalës së lirë.
Këtu, e kam fjalën për militantët nga të gjitha kategoritë sociale të cilët
mbrojnë për interesa materiale apo të verbëra partinë në pushtet. Kjo vjen për
faktin e vetëm se, partia me qeverisjen e saj lënë të kuptohet në publik se
gazetarët dhe njerëzit e fjalës së lirë, nuk janë të mirë dhe duan rrëzimin e
mazhorancës, gjë e cila do dëmtonte rëndë interesat e tyre.
Kjo e dëmton rëndë klimën e paprekshmërisë së njerëzve të fjalës së lirë.
Tjetra është, kërcënimi që ju bëhet nëpërmjet punës dhe të punësuarve që kanë
lidhje farefisnore me gazetarin, që sipas tyre “nuk po rrinë urtë”, e dhjetëra
gjëra të kësaj natyre.
Problem tjetër, janë proçeset zgjedhore, për të cilat nuk kam se çfarë të them pasi janë thënë e stërthënë me mijëra herë nga gjithkush brenda e jashtë Shqipërisë.
Po,
veprimtaria e sindikatave ku është? A janë ato aktive dhe sa e përmbushin
misionin e tyre?
Po të them në minimum, – gënjej. Ato janë afër pikës së vdekjes.
Janë shëndërruar në “furrigje” njerëzish parazit, ku falë disa lëshimeve që u
kanë bërë qeveritë e kohë-paskohshme me pronat, mbyllin gojën dhe nëpërmjet
heshtjes vendosen përkundra interesave të punonjësve dhe njerëzve.
Qeveritë ua kanë dhënë pronat si punë kotherje për t’i mbajjtur të varur, apo se
“s’varen” sindikalistët tanë, servilë dhe sahanlëpirës të pushtetit!! Njerëz pa
identitet dhe integritet personal, të padenjë për misionin që kanë në jetën e
një shoqërie demokratike.
Kategoritë e intelektualëve të vërtetë, janë të përzënë nga çdo sektor i politikës dhe qeverisjes së vendit, nga çdo pozicion drejtuesi. Në heshtje, bëjnë atë punë që kanë kush i varur, kush i pavarur, e thonë jemi rehat përse t’i nxjerrim telashe vetes, japim atë votë e rrimë urtë çfarë do që të bëhet e të ndodhë. Po a është kredibilitet ky?! A është e moralshme? A është shoqëri civile, demokratike apo atdhetare? Unë mendoj se është “ku thërret qameti”.
Problem tjetër që nuk po njeh përmirësim është, angazhimi i qeverisë dhe pushtetit lokal në programe konkrete, mbi zbutjen e varfërisë, strehimin dhe punësimin e çifteve të reja dhe rinisë në përgjithësi, programet për zhvillimin dhe integrimin e shtresave vulnerable në shoqëri, motivimi i të rinjëve të diplomuar për të mos u larguar nga vendi … etj.
Politika jonë, kryesisht maxhoranca, qëndrojnë përgjatë gjithë kohës të mbërthyera në një përleshje të shpifur mes njëra-tjetrës për pushtet, një teatër permanent gati “horror” ku një pjesë e popullsisë hipnotizohet si spektatorë në një “betejë kreshnikësh”. Kjo është fatkeqësia e demokracisë sonë. Njerëzit hutohen duke parë përfaqësuesit e tyre, jo në një përpjekje të palodhshme për t’u përmirësuar jeta e tyre, por janë pjesëmarrës virtual në një betejë “shejtanësh”.
Tani do ndalemi në krizën e besimit, e cila është karekteristikë në nivelin e “demokracisë funksionale”.
Më
lartë theksuam disa çështje të cilat janë probleme esenciale në këtë nivel, të
cilit unë mendoj se i përket aktualisht vendi ynë.
Zgjidhja më e efektshme e dhjetëra problemeve në këtë nivel është rotacioni çdo
4-vjeçar.
Kjo do ta shkurtonte shumë kohën që duhet për t’a quajtur të mbyllur këtë
nivel. Por nuk e quaj fare përzierje në politikë, kur unë them se, po nuk ndodhi
pas dy mandateve njëri pas tjetrit të së njëjtës mazhorancë, atëherë demokracia
nuk është funksionale përsa i përket nivelit dhe rrethanave në të cilat
ndodhemi ne dhe vendet e njësuara me parametrat tanë.
Atëherë goditja është fatale dhe automatikisht gjendesh në nivelin e parë. – Vend në
tranzicion drejt një sistemi demokratik.
Vetë rotacioni është një shfryrje e pazëvendësueshme e çdo ankthi, çdo ngërçi,
e çdo gjëje e cila nuk ka funksionuar në koherencë me pritshmërinë e njerëzve.
Kriza e
besimit është karakteristika kryesore e këtij niveli, jo vetëm për ne por në të
gjitha shoqëritë që e kanë kaluar këtë nivel sipas kohëve të ndryshme. Duhet ta
kemi të qartë, se kjo krizë është vrastarja e gjithçkaje demokratike,
ekonomike, sociale.
Kjo detyron qytetarët të marrin valixhet e të largohen përfundimisht, jashtë çdo
vullneti të tyre me shpirt të thyer drejt vendeve evropiane.
Të dashur lexues besomëni, – e them para Zotit se, ky do ishte një fatalitet
ekstrem dhe përfundimtar, ku kombit i duhen dekada për të evituar pasojat që
sjell një krizë besimi, pothuajse kolektive.
Skender Doçi
Datë: 03/11/2020