Nga Red VARAKU
Pothuajse të gjitha aktet e Ramës, veçanërisht pas daljes së përgjimeve dhe daljes së opozitës nga parlamenti, kanë qenë në kundërshtim me parimet demokratike të qeverisjes dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Ky kryeministër po injoron deklaratat e institucioneve dhe përfaqësuesve më të larta të saj, të cilët kërcënojnë me bllokim integrimi në rast të shkeljes së marrëveshjes së pesë qershorit.
Një taktikë politike e njohur kjo, që ndërmerret gjithmonë sa herë kryeministri ka nevojë , me qëllim zhvlerësimin e kritikave dhe presionit të BE për zbatimin e parimit të konsensualitetit për marrëveshjen e pesë qershorit, moszbatimi i të cilës prodhoi dhe bllokimin e integrimit dhe ndarjen e Shqipërisë nga RMV-ja.
I qartë se prej vjet Perëndimi është investuar në largimin e tij dhe i bindur që nuk do t’ia pranojë shkeljen e marrëveshjes së pesë qershorit, Edi Rama po bën gjithçka për të garantuar paprekshmërinë e tij pas largimit.
Në fakt të gjithë liderët e inkriminuar të Ballkanit, kanë vetëm një formulë kur u ngushtohet laku dhe ajo është relativizimi i nevojës për një aleancë me Perëndimin dhe krijimi i aleancave të reja me faktorë të tjetë anti-perëndimorë si kërcënim për Perëndimin.
Këtë bëri Sllobodan Miloshevici më 1999, kur u krijua koalicioni më i madh botëror që mbështeti bombardimin e Serbisë për lirinë e Kosovës.
Këtë bëri Gruevski pas fillimit të izolimit të tij dhe presionit Perëndimor. Këtë po bën dhe Edi Rama tani që po e shikon vendosmërinë e Perëndimit për largimin e tij, nëpërmjet 15 kushteve dhe presionit për bllokimin e integrimit.
Ndaj, në përpjekjen e tij të fundit për të hedhur në erë dakortësinë e pesë qershorit në emër të sovranitetit, Edi Rama po tenton të krijojë idenë, se ndryshimet kushtetuese nuk e cënojnë thelbin e pesë qershorit. Kjo për ta bërë sa më relativ në sytë e opinionit publik bllokimin që po i vjen nga Perëndimi.
Duke marrë pozat e gjelit majë plehut, ai po krekoset si të gjithë autokratët e ngjashëm, me qëllim mbajtjen me gajret të asaj çetës së verbër, që po e ndjek drejt vetëshkatërrimit. Në taktikën e tij Rama po tenton të zvogëlojë dhe realativizojë sa më pak impaktin që ka bllokimi i integrimit tek shqiptarët duke shpikur lloj lloj alibish.
Por, edhe pse po e dëmton rrugëtimin e Shqipërisë drejt Perëndimit jo pak,e vërteta është që ky qëndrim, më së pari ka një kosto rrënuese për vetë PS, sepse kësaj rradhe ajo po përdoret strikt vetëm për interesa private të një njeriu, i cili ka për qëllim ndalimin e implementimit të standardeve evropiane në Shqipëri, sepse implementimi i tyre do të thotë largim i tij.
Një bastardim të tillë PS, nuk mund t’ia bënte askush përveç atij, që e ka përdorur atë vazhdimisht si një letër higjenike, sa herë e zënë krizat e panikut nga krimet që ka bërë.
Sot Edi Rama është në pozitat e njeriut të terrorizuar nga krimet e tij dhe posti i kryeministrit nuk i duhet më për të negociuar interesat tona dhe aq më pak ato të PS, por i duhet vetëm si një mundësi për të negociuar axhendën e tij personale. Në fakt kjo është edhe arsyeja kryesore se pse ai nuk duhet të vazhdojë të përfaqësojë më vullnetin e shqiptarëve.
Gjithsesi, shqiptarët do ta kalojnë dhe këtë pengesë të fundit drejt Perëndimit, por në fund të kësaj beteje, e humbura më e madhe e kësaj beteje do të mbetet PS, pasi pas rrëzimit të këtij njeriu, ajo do të jetë aq e rrënuar moralisht dhe aq e shpartalluar numerikisht, sa do ta ketë shumë të vështirë të ringrihet.