Duke qenë se Rama, është tejet i lidhur me figurën e Skëndërbeut, është e udhës t’i sjellim në vëmendje, Ramës marrëdhënien që diktatori Hoxha ka pasur me këtë figurë, sipas Kadaresë.
Duke përdorur terminologjinë e kohës që jetojmë, rrëfimin do shtjellojmë përmes telefonatave imagjinare, që shkrimtari ynë i njohur, i bën Ramës, me titullin- Kadereja jam, Rama.
Telefonatat përmbajnë pjesë të shkëputura nga libri me titull ” Mosmarrëveshja” i Ismail Kadaresë.
Kadareja jam, Rama. – Telefonata e parë
Më 1968, në pesëqindvjetorin e vdekjes së tij,më 17 janar, shtatorja e parë u vendos në Tiranë, në një ditë me dëborë. Në mendësinë shqiptare, dëbora e porsarënë paralajmëronte mbarësi. Sheshi numër një i vendit, ai që mbante emrin e Skëndërbeut, veç jo shtatoren e tij, por të një tjetri, atë të një tirani të huaj, ishte gdhirë, më në fund, pa Stalinin.
Njerëzit nuk u besonin syve. Gjatë natës ishte bërë fir, qetësisht, ai turp, jo për t’u hequr, se Shqipëria komuniste nuk ndahej dot nga turpet e saj, por për t’u zhvendosur njëqind hapa më tej, në Bulevardin e Madh.
Kadareja jam, Rama. – Telefonata e dytë
Kronika e sheshit ” Skëndërbe”, më saktë ajo që do të quhej ” lufta e shtatoreve” do të vazhdonte. Krejt në stilin e Kastriotit, i cili nuk e kishte për gjë të hapte betejë, si në Shqipëri, si në kontinent, lufta u zhvendos përkohësisht në Paris. Gjithmonë në pesëqindvjetorin e Kastriotit, diaspora shqiptare arriti që Bashkia e Parisit, kryetari i së cilës ishte Zhak Shirak, të merrte më në fund, vendimin që një nga sheshet e mëdha të kryeqytetit francez të merrte emrin ” Place de Scanderbeg”.
Kadareja jam, Rama.- Telefonata e tretë
Dihej se nuk ishte e lehtë në Paris të gjendej një rrugë, e aq më tepër një shesh për cilindo, e aq më tepër për një të huaj. Do të kishte gjithmonë kundërshtime, lobingje të kundërta, smirë, diplomaci. Nëpër të gjitha këto do të kalonte kërkesa e vështirë për Skëndërbeun.
Kadareja jam, Rama. Telefonata e katërt
Në një letërkëmbim të turpshëm, Shqipëria shpallej kundër projektit, pa e shpjeguar arsyen. Ajo ishte aq e errët, saqë u bë çmos të mos merrej vesh: smira e shefit të komunistëve shqiptarë për Gjergj Kastriotin. Duke e ditur se në Paris mund të kishte së shumti veç një shesh për Shqipërinë, e kurrsesi dy, Shqipëria komuniste donte ta ruante atë shesh për shefin e saj: ” Place d’Enver Hoxha”.
Kadareja jam, Rama.- Telefonata e pestë
Më në fund, diaspora shqiptare dhe sheshi në Porte de la Villette, u përurua, këtë herë fare haptas, ” për inat të shqiptarëve” siç do të thoshte Faik Konica, e fill pas tij Gjergj Fishta në dramën e djallit. Princi i dikurshëm kishte ngadhënjyer.
Sheshi ” Skëndërbe” në Paris përveç që ishte i madh, kishte midis tij një truall të rrumbullakët, vend klasik për të vënë shtatoren e personazhit, emrin e të cilit mbante.
Kadareja jam, Rama- Telefonata e gjashtë
Ka qenë e kuptueshme që qysh nga viti 1968, gjer më 1990, vendi i shtatores në Paris do të mbetej bosh, ngaqë as që mund të mendohej se shteti komunist do t’ia bënte dhuratë shtatoren e heroit të vet, në shenjë mirënjohjeje, siç e kërkonin doket e qytetërimit europian, kryeqytetit të Francës.
E habitshme është që, ende sot, njëzet vite pas shembjes së komunizmit, sheshi është pa shtatore, çka dëshmon se mëria e verbër, e fshehur tinëzisht, vazhdon, e çka vërteton se Shqipëria ka ende një problem tragjik me vetveten.
Kadareja jam, Rama- Telefonata e shtatë
Kronika, megjithatë do të kishte vijim. Një nga aktet e dramës u zhvendos përsëri në Tiranë dhe përsëri në sheshin ” Skëndërbe” njëzet vite më pas, më 1988, kur tridhjetë hapa larg shtatores së Kastriotit, u ngrit më në fund, në trajtë bronzi, ëndrra e komunistëve, shtatorja e shefit të tyre, Hoxhës. Ishte e qartë për të gjithë se një shtatore e ngritur në sheshin që mbante emrin bashkë me shtatoren e tjetërkujt, do ta dëbonte të zotin e sheshit, sipas zakoneve të botës.
Kadareja jam,Rama. – Telefonata e tetë
Shefi i komunistëve shqiptarë, i shestuar për të qenë ” njeriu më i madh i kombit” nuk qëndroi veçse tre vite përballë shemrit të vet. Në Paris, njëzet vite më parë, e kishte humbur betejën me princin mesjetar.
Në Tiranë, s’kishte asnjë dyshim se do ta fitonte. Dhe kishte arsye, sipas tij, të ndihej i fortë; kishte me vete një ushtri të tërë, të armatosur gjer më dhëmbë, një polici po aq kërcënuese, një polici të fshehtë edhe më ogurzezë, me armatë të pafundme spiunësh, e kështu me radhë, kurse tjetri përballë tij, s’kishte veç një shpatë prej bronzi dhe një hierore të mjegullt, atë që ishte e lehtë ta quaje ” mit” e ta rrëzoje më lehtë.
Kadareja jam, Rama.- Telefonata e nëntë
Ndeshja midis tyre do të kryhej me egërsi të pashoqe, pa mëshirë dhe e pashpirt, në një ditë shkurti të vitit 1991, krejtësisht në stilin mesjetar, me rrëzim përdhe, me përdhosje të bronzit, me goditje çomangesh, me shpim sysh, së fundi me zvarritje.
Që nga piedestali i vet, princi i ngrysur do ta shihte shemrin e vet.