Politika shqiptare ka uruar 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Edi Rama nderon kujtimin e atyre që dhanë jetën për këtë ditë.
“Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërsa Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij, Hashim Thaçi.
Ndër të tjera, Kreu i Shtetit shqiptar thotë se Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike. Meta thotë se do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës.
“Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane. Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare”.
Njokësisht, Meta shpreh besimin se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës.
Kryetari i PD, Lulzim Basha thotë në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.
“Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit. Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh. Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjëherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë”, shkruan Basha.
Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi uron këtë ditë duke thënë se Kosova është martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne.
“Është e natyrshme që sot një nderim i veçantë të shkojë për të gjithë ata djem dhe vajza, për të gjithë ata luftëtarë të lirisë që i dhanë Kosovës, lirisë e pavarësisë së saj, jetën e tyre. Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve te Bashkuara te Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, që ishin krah Kosovës si në ditët e luftës së përgjakshme, ashtu edhe në procesin politik për shpalljen e pavarësisë së saj. Kosova është amaneti i shenjtë i gjakut të të rënëve, por po aq është edhe ëndrra e bukur e djemve dhe vajzave të saj, ndaj përparimi dhe mirëqenia, prosperiteti dhe zhvillimi i pandalshëm, do ta bëjnë Kosovën edhe më të fortë, edhe më të begatë, edhe më europiane”, shkruan Kryemadhi.
Gëzuar Kosove 12 vjetorin e pavarësisë!
Sot mbarë kombi shqiptarë feston bashkë Pavarësinë shtetare të Kosoves ashtu siq festojme bashkë tonë kombetare.
Sot kujtojmë me respekt të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan në dekada për lirinë dhe dinjitetine tonë Kombëtar
Urojmë më e fortë, më e zhvilluar më e begate Kosova jonë Dardane.
Urojmë gjithashtu që fillimi i ketij 10-vjeçari të mundësojë Bashkimin tonë kombetarë brenda kufijve etnikë të Shqipërisë së vërtetë“- shkruan në urimin e tij, kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpetim Axhemi????????











