Nga Xhevat Mustafa
“Shteti” i Edi Ramës…
Nuk janë pak 6 vjet për të kuptuar dhe për t’u bindur, se “shteti Edi Rama” është shtet i NJESHIT, i unit, i urdhrit shumëformësh; i ekipit partiak, ortakëror, klientelist, oligarkist.
Qeveritarët, doganierët, tatimorët dhe administratorët firmosin dhe vulosin miliarda, duke u kthyer në sheikë, ndërsa qytetarët vriten, vetëvriten, janë pa lekë në xhep, firmat në prag falimentimi nga spitalet pa ilaçe. Kurbeti ka lulëzuar, vendi po plaket, “truri” po ikën dhe dasmat u harruan. I vetmi sukses është mashtrimi dhe PPP-të
Prej afro 107 vitesh, në fjalorin tonë politik, shtetëror dhe mbarëqytetar, janë futur, me saktësi apo pasaktësi, me qëllim e një investim të fshehtë” apo “shqiptarçe” dhe instinktivisht , edhe emërtimet “shteti i Ismail Qemal Vlorës”, “shteti i Ahmet Zogut”, “shteti i Enver Hoxhës”, “shteti i Ramiz Alisë”, “shteti i Sali Berishës”, “shteti i Fatos Nanos”, “shteti i Edi Ramës”… Sipas këtij vizioni, mentaliteti, tradicioni, me shumë gjasa si viktima të patriarkalizmit dhe bajraktarizmit ballkanas dhe sidomos shqiptar, edhe shtetin, për të keqen tonë mbi njëshekullore, e kemi parë, qysh nga lindja e tij, si mall e pronë ekskluzive, të pa noterizuar dhe të pa hipotekuar, të individëve, që kanë qenë dhe janë në krye të qeverisjes qendrore. Për kursim kohe të lexuesve dhe vendi në gazetë do t’i shmangem vështrimit historik dhe do të ndalem vetëm në shtetin e këtyre 6 viteve, pra, në “shtetin Edi Rama”. Është fakt i pakundërshtueshëm se jo pak qytetarë kanë pandehmën apo iluzionin se është “më i miri dhe më moderni”. Unë do të përpiqem me një mori faktesh t’ua lëkund sado pak këtë opinion apo bindje. Sipas meje, me gjithë përkujdesjen nga brenda e nga jashtë, sidomos nga Sorosi dhe sorosianë, në SHBA dhe në Evropë, për ta reklamuar sa më bashkëkohor e shqiptar, përsëri nuk i janë mbuluar dot qysh në fillim tiparet e njëjta dhe ngjashmëritë si të gjakut, “të atësisë apo amësisë” me shtetet paraardhëse. Për të qenë më objektiv, “shteti i Edi Ramës”, për nga natyra liberale dhe ekstravagante, për nga dukja dhe “të përbrendshmet”, ngjan më shumë me “shtetin e Ahmet Zogut” dhe me “shtetin e Fatos Nanos”. Ndërsa për nga dëshira për të blerë pavarësi dhe mbështetje mediash Edi Rama ka dhënë me bollëk fakte për t’u kuptuar se është në “revan të çmendur” për t’ia kaluar “shtetit Sali Berisha”. 6 vjet nuk janë pak për të kuptuar dhe për t’u bindur se “shteti Edi Rama” është shtet i NJESHIT, i unit, urdhrit shumëformësh; i ekipit partiak dhe ortakëror, klientelist, oligarkist… Se ai është ngritur mbi gërmadhat e institucioneve të shtetit ligjor, me jetë, më së shumti vetëm në fletët e zhubrosura të Kushtetutës…Se është mbajtur në këmbë me demagogji, me forcë kartonash e kukullash në gjasme parlament dhe policësh në sheshe protestash, mbi miliona eurosh, dollarësh, sterlinash, lekësh…,nga ortakëria me bosë të krimit, korrupsionit, kanabizimit… “Shteti i Edi Ramës” është shtet pa shtet të vërtetë ligjor, funksional, të prekshëm e të ndjeshëm. Në fund të vitit të gjashtë të “shtetit të Edi Ramës” ne jemi katandisur në shtet pa Parlament pluralist të vërtetë; pa opozitë të vërtetë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa President me të gjitha atributet, fuqitë, privilegjet, që i njeh dhe jep Kushtetuta; pa Kryeprokurore të Përgjithshme me mandat të plotë, pa KQZ të pavarur…Më e keqja për të gjithë si qytetarë e si shoqëri, sot ne jemi një shtet jo i denjë në shumicën e drejtimeve për të mundësuar nga meritat dhe jo për mëshirë e dashamirësi hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Po kështu, na ka dëmtuar dhe do të na dëmtojë gjatë edhe fakti se jemi një vend e një shtet me një popull, masivisht, sidomos në fshat, zonat rurale, në qytetet e vegjël dhe në krahinat e thella, me nivel të ulët emancipimi qytetar dhe demokratik, i pavetëdijshëm sa dhe si duhet për peshën, rolin, fjalën, votën e vet…Tashmë është bërë e kuptueshme se kjo është, më së shumti, rrjedhojë e një investimi monstruoz dhe me efekte afatgjata nga Enver Hoxha për shpëlarjen apo komunistifikimin e truve të sa më shumë shqiptarëve dhe për mbetjen tmerrësisht gjatë të tyre peng i “gjasme të majtës”, edhe pse kjo i ka mashtruar dhe zhgënjyer për 78 vjet shqiptarët.. Njëkohësisht, edhe që të kenë urrejtje histerike ndaj të “djathtës”, duke u mbyllur kështu dyert rrotacioneve qeverisëse, edhe kur janë të domosdoshëm dhe urgjentë, edhe kur mund të sjellin përmirësime jo drastike, por gjithsesi një qeverisje pak më “ndryshe” e pak më të mirë. Ky investim apo kjo “dhuratë” e enverizmit po i shërben shumë edhe “qeverisjes rilindëse”. Gjatë këtyre 6 viteve të “shtetit të Edi Ramës” janë të shumtë faktet dhe ngjarjet, që ndihmojnë për të kuptuar më me saktësi se çfarë lloj shteti është ai në të vërtetë dhe jo si na vetëreklamohet. Lista e këtyre fakteve është e gjatë, prandaj po u referohem vetëm treve më të freskëta. Fjala është për farsën dhe maskaradën ligjore në zgjedhjet e 30 qershorit 2019; për procesin gjyqësor për ish-ministrin Saimir Tahiri, më 18 shtator 2019 dhe për “komedinë parlamentare” nëpërmjet “aktorëve që interpretojnë në komisionin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Referuar edhe raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it gjasme zgjedhjet e 30 qershorit ishin jo vetëm një gremisje 30 vjet prapa, por edhe një turp e njollë e madhe për gjasme demokracinë shqiptare dhe për “shtetin Edi Rama”. Edhe procesi gjyqësor ndaj ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ishte jo vetëm një skandal, por shprehur në mënyrë figurative, edhe varrosje për së gjalli, pa lindur akoma, i të ashtuquajturave “Reforma në drejtësi” dhe “SPAK”. Sipas meje, shprehur me kohë para përfundimit qesharak të këtij procesi, “çështja Saimir Tahiri” do të mbyllej me “shit-blerjen e vendimit”, ashtu si janë vetëshitur e blerë “kundërshtarë shqiptarë” nga opozita dhe mediat si dhe mbështetës ndërkombëtarë…Po të dënohej Saimiri me burg, qoftë edhe me 8 ditë, po atë natë, duhej të vinte, e shumta brenda 8 orëve, dorëheqja si qeveri dhe si kryeministër e njeriut, që është ngjirur me vite të tëra duke e mburrur dhe mbrojtur, sikur të mos kishte pasur fare dijeni për “paudhësitë” e tij pas krahëve. Po kështu, nuk do shumë vramendje për të kuptuar se “komisioni Manja” apo “antipresident” ka të paktën dy synime.
I pari, t’ia heqë nga rruga kryeministrit pengesën Ilir Meta apo të një presidenti të padëshirueshëm e të pabindur.
I dyti, edhe ato pak të drejta e kompetenca, që i kanë mbetur institucionit të presidentit, t’i merren i atij dhe t’i kalojnë një presidenti të ri, kukëll, domethënë kryeministrit, i cili, edhe me këto pushtete që ka deri më sot, është frikshëm i mbingarkuar.
Gjatë 6 viteve të “shtetit Edi Rama” është bërë e qartë nga një bollëk rastesh privilegjimi dhe pësimi të bashkëpunëtorëve të afërt me kryetarin e PS-së dhe të qeverisë së “Rilindjes” se je i mirë, përfiton në detyra, karrierë, pasurim për sa kohë je “ushtar i bindur”. Në të kundërtën, ndëshkohesh rëndë për sinqeritet, përgjegjshmëri dhe kurajë për ta kundërshtuar sy më sy Shefin e Madh dhe për t’i thënë atij ballë për ballë, në forume e veprimtari të gjëra partiake si dhe në media, disa të vërteta lakuriqe, por që ai dëshiron dhe urdhëron të mbulohen me gjethe fiku.
Në këta 6 vjet është shprehur në thellim të vazhdueshëm tendenca apo tradita e vënies së pushtetit ekzekutiv, me doza të forta autoritarizmi dhe absolutizmi, mbi pushtetin legjislativ, institucional, kolegjial… Është shumë domethënës dhe leksiondhënës, sidomos për ne, fakti që identifikimi apo personifikimi i shteteve me emrat e pushtetarëve dhe shtetarëve të tyre më të lartë, ndodh vetëm në vendet diktatoriale, me tendenca apo në në proces diktature. Në SHBA, as në të shkuarën dhe as sot nuk flitet e shkruhet “shteti Bush”, “shteti Obama”, “shteti Trump”, por kuptueshëm në çdo gjuhë të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “shteti i të gjithë amerikanëve”. Po kështu në Gjermani nuk është dëgjuar dhe nuk dëgjohet të thuhet “shteti Kohl”, “shteti Schreder”,“shteti Merkel”; në Francë,“shteti Sarkozi”,”shteti Holonde”,“shteti Macron”…Për të qenë të saktë, juridikisht dhe në media, edhe shteti ynë cilësohet shpesh “shteti shqiptar”. Por, ndryshe nga shtetet e sipërpërmendur, shteti ynë, ka qenë dhe është,në këta 6 vjet edhe më tepër e më qartë, shtet i politikanëve dhe qeveritarëve më të lartë dhe jo i qytetarëve të thjeshtë. Këta janë shikuar dhe trajtuar dhe vazhdon të llogariten edhe sot e kësaj dite thjeshtë si frymë, si trupa e fytyra për mitingje dhe si vota dhe jo si bartës dhe shprehës të vërtetë e të ndjeshëm pushteti dhe shteti, vullneti dhe sovraniteti…
Gjykoj se është urgjente të shprehim shqetësim masiv qytetar për të ardhmen, sidomos të brezave të rinj, për sa kohë “shteti Edi Rama”, është pa strategji dhe programe afatgjata për zhvillimin ekonomiko-shoqëror, për mbrojtjen, për rritjen e shpejtë dhe të ndjeshme të niveleve të punësimit e të mirëqenies, për arsimin, shëndetësinë, kulturën, për uljen drastike të niveleve të korrupsionit, informalitetit, kriminalitetit, prostitucionit… Në të kundërt, “shteti Edi Rama” ka “strategji” për të ndërtuar kulla dhe hidrocentrale private, duke dëmtuar fort e qartë zonat turistike dhe të trashëgimisë kulturore, historike, arkitekturore… Po kështu përbën arsye të fortë për sensibilizim dhe reagim masiv qytetar edhe fakti që “shteti Edi Rama” është edhe shtet pa kontrolle rigoroze e të pakorruptueshme në dogana dhe tregje për ushqimet dhe ilaçet e përditshme; pa shumë zyra e zyrtarë që të zgjidhin punë shpejt e pa zarfe…Kështu ai po na shkurton jetën, po na “vret dhe vetëvret”, po na zbraz kuletat, xhepat, kursimet e po na fut, etër dhe bij, në borxhe dhe falimentim, duke u endur me muaj e vite nëpër spitale, zyra dikasteresh, bashkish, nëpër gjykata, noteri, hipoteka, agjenci siguracionesh… Në këto 6 vitet e “shtetit Edi Rama” ka “lulëzuar” edhe emigracioni i moshave të reja dhe i kontingjenteve me shkollim të lartë universitar… Si rrjedhojë jemi bërë për ditë e më tepër shtet në mplakje e mpakje, me rënie të shifrave të dasmave për martesë (shprehur ndjeshëm sidomos këtë verë), të lindjes së fëmijëve…Shprehur ndryshe, po bëhemi shtet pa rini masive e në rritje, pa “tru”, pa mirëqenie, pa të ardhme të sigurt e të begatë… Njëkohësisht, në epokën e “shtetit Edi Rama” po përjetojmë gjithnjë e më qartë edhe një dukuri tjetër. Ndërsa politikanët, qeveritarët, firmosësit dhe vulosësit si dhe përfituesit e tenderëve, koncesioneve, PPP-ve; njerëzit e doganave, tatimeve, të drejtësisë…, sheikizohen çdo ditë e më shumë, qytetarët, paradoksalisht apo “çmendurisht”, ndjehen të lumtur duke i vështruar nga ekranet e televizorëve të kafeneve dhe duke u grindur për ata me njeri- tjetrin për vërtetësinë e premtimeve e të përrallave të tyre për rritje ekonomike, të mirëqenies, për shtet ligjor… Shprehur troç apo shqip fare: Duke u grindur se cilët dinë t’i mashtrojnë më shumë e më bukur. Personalisht, më duhet të pranoj “meritën e padiskutueshme” të Edi Ramës. Në këtë fushë ai ka epërsi të dukshme dhe është…i pamundshëm.