Partia Lëvizja e Legalitetit ka reaguar pas zhvillimeve të 22 shtatorit, ku në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t, GJKKO ka caktuar ndaj drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Po ashtu, është kryer kontroll në banesën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Në deklaratën e saj, PLL i cilëson këto zhvillime si “tejet shqetësuese” për sigurinë kombëtare dhe funksionimin e institucioneve, duke theksuar se bëhet fjalë për drejtues apo ish-drejtues të strukturave që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe rendin publik.
Kreu i PLL-së, Shpëtim Axhami, përmes deklaratës së partisë argumenton se çështja nuk duhet parë vetëm në planin individual të personave nën hetim, por edhe në aspektin institucional dhe politik.
“Kur drejtuesja e shërbimit inteligjent të vendit përballet me një masë sigurie të vendosur nga drejtësia dhe, njëkohësisht, ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit bëhet objekt i kontrolleve në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe krim të organizuar, atëherë përballë kemi një krizë të rëndë institucionale dhe të besimit te shteti”, shprehet PLL.
Partia kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, si dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.
Sipas PLL-së, për këtë qëllim duhet të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit dhe të thirret një tryezë e zgjeruar politike me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike.
“Shteti duhet të jetë mbi çdo pushtet, mbi çdo parti dhe mbi çdo interes”, thuhet në deklaratën e Partisë Lëvizja e Legalitetit.
PLL e mbyll reagimin duke kërkuar institucione funksionale, forcim të sigurisë kombëtare dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te demokracia dhe drejtësia.
DEKLARATË E PARTISË LËVIZJA E LEGALITETIT
Mëngjesi i kësaj të marte sjell dy zhvillime tejet shqetësuese për sigurinë kombëtare dhe funksionimin e shtetit shqiptar.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve të SPAK lidhur me dosjen e AKSHI-t. Në të njëjtën kohë, SPAK ka kryer kontrolle në banesën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Për Partinë Lëvizja e Legalitetit, këto zhvillime janë alarmante dhe thellësisht shqetësuese, pasi bëhet fjalë për drejtues të institucioneve që kanë në themel të misionit të tyre sigurinë kombëtare, rendin publik dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Kur drejtuesja e shërbimit inteligjent të vendit përballet me një masë sigurie të vendosur nga drejtësia dhe, njëkohësisht, ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit bëhet objekt i kontrolleve në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe krim të organizuar, atëherë përballë kemi një krizë të rëndë institucionale dhe të besimit te shteti.
PLL vlerëson se kjo situatë nuk mund të trajtohet vetëm si një çështje individuale e personave nën hetim. Ajo kërkon përgjegjësi të qarta institucionale dhe politike, sepse cenimi i institucioneve të sigurisë prek drejtpërdrejt funksionimin dhe autoritetin e shtetit.
Në këto kushte, Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij, duke i hapur rrugë një procesi të ri politik dhe zgjedhjeve të parakohshme, si mundësi për t’i dhënë fund krizës së besimit, korrupsionit dhe asaj që PLL e konsideron kapje të institucioneve shtetërore nga interesat kriminale.
Për t’i dhënë shtysën e duhur këtij procesi, kërkojmë që sa më parë të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi i Shqipërisë dhe të thirret një tryezë e zgjeruar politike, ku të marrin pjesë të gjitha forcat politike të vendit, shteti duhet të jetë mbi çdo pushtet, mbi çdo parti dhe mbi çdo interes.
Shqipëria ka nevojë për shtet funksional, institucione të forta, siguri kombëtare dhe qytetarë që t’i besojnë demokracisë dhe drejtësisë.











