Udhëve të panjohura…
Udhëve të panjohura kërkoj veten time
Nuk e gjeta as një shtëpi dhe as një cope toke ta mbaj shpirtin tim
Janë udhët e errëta që brenda qenësisë sonë duhet t’i shkelim
Po kush guxon ta hap derën e errësirës?
Mund të verbohesh, mund të fundosesh, mund ta humbasësh veten përgjithmonë.
Dhe derën e errësirës e hap atëherë kur arrinë ta kuptosh se edhe rrezet e diellit të verbojnë!
Duhet t’i ruhesh edhe Diellit, që ta mbash atë shpirt brenda trupit të gjallë…
E gjithçka përreth duket e panjohur, kur nuk arrijmë ta njohim veten
Dhe thania e famshme në Orakullin e Delfit ‘Njihe vetëveten’
Duket se ka mbetur e panjohur…
Për shekuj e shekuj vetëm ndonjë individ aty- këtu mundet ta lexojë
E ndoshta janë shumë të rrallë ata që do arrijnë ta kuptojnë…
Udhëve të panjohura nëpër botë
Kërkoj një aromë dardane
Se mollën e mëkatit e kafshova në tokën time
E unë isha mëkatarja e ‘pafajshme’
Një bijë e Priamit të plakur
Si Kasandra
Që bërtiste dhe ulëriste para se Troja të digjej…
Kush i besoi të shkretës…
Askush përveç çmendurisë së saj!
T’i shkruaj sot dy vargje në një tastierë llaptopi
Se të gjithë orakujt kanë vdekur
Apo i kanë mallkuar nuk e di…
Një botë ku egoizmi mbretëron
Disa flasin për një luftë nukleare
Dhe disa që mbajnë miliarda në duar ndërtojnë bunkere nëntokësore
t’i mbijetojnë ‘’apokalipsit’’.
Ndërsa ata që duan të mirën dhe njerëzimin janë zë i shterrur
Mallkim orakujsh!
Kur Zoti krijoi Even dhe Adamin
Ju dha një kopsht e një cope tokë…
Jeta na u fal prej universit mbi këtë tokë
Ndërsa ata që ndërtojnë bunkere, nuk e mendojnë këtë gjë…
Egoistët dhe jo shejtorët kërkojnë përjetësinë
Që trupat e tyre të hahen si mish nga pasardhësit
Se ndryshe unë këtë çmenduri nuk e kuptoj!
Udhëve të mija të panjohura kërkoj të takoj miq si unë
Një çast kur bota të ndaloj – t’i themi nja dy fjalë
Por çfarë kemi për të thënë
Kur gjithçka është thënë
Dhe njeriu nuk arriti ta njohë kurrë shpirtin e tij…