Nga Denada DAPELLARI
Përmes disa miqve të mi apo dhe ish-studentëve të mjekësisë kisha dëgjuar për Doktor Arben Beqirin, por kurrë nuk e mendoja se një ditë do isha paciente e tij.
Sigurisht që në raste të tilla, kur ndjejmë një shqetësim shëndetësor, priremi për të shkuar tek mjeku që ka gdhendur emrin e tij të artë në fushën dhe specialitetin përkatës. Kështu më ndodhi dhe mua, ndaj dhe desha të shkruaj këtë letër për ti bërë atij një falënderim publik.
Para ca ditësh, u gjenda befas në dyert e QSUT-së “Nënë Tereza“, në një krizë shëndetësore që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale, dhe menjëherë na u gjend kirurgu Arben Beqiri, i cili me karakterin e tij njerëzor dhe gatishmërinë për të shërbyer devotshëm mori përsipër trajtimin dhe ndjekjen e rastit tim.
I qetë, me një zë shpresëdhënës, i komunikueshëm, i kulturuar, dhe shpirtmirë, doktor Arbeni mblodhi stafin dhe mori menjëherë masat e duhura për të realizuar ndërhyrjen.
Doktori Arbeni duhet të jetë një shembull i etikës së komunikimit ndaj pacientit, kodi që ky mjek ka zgjedhur të ketë me pacientët e vet ka ndikuar shumë në punën e tij profesionale si mjek, duke u pasuar sukses pas suksesi, duke u kthyer në mit, në një ikonë të vërtetë ku të mjekësisë shqiptare, imazhi i duhur i saj, i vlerësuar dhe i nderuar brenda dhe jashtë vendit, ai me vlerat qe e karakterizojnë nuk harron asnjëherë që përkushtimi, dashuria, kujdesia, nuk duhet ndalur kurrë për pacientët, pasi për këtë arsye ai jeton, për të shpëtuar jetët e njerëzve në nevojë.
Ai kurrë nuk ka reshtur së qëndruari pranë pacientit, ndoshta duke marrë dhe kohë nga koha e tij e çmuar që mund të kalonte me familjen e tij. Pikërisht këto detaje e bëjnë doktorin të jetë identiteti i vërtetë i QSUT-së, dhe idhulli I brezave të rinj që aspirojnë të bëhen mjekë kirurg.
Një model ndoshta jo i zakonshëm në vatrën e sistemit kirurgjikal ne Shqipëri, ku gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale të doktor Arbenit, spikat qetësia që ai ka. Sikur edhe pesë apo më shumë orë të zgjasë operacioni bie në sy heshtja e tij, që nuk nxjerr nga goja qoftë dhe një fjalë te vetme, duke qenë i përqendruar, por që kuptohet shumë mirë me mimikën e tij të fytyrës me sy me infermierët dhe asistentët e tij në sallë.
E pra, ne duhet të krenohemi që Shqipëria mbart të tillë njerëz të cilët kanë çfarë të transmetojnë nëpërmjet vlerave të tyre njerëzore dhe profesionale.
Këto fjalë zemre janë në shenjë mirënjohje për mjekun Arben Beqiri, i cili përmes përkushtimit dhe profesionalzimit të tij bëri që unë ta kaloja sa më lehtë ndërhyrjen kirurgjikale.
Faleminderit dhe mirënjohje, doktor Beni!