NGA KLODIAN TOMORRI
Kur shpërtheu skandali i Unazës së Madhe, Edi Rama ishte në fillim të mandatit të dytë. Pusi i Rilindjes nuk ishte qelbur ende i gjithi dhe të paktën formalisht ekzistonte ende një fije e përgjegjësisë politike.
Një javë pasi Ylli Rakipi publikoi dokumentat që dëshmonin se DH Albania kishte falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit në Delaëare, Damian Gjinkuri u detyrua të udhëronte anullimin e tenderit 18 milionë euro. Praktikisht shtetit nuk iu shkaktua asnjë dëm sepse tenderi nuk u zhvillua. Por kjo nuk e shpëtoi dot as Gjiknurin dhe as vartësin e tij në ARRSH.
Edi Rama e largoi Damian Gjiknurin nga qeveria, ndërsa Belinda Balluku e nxorri me shkelma Afrim Qendron nga zyra e drejtorit të ARRSH. Dhe ky nuk ishte rasti i vetëm. Në vitin 2018, për shkak të protestave të studentëve apo skandaleve të tjera publike u largua nga detyra gati gjysma e qeverisë.
Por tashmë pusi është qelbur tërësisht dhe përgjegjësia politike ka vdekur. Pasardhëses së Damian Gjiknurit ja kapën rob drejtorin e ARRSH-së. Këtë herë, në rrafshin e përgjegjësisë, skandali ishte edhe më i rëndë se sa ai i Unazës.
Krahu i djathtë dhe njeriu më i afërt i Ballukut nuk u arrestua se një kompani i kishte falsifikuar letrat në tender. Ai tenderat ja jepte vetes dhe paratë e qytetarëve i çonte në kontot e tij private. Megjithatë politikisht nuk ndodhi asgjë. Evis Berberi u arrestua nga SPAK, ndërsa Belinda Balluku vazhdon punën si ministrja më e fuqishme e qeverisë.
Standardi ka vdekur dhe përgjegjësia politike është kallur me kohë. Por asgjësimi i llogaridhënies e shndërron të gjithë shtetin në një kënetë. Ashtu siç po ndodh.
Erion Veliaj, një nga figurat kyç të maxhorancës socialiste tashmë ngjan me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë. Thuajse të gjithë drejtorët dhe ish drejtorët e tij më të rëndësishëm gjenden në burg ose kandidatë serioz për të shkuar aty.
Por ndërsa SPAK ka dekapituar të gjithë zinxhirin komandues të Bashkisë, gjenerali vazhdon në detyrë, pa asnjë pasojë politike. Edhe pse në këtë rast përgjegjësia politike është më direkte. I gjithë grupi i drejtorëve të arrestuar janë emërime ekskluzive të Veliajt dhe tenderat që ata i kanë dhënë vetes janë prokurime me autoritet kontraktor Bashkinë e Tiranës.
Degradimi i qeverisjes dhe vdekja e standardit të llogaridhënies politike është ftesë e hapur për plaçkitje. Mesazhi që vjen nga koka është i qartë. Këtu vjedhin të gjithë dhe përgjegjësia politike e ka humbur kuptimin. Kush shpëton, mirë. Kush kapet e ka për qederin e vet.
Ndaj sot Edi Rama ngjan shumë me Sulltan Fetihun. Kur iu vërsul Konstandinopojës, Mehmeti ishte i qartë me jeniçerët e tij. “Merrni plaçkë sa të doni, mua më duhet vetëm Konstandinopoja.” Kjo është edhe filozofia e Rilindjes sot. Bazhibozukët mund të plaçkisin gjithë shtetin. Sulltanit i duhet vetëm pushteti./ Kapitali.al