Nga Mevi Rafuna
Na i shkëputën krahët dhe u bëmë tokësor, por rrallë herë njeriu arrinë që të fluturoj me krahët e shpirtit.
Rrugës tek eci, mbaj sytë te poshtë,
shoh vetëm këmbë njerëzish që ecin, dikush shpejtë, dikush ngadalë, dikush lakon hapin.
Dhe unë nuk arrij t’ja u shoh fytyrat,më kalojnë të njohur e të panjohur… kalojnë dhe ata që i njoh vetëm përmes ëndrrash.
Më shpejtë se hapat tonë, na shtyp koha,
tek sillem rrugëve të vjetra, ndjej një mllef përbrenda.
Dua ta arrijë kohën, ta shtyp, ta tejkalojë atë, kërkoj brenda vetes ca copëza hyjnore që mbetën nga zjarri i madh, kur u ngjiz shpirti im.
Për një çast lumturohem, kam përshtypjen se do ja arrijë qëllimit
por jashta meje është hapësira e mbushur me ndërtesa të mëdha si fantazma,
shpirti më therrë prapë
më duket vetja shumë e vogël
një grimcë jam
një grimcë
në këtë univers pa fill e pa fund.
Do tentoj prapë
unë jam Sizif i revoltuar.
Nuk do më përbijë mua pluhuri i kohës
jo jo
do bëjë magji
do i thërras forcat e panjohura
diku do dal
bota është e vogël
kërkoj shpirtat e ngjashëm me mua
t’i marrim më shumë jetës
e vdekjen mos ta ndiejmë.