Poezi nga Donika Dabishevci: A m’do?

-A m’do?
-Poooo…
-Sa?
-Çmendunisht!

Trupat akordohen n’simfoni hyjnore
tuj u mbërthye fort n’njani-tjetrin,
si me qenë çastet e fundit para apokalipsit.


-A m’do?
-Marrëzisht!

Jashtë lëshohet muzgu,
silueta t’çorodituna turren vrap shpellave t’tyne…
Mrena ora asht’ prishë,
akrepat janë thye, koha asht’ ndalë.

-A m’do?
-Dashni jete t’kam!
-Dashnia asht’ streha e shpirtit. Dashnia asht’ shpija! A m’do, pra?
-O t’du, dreqi e marrtë, t’du…përgjithmonë e përtej!
-A vdes për mu?
-Jo. Rrnoj për ty!