Nga Pablo Neruda
Ndonjëherë në jetë hasim një miqësi krejt të veçantë: dikë që befas hyn në jetën tonë dhe gjithçka e ndryshon tërësisht.
Është dikush që të bën të qeshësh pareshtur; dikush që të bën të besosh se në këtë botë paskësh mirëfilli gjëra të mira.
Dikush që të bind se një derë pret të hapet prej teje. Kjo është miqësia e përjetshme…
Kur ndihesh i trishtë dhe bota të duket e mugët dhe e djerrë, kjo miqësi e përjetshme ta ngroh zemrën duke e shndërruar botën e mugët dhe të djerrë papritmas në diç të shndritshme dhe kuptimplotë.
Kjo miqësi e përjetshme të ndihmon në çastet e vështira, në trishtime dhe turbullirat e jetës.
Edhe nëse largohesh, kjo miqësi e përjetshme të ndjek ngaherë.
Nëse e humbet rrugën, kjo miqësi e përjetshme bëhet ylli yt polar dhe ta ngazëllon shpirtin.
Kjo miqësi e përjetshme të merr për dore duke të thënë se gjithçka do të shkojë mirë.
Kur njeriu has një miqësi të tillë, gjithnjë ndihet i lumtur plot hare, ngaqë asgjëje nuk i druhet më.
Sepse kjo miqësi do të zgjasë përgjatë tërë jetës, ngase miqësia e përjetshme nuk ka fund.
Përktheu: Elvi Sidheri
*Titulli i origjinalit: “Disa miqësi janë të përjetshme”











