PULOVRA
-Tregim-
Skerdi u përkul mbi barin e njomë dhe dëgjoi mbas shpine disa hapa.
-Hej, dua të kalëroj atë puledrën atje tej,-dëgjoi një zë femre.
Ai ngriti kokën dhe para syve pa një vajzë të bukur me sy bojë qielli dhe flokë të verdha.
-Jo,- tha qetësisht Skerdi …
Ajo nuk priti që Skerdi të mbaronte fjalën, por shkoi drejt puledrës së re e të pamësuar dhe i brofi sipër. Pela e re nisi vrapin e saj revan dhe në pak minuta e hodhi tej përdhe vajzën mbi barin e njomë.Skerdi vrapoi drejt saj me frikën se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë, por, kur pa që ajo lëvizi, ndërroi rrugë dhe vrapoi drejt pelës….
-Stela, – hajde këtu,- i thirri ai. Pela turrfulloi dhe iu afrua Skerdit. Ai filloi t’i lëmonte kokën…
Vajza kryeneçe u ngrit dhe u largua pa e kthyer kryet mbrapa. Dukej që ishte fyer dhe kishte mbetur me sedër të vrarë nga fakti që nuk mundi ta kalëronte dhe ta sundonte pelën e re, ashtu siç kishte menduar. Kryeneçësia e saj i kishte kushtuar shtrenjtë dhe pela e kishte përplasur për tokë në pak çaste.
Skerdi kishte disa kohë që punonte si stallier në këtë kompleks hipizmi. Ai jetonte vetëm me gjyshen dhe me nënën e tij. Babanë nuk e kishte njohur. Kishte vdekur nga një sëmundje e pashërueshme dhe e kishte lënë shumë të vogël. Nëna nuk ishte martuar më dhe kishte rritur djalin e vetëm, Skerdin. Veç kësaj ishte kujdesur shumë për prindërit e të shoqit. Deri ditën që vdiq,gjyshi nuk e thirri kurrë nuse, por bijë. Skerdi ishte rritur në varfëri, por me dashuri dhe me shumë dinjitet.Vazhdonte universitetin si student i jashtëm. Kishte shumë dëshirë që t’i frekuentonte auditoret e universitetit ashtu si shokët e tin e të bënte edhe ai jetën e bukur studenteske, por i duhej të punonte, sepse kishte shtëpinë mbi shpatulla.
-Karlota, ku ishe moj bijë?- dëgjoi nënën t’i thërriste nga kuzhina.- Hajde të na tregosh ca se si shkoi udhëtimi. Si ishte ajo botë andej?
-Po,njerëz, moj grua, si të gjithë,- qeshi babai, duke shfletuar gazetën. Karlota u ul duke qeshur dhe filloi t’u tregonte për udhëtimin në Australinë e largët.U tregonte për kangurët, detin, ushqimet dhe ata e vështronin plot ëmbëlsi dhe dashuri.Ishin krenarë për vajzën e tyre. Ajo kishte mbaruar me rezultate të larta universitetin për veterinari dhe kishte shkuar një vit në Australi për të perfeksionuar më shumë dijet dhe studimet e saj, si dhe të pasurohej me anën praktike, duke punuar në një fermë. Prindërit e Karlotës kishin ndërtuar një fermë të bukur turistike, ku kishin edhe disa kuaj që i përdornin kryesisht turistët. Franko, i ati i Karlotës, ishte një ekonomist i zoti dhe kishte shfrytëzuar mirë një trashëgimi të një xhaxhai pa fëmijë, i cili kishte vdekur në Amerikë. Maria, e ëma,një grua sqimtare dhe shumë e bukur, merrej me mbarëvajtjen e familjes.
-Si po shkojnë punët në fermë?,- pyeti Karlota.
-Mirë, jo keq u përgjigj shkurt Franko.
* * *
Atë mëngjes Skerdi, para se të fillonte punë, shkoi të pinte kafe në lokalin e kompleksit. Aty u ul pranë një tavoline në fund, prej ku dalloi vajzën që kishte parë disa ditë më parë dhe i kishte marre pelën pa leje.Vështrimet e tyre u ndeshën dhe ajo buzëqeshi. Mbase është ndonjëra që ka ardhur me pushime, mendoi Skerdi, duke rrufitur kafenë. Në fund vajti të paguante kafenë, por djali në banak i tha që kafeja ishte e paguar, duke i bërë me shenjë nga tavolina e fundit. Skerdi u zu ngushtë dhe me një buzëqeshje gati të fajshme belbëzoi: Nga anët tona e kemi zakon t’ua ofrojmë ne kafenë vajzave,jo të na e ofrojnë ato. Karlota buzëqeshi dhe me natyshmëri i tha:-Ju lutem, nuk është asgjë.
Skerdi u drejtua për nga stallat të fillonte punën, por në mendje i mbeti buzëqeshja e saj. Mbase do të shfajsohet për kapriçion e djeshme,mendoi për një moment, pastaj rutina e punës e rrëmbeu dhe e harroi vajzën kapriçioze që i kishte ofruar kafenë. Ditët kalonin dhe Skerdi ishte i zhytur në jetën e tij të zakonshme, punë-shtëpi dhe deri vonë mbi librat.
-Po hë, more bir,- i thonte gjyshja ndonjëherë,- kur do na sjellësh ndonjë vajzë në shtëpi? Nëna do të të shohë dhëndërr para se të vdesë.
– Po ja, moj nënë,sapo ta gjej, je e para që do ta njohësh,- qeshte Skerdi. Atë mëngjes, tek po shkonte në punë,iu kujtua ajo vajza misteriose që kishte parë tek lokali, por që nuk ia dinte as emrin. Shkoi në stallat dhe, kur hapi derën e kafazit, pa që pela e re me emrin Stela,nuk ndiheshe mirë. Ishte shtrirë dhe shkumë të bardha i kishin mbuluar gojën. Skerdi lajmëroi shpejt për situatën dhe i dëshpëruar filloi t’i jepte ndihmën e parë me aq sa dinte. Ishte i mbuluar me djersë tek masazhonte Stelën, kur dëgjoi nga mbrapa një zë femre.
-Sa kohë ka që ndodhet në këtë gjendje?-pyeti e porsaardhura.
Ktheu kokën dhe pa atë vajzën. Po kjo, ç’do këtu, mendoi me vete. Ti këtu?- deshi t’i thonte. Por ajo nuk i la kohë as të mendonte më tej e as të fliste.
-Më sill ca ujë të ngrohtë,- i tha atij, ndërsa nga çanta nxori një serum. -Siç duket ka helmim Stelina,-shtoi duke u marrë me pelën e re. Ishte kaq e sigurtë në lëvizjet e saj, sa Skerdi po habitej.
-Ahh, unë jam Karlota, -tha shpengueshëm ajo pasi mbaroi së vëni serumin.- Kam mbaruar për veterinari dhe ka disa ditë që punoj këtu,-shtoi pa e zgjatur ajo.
-Gëzohem,unë jam Skerdi,stallieri,-u prezantua ai.
-Të presim sa të mbarojë serumin Stela,- tha Karlota dhe mblodhi krahët kryq, duke e shoqëruar gjestin me një bërrr. -Sot është freskët. Skerdi,sikur të njiheshin prej kohësh, hoqi pulovrën e tij dhe ia hodhi krahëve. Sytë e tyre u ndeshën dhe Skerdi e uli vështrimin si i zënë në faj. Sa sy të bukur që ka, mendoi vetëtimthi,ndërsa dëgjoi zërin e ëmbël të Karlotës, që i tha:- Faleminderit, dola menjëherë sapo më lajmëruan dhe nuk munda të marr asgjë. Tani po e ndjeja që është një çikë ftohtë…Stela u çua në këmbë dhe dukej shumë mirë. Ajo e përkëdheli puledrën e dukej që i donte kafshët, ashtu siç e donte edhe profesionin e saj, sepse ishte nisur me urgjencë pa u kujdesur për veten. Kur pa që Stela filloi të lëvizte lirshëm, Karlota iu drejtua Skerdit: -Mendoj se tani e meritojmë nje kafe… – Faleminderit, por unë kam shumë punë,- gënjeu Skerdi.-Po këtu jemi dhe raste do të kemi plot… E vërteta ishte se ai po ndihej shumë mirë në praninë e saj dhe gati kishte frikë nga kjo gjë. Ndaj preferoi ta evitonte një vajtje në bar sëbashku me të. Ndërsa vajza i buzëqeshi natyrshëm, duke e vështruar drejt e pa ndrojtje në sy dhe, pasi e përshëndeti, i ktheu krahët e doli, duke harruar të hiqte pulovrën e tij.
Atë mbrëmje, kur u kthye në shtëpi, Skerdi ishte si shumë i përhumbur në mendime. Nuk mbaroi as pjatën e tij të preferuar, që nëna kishte gatuar enkas për të. Puthi nënën dhe gjyshen, duke u thënë: -Po shtrihem se jam i lodhur… Por në të vërtetë nuk arrinte të mendonte asgjë tjetër përveç Karlotës.Në mendje i vinin gjithnjë sytë e saj të bukur, zëri aq i ëmbël kur fliste, sjellja dhe lëvizjet aq të natyrshme. Me po atë natyrshmëri kishte pranuar edhe pulovrën e tij që të mbrohej nga të ftohtit e mëngjesit. Atij i vinte për të qeshur se në orët e para ai kishte punuar duke e ndjerë mbi trupin e tij freskun e atij mëngjesi, por pastaj ishte nxehur në punë e sipër.I dukej sikur tek pulovra ishin duart e tij që mbulonin kujdesshëm supet e vajzës.
* * *
-Mama, sot isha nga stallat se më njoftuan që puledra Stela nuk ishte mirë, kishte patur një helmim. Takova atë djalin që punon aty.
-Ahh Skerdin, -u përgjigj Maria. -Është djalë shumë i mire.Punon e studion njëherësh. E ka marrë shtëpinë mbi shpatullat e tij, sepse huk e ka të atin. Është djalë i zgjuar dhe i edukuar. Pas këtyre fjalëve ajo kërkoi vështrimin e Frankos, si për të marrë edhe mendimin e tij. Ai ngriti sytë nga pjata dhe, duke buzëqeshur tha: -I the vetë të gjitha, nuk kam çfarë të shtoj unë më tepër… Karlota qeshi dhe përqafoi mamin. I adhuronte prindërit e saj dhe raportin që ata kishin mes tyre. Ndërkohë që po e përqafonte, mamaja ngriti sytë dhe e vështroi me vëmendje. Pastaj iu drejtua:- Po ti me këtë pulovër, nuk e shikon që është për meshkuj? Vetëm atëherë Karlota u kujtua që kishte ende supeve pulovrën që i kishte hedhur me delikatese Skerdi. Nga që bënte fresk e kishte mbajtur pa kuptuar mbi supe derisa u kthye në shtëpi. -Ahh,-qeshi ajo duke e vështruar pulovrën.-Kur më njoftuan dola me shpejtësi pa e vënë re që ishte freskët dhe nuk kisha marrë ndonjë gjë të ngrohtë me vete. Atje në stallë bënte ftohtë e ai djali më hodhi pulovrën e tij. Po më vjen të qesh se harrova t’ia kthej. Do ketë mbërdhitur gjatë punës…
-E shikon sa i sjellshëm?- tha Maria. -Përpara një vajze të bukur si vajza jonë s’ka si të mos jenë të sjellshëm djemtë,-qeshi i ati.
* * * Skerdi po pinte me të shpejtë si çdo ditë tjetër kafenë para se të fillonte punën, kur pa të hynte në bar Karlota.
-Mirëmëngjes,- përshëndeti ajo duke buzëqeshur.- Isha një çikë e shqetësuar për Stelën,do të doja ta shikoja pak.
-Po ti ulu një herë e pi një kafe. Këtë radhë kam kënaqësinë ta ofroj unë. Atje do shkoja edhe unë. Po të duash shkojmë sëbashku,-tha Skerdi. Karlota u ul pa hezitim dhe porositi kafenë. Tek bisedonin ajo nxori nga çanta pulovrën dhe ia zgjati duke qeshur.
-Të falënderoj shumë. Kushedi sa të kam bërë të mbërdhasësh atë ditë,-i tha duke ia zgjatur pulovrën.
-Pa merak. Nuk kam mbërdhitur aspak. Kur më rrëmben puna, nuk e ndjej të ftohtit fare. Pastaj është më e rëndësishme të mbrohet nga e ftohta një lule siç jeni ju,-guxoi të shprehej ai, pa e kuptuar as vetë se nga i erdhi ky guxim. Karlota u ndje mirë nga ky kompliment dhe buzëqeshi lehtë, duke e falënderuar me sy,sepse u gjend e pa përgatitur. Pinë kafenë dhe u nisën drejt stallava. Kur shkuan aty, gjetën Stelën tek vraponte në lëndinën përpara stallave. Dukej sikur nuk ishte ajo që para pak ditësh dergjej e helmuar. Ishte një pelë e vogël në rritje të shpejtë, por shumë elegante në lëvizjet e saj. Vrapi i saj sikur shkonte në harmoni me erën e lehtë që luante me jelen sikur e krihte me dashuri. Ngjante më shumë me një balerinë elegante në pistën e vallëzimit. Karolinës i ndritën sytë kur e pa. Ishte aq e lumtur që e kishte shpëtuar pelën e vogël, sa nuk u përmbajt dhe përqafoi Skerdin në mënyrë të papritur e krejt të pafajshme. Ai ndenji i palëvizur dhe disa mornica i përshkruan trupin. Ia vuri edhe ai duart mbi shpatulla lehtë, por pa iu përgjigjur tamam përqafimit të saj. Karolina e puthi në faqe dhe i pëshpëriti në vesh: -Pasdite të pres në tarracën e kompleksit për të pirë një gotë verë dhe për të festuar bashkëpunimin tonë të parë. Pas këtyre fjalëve ajo qeshi dhe u largua. Skerdi ndenji i palëvizur dhe pohoi me kokë. Qëndroi si i hutuar për disa kohë dhe akoma nuk po i besonte momentit që kishte kaluar. Erdhi ne vete veç kur dëgjoi një zë që i foli:
-Lart i ke hedhur sytë, o Skerdi. Ishte xha Shemja, kopshtari që i kishte duart flori.
-Pse,- pyeti i befasuar Skerdi?
-Si pse? Ajo është e bija e pronarit të kompleksit. Nuk e dije këtë? -Unë nuk e njoh,-foli Skerdi si i zënë në faj dhe atëherë u kujtua që as nuk ishin prezantuar më gjatë se sa t’i shqiptonin emrat njëri-tjetrit. Një morì mendimesh i erdhën njëherësh. Joo, ai nuk mund të dilte me vajzën e pronarit. Ai vinte nga një familje e thjeshtë, as shkollën e lartë nuk e kishte mbaruar akoma…Jo, Jo …Kështu fliste me vete djali i turbulluar nga ato që kishte dëgjuar. Xha Shemja, që kishte kuptuar ç’po ndodhte me Skerdin, iu afrua dhe e ftoi të uleshin në një stol. Nxori çibukun e mbushi me duhan,e ndezi dhe filloi të tregonte: -Kur u njoha me Letin,time shoqe, sapo isha liruar nga ushtria. Nuk kisha as punë, as shtëpi dhe asgjë. Isha marrëzisht i dashuruar me të dhe ajo me mua. Një mbrëmje, tek po shetisnim, i thashë: Të dua më shumë se jetën dhe dua të martohem me ty.Nxora nga xhepi një mollë dhe ia zgjata. Nuk kam unazë që të të kërkoj dorën dhe nuk kam asgjë tjetër për të të ofruar, i thashë.
Leti, që ishte një vajzë e zgjuar përveçse e bukur, mori mollën, e ndau më dysh, gjysmën ma dha mua dhe u përgjigj: Mua më mjafton kjo gjysmë molle. Unë dua të jem nusja jote. Ja, kur dikush të do, mjafton edhe një gjë e vogël për t’u lidhur. Kemi 45 vjet sëbashku me Ledin,krijuam familje, lindëm fëmijë, ndërtuam shtëpi e jetuam të lumtur. Nëse dashuria është e sinqertë, asgjë nuk e ndal. T’i thashë këto fjalë sepse të pashë pak të turbulluar. Nuk ta thashë për të të trembur faktin që ajo është vajza e pronarit. Ata janë familje shumë e mirë, njerëz që sillen thjeshtë dhe ajo duket vajzë shumë e mirë…
Pas këtyre fjalëve xha Shemja i rrahu lehtë supin dhe me çibukun në gojë iku andej nga kopshtet, ku e priste puna e tij.
Skerdi ishte akoma i hutuar dhe imagjinonte Karlotën në vend të Letit e veten në vend të xha Shemes. Fundja, përse duhet të ndruhem, tha me vete. E aty për aty vendosi që të shkonte ta takonte Karlotën tek tarraca. Ishte akoma me rrobat e punës e nuk kishte kohë të shkonte të ndërrohej në shtëpi. E përmblodhi veten dhe në mënyrë instiktive pa orën. Po bëhej vonë. Vështroi edhe një herë veten e nuk iu duke se ishte veshur keq. Mori pulovrën që e kishte varur diku dhe e hodhi supeve. Iu duk më e bukur dhe më e dashur se herët e tjera. Është pikërisht ajo që më duhet, tha me vete dhe u nis pa humbur kohë. Mbrëmja po binte e bukur e lulet që nga kopështi i xha Shemes kundërmonin parfum dashurie.
Vita Blloshmi











