Votimi i detyruar !?

Përktheu, Simon ULNDREU

Ndërsa në shumicën e vëndeve, votimi është një e drejtë që qytetarët mund të zgjedhin ta refuzojnë, ka disa vende ku votimi është i detyrueshëm.
Diskutimi rreth votimit të detyrueshëm nuk mund të jetë një tabu, pasi në disa vende ai ka dhënë ndikime interesante në zhvillimin e demokracisë dhe të shoqërisë.

Aktualisht janë rreth 30 vende në mbarë botën në të cilat qytetarët që kanë të drejtë të votojnë janë subjekt i detyrimit për të votuar. Ato përfshijnë vende të mëdha si Brazili, Turqia, Egjipti, Australia, Italia, por edhe vende më të vogla si Belgjika, Greqia apo Luksemburgu. Në shumicën e vendeve, qytetari kërcënohet me gjobë, por kjo zakonisht nuk zbatohet. Megjithatë, është evidente që votimi i detyrueshëm në shumë vende çon në një pjesëmarrje të lartë në votime.
Vendet me votim real të detyrueshëm:
Në vijim dëshirojmë të paraqesim disa shembuj të vendeve në të cilat detyrimi ligjor për të votuar zbatohet realisht dhe në rastin më të keq mosvotimi mund të përfundojë me burg.
▪︎Türqia: Tetë euro gjobë!
Votimi i detyrueshëm në Turqi u prezantua në vitin 1986. Në parim, votimi i detyrueshëm përfshin gjithashtu edhe rreth 1.4 milionë turq me të drejtë vote, rezidentë në Gjermani. Megjithatë, mungesa e tyre në zgjedhje nuk është penalizuar. Por kushdo që jeton në Turqi dhe bojkoton votimin, duhet të paguajë një gjobë prej tetë eurosh. Pjesëmarrja në votime në Turqi ka qenë rreth 86% që nga futja e votimit të detyrueshëm. Por kjo pjesëmarrje është akoma mjaft e ulët në krahasim me vendet e tjera ku votimi është i detyrueshëm.
▪︎Bolivia: Pezullimi i llogarisë bankare.
Në Bolivi, jovotuesit paguajnë një gjobë për herën e parë që nuk votojnë. Nga ana tjetër, jovotuesit e përsëritur rrezikojnë t’u konfiskohet karta personale ID, ose t’u bllokohet llogaria bankare.
▪︎Australia. Modeli australian mund të konsiderohet një model transformues, të cilin Barack Obama mendoi t’a prezantonte edhe në SHBA gjatë fushatës së tij të fundit zgjedhore. Edhe në shumë vende të tjera po diskutohet futja e votimit të detyrueshëm sipas modelit australian.
Në Australi, votimi ka qenë i detyrueshëm për qytetarët që nga viti 1924. Ky model bazohet në humbjet e mëdha që pësoi vendi në Luftën e Parë Botërore. Rreth 60,000 Australianë ranë në luftë. Për të nderuar këtë humbje, akti i votimit të detyrueshëm është ngritur në një detyrë patriotike simbolike. Nëse një australian qëndron larg qendrës së votimit për herë të parë, duhet të paguajë një gjobë prej 20 dollarësh. Kushdo që në mënyrë të përsëritur nuk merr pjesë në zgjedhje mund të përballet edhe me dënim me burg. Australianët i janë përgjigjur pozitivisht votimit të detyrueshëm. Pjesëmarrja e votuesve nuk ka rënë më poshtë se 92 për qind që nga vitet 1960 dhe votuesit protestues ndaj këtij detyrimi, marrin pjesë gjithashtu në zgjedhje thjesht duke hedhur vota të pavlefshme. Megjithëse vetëm rreth 3 për qind e votuesve e kanë bërë këtë në vitet e fundit. Mund të supozohet gjithashtu se votimi i detyrueshëm dhe fshehtësia e votës ka një ndikim elektoral negativ në partitë populiste, pasi partitë populiste në Australi kanë marrë jo më shumë se 1 përqind të votave në zgjedhjet e fundit.
Vendet me votim të detyrueshëm simbolik:
Në vendet me votim të detyrueshëm simbolik, ligji e bën të detyrueshëm pjesëmarrjen në zgjedhjet politike, por sanksionet e kërcënuara me mosvotim nuk zbatohen më.
▪︎Belgjika nuk aplikon më sanksione. Votimi ka qenë i detyrueshëm në Belgjikë që nga viti 1893. Personat me të drejtë vote që nuk marrin pjesë në zgjedhje mund të gjobiten deri në 50 euro. Ata që nuk votojnë kërcënohen të hiqen nga regjistri zgjedhor. E megjithëse sanksionet me të tilla kërcënime nuk zbatohen më, pjesëmarrja në votime në Belgjikë është akoma rreth 90%.
▪︎Luksemburgu, pjesëmarrje e lartë.
Zgjedhjet janë ende të detyrueshme me ligj në Luksemburg, por mosvotimi nuk është penalizuar që nga viti 1964. Pjesëmarrja në votime është ende mesatarisht 95%.
▪︎Në Itali, votimi në zgjedhjet politike është një detyrë qytetare. Këtë e parashikon neni 48 i Kushtetutës. Megjithatë, votuesit italianë nuk kanë frikë nga mungesa në votime, pasi ajo nuk penalizohet me ndonjë masë konkrete.
Ndërsa vendet po ndeshen gjithnjë e më shumë me pjesëmarrje të ulët në votime, diskutimi rreth votimit të detyrueshëm nuk mund të jetë më një tabu. Por cili është çmimi që paguan një vend kur vendos votën e detyrueshme? A mund të konsiderohet kjo si një shkelje e të drejtave të njeriut, të parashikuara në Ligjin Themelor?
Prej shumë vitesh, qytetarët në mbarë botën kanë luftuar për të drejtën e votës – dhe ende e bëjnë këtë. E drejta e votës është një nga pasuritë më të mëdha të një demokracie. Një e mirë që shumë qytetarë e marrin si të mirëqenë. Kjo është arsyeja pse votimi është i detyrueshëm në disa vende, ndërsa në disa vende të tjera, tema vazhdon të diskutohet.
Ashtu si në Zvicër, e cila nga njëra anë admirohet për referendumet e saj dhe nga ana tjetër vuan nga pjesëmarrja e ulët në votime, saqë vazhdimisht ngrihen zëra që kërkojnë vendosjen e votimit të detyrueshëm.
Por a duhet të bëhet një e drejtë detyrë? A është vërtet demokratike dhe pse po diskutohet tashmë votimi i detyrueshëm?
Së pari duhet të ketë një përkufizim: Çfarë do të thotë në të vërtetë votimi i detyrueshëm?
Votimi i detyrueshëm detyron të gjithë votuesit me të drejtë vote të votojnë në zgjedhje. Kushdo që nuk respekton këtë detyrim mund të penalizohet.
Siç e thamë më lart, ka shtete në të cilat votimi i detyrueshëm është më shumë i karakterit simbolik. Nga ana tjetër, ka edhe shtete në të cilat dënohet mungesa në votim. Ekziston rreziku i gjobës në Turqi, ngrirja e llogarisë në Bolivi dhe burgimi në Australi.
Rreth 30 vende anembanë botës kanë futur tashmë votimin e detyrueshëm dhe shumë të tjerë po e diskutojnë atë. Mbrojtësit e votimit të detyrueshëm theksojnë domosdoshmërinë e rritjes së pjesëmarrjes në votime. Me këtë, ata godasin një pikë shumë të ndjeshme, zgjedhjet shpesh vuajnë nga një pjesëmarrje e papërfillshme, e cila mund të bëhet edhe problem legjitimiteti…

Kundërshtarët e votimit të detyruar, nga ana tjetër, theksojnë se votimi i detyruar përbën cenim të të drejtave personale të qytetarëve.
Këto dy qëndrime janë të kundërta dhe të papajtueshme. Megjithatë, diskutimi ka nevojë të jetë i thellë, i paanshëm, gjithëpërfshirës dhe në interes të zhvillimit të demokracisë nëpërmjet vënies në provë të vetë legjitimitetit të saj…