Më dhimbsen poetët aq sa i lakmoj/ Poezi nga Mevi Rafuna

Nuk është e lehtë ta shfaqësh shpirtin në letër.

Sikur të ishte e lehtë të gjithë do të ishin poetë.

Ndoshta do ishte më mirë,

bota do të ishte ndryshe.

Do pinim verë më shumë,

do vallëzonim më shumë,

do dashuronim më shumë.

Do ecnim këmbëzbathur pa patur frikë,

se do therreshim.

Të gjithë do të ishin miq.

Do thureshin aq shumë vargje,

sa që toka do merrte pamjen e një libri.

S’do kishte nevojë për transport

sepse poetët arrijnë ku të duan përmes shpirtit

pushtojnë Olimpin e Hadin

saqë dhe Perenditë i kanë zili.

Edhe djalli do të jetë si ata.

Krijojnë çfarë të duan,

ëndërrojnë çfarë të duan.

Gënjeshtrat i thurin aq magjishëm!

Më dhimbsen poetët aq sa i lakmoj,

i kam zili lotët e tyre margaritarë,

i adhuroj britmat e tyre që qajnë qiellin.

Nuk është e lehtë ta shfaqësh shpirtin lakuriq.

E kush mundet ta bëj këtë veç poetëve.