Luçiano Boçi
Babëzia dhe egoja e sëmurë e Edi Ramës për të kapur çdo pushtet dhe kufizimi i çdo mediumi për të thënë i lirë dhe i pavarur atë që sot po ndodh në Shqipëri, po e çojnë vendin në zgrip të kufizimit të demokracisë si kurrë më parë.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit praktikisht ka rrëzuar një qeveri të kalbur që qëndron ende në pushtet me forcën e parave të pista dhe shpërdorimit të çdo resursi shtetëror sa herë që ka procese zgjedhore.

A ka sot Shqipëria drejtësi të pavarur ashtu siç parashikohet në kushtetutë? “Presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raportin e DASH.

A ka sot korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes? “Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private”, thuhet në raportin e DASH.

Por e dhëna më shqetësuese në raportin e DASH, lidhet me gjendjen e medias në Shqipëri! “Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”. Rasti më flagrant i përmendur në raport është ai i shembjes së “Prestige Resort”, të pronarit të “Focus Media Group”, Irfan Hysenbelliu, në dhjetorin e vitit të kaluar!