Nga Edison Ypi
Lana jo. Me gjithato ujra, këllira, ura, tuba, gjiriza, s’bën për grua dredharakja Lana.
E buta Buna s’ka këllira. Por as shkodrania Buna s’bën për grua. Se Buna ka dy burra, Kirin dhe Drinin.
Vjosa po. E hirshme, e rrjedhëshme, rretheqark me male që i bëjnë lajka, nga koka te këmbët, nga burimi në det, dridhet dhe derdhet e tëra. Por Vjosa ka të meta. Vjosa shoqërohet vetëm me meshkuj. Me Leskovikun, Dhëmbelin, Mifolin, Detin. Vjosa është si interneti të cilin të gjithë e përdorin, pronari s’i dihet, ndërsa Vjosën të gjithë e duan, burri s’i njihet. Pastaj, Vjosën nuk e zë kurrë gjumi. S’rrihet zgjuar me grua nat’-e-dit’ me mijra vjet.
Nëmërçka më serioze se Vjosa. E palëvritshme, e hajthme, me pyje, me dëborë në majë, me dhi’ të egra. Por tepër e re për grua Nëmërçka. As tre milionë vjeçe.
Divjaka çka. Divjaka ka dy të dashur; Shkumbinin, i cili prej shekujsh i lutet gjithë ditën më gjunjë me lum’ lotësh, dhe gjumin me të cilin dremit gjithë natën. Pra të dashurit e Divjakës nuk janë meshkuj të rrezikshëm. Por halli me Divjakën është se ajo ndritet dhe zbukurohet, ndizet dhe derdhet, në kohën më delikate, kur erret. S’mbahet e tilla për grua.
Për bijëzën e Divjakës, Karavastanë, s’bëhet fjalë me e pas’ grua. Karavastaja dit’ e nat’ e lagur duke u përdredhur mes ujrave, myshqeve, peshqve, gjarpërinjve, ngjalave, gaforreve.
Perria Llogoraja po. Por ka karaburun brënda. Pis xhelozi Karaburuni s’e lëshon si qeni pas qefit. S’ka kirurg shkëmbinjsh t’ja nxjerri Llogorasë karaburunin të më fusë mua.
Puka si Puka. E lagur e tëra. Gjeografia e qefit të saj mund të shëtitet vetëm nëpër ëndërra. Ta shohësh nazelie Pukën plot me ujvara, të kapin drithmat.
Krraba, si krrabë që është, të lë tërë jetën duke dyshuar. Por Krraba ka një të mirë që të lë pa ment. Mbi Krrabë mund të shohësh gjithçka; Peqinin, Paprin, Baldushkun, Vrapin, Rrogozhinën, deri të pafundmin detin.
O Krrabë hyjnore. Pa ty jam qiell pa blu, det pa tallaz, qymyr pa furrë, materie pa gravitacion. Thuam se më do. Fol’ pra fol. Klith pra klith. Hidhmi mua të gjitha ankesat, nazet, meraqet, dhimbjet, ankthet, sëmundjet, recetat, ilaçet, farmaqet. Dhe të vdes unë për Ty. Tani që dheu po tundet, tempujt po shemben, qielli po çahet, Zoti po trembet. Tani në këtë muzg të përgjakur plot me shqiptarë të çmëndur poetë të pa shprehur.











