Nga Edison YPI
Qeveria ime do ketë prioritet largimin urgjent të budallenjve nga jeta publike. Arritjen e këtij objektivi madhor me rëndësi historike kombëtare, qeveria ime do ta bëjë ashtu si budallenjtë e meritojnë: Me krematoriume hitleriane, furra gëlqereje, turra drush, helmime, heje mbi prush, mbytje.
Qeveria ime do ta zhduki hajdutllëkun duke i shkulur hajdutëve duart, këmbët, kokën, rrushin.
Qetësinë publike qeveria ime do ta vendosi duke pasur parasysh se autorët e krimeve nuk janë shkak, janë pasojë. Shkakut të krimeve, që janë llapaqenat e kudondodhur, qeveria ime do u japi pare të rrinë në shtëpi dhe jo t’ja shurdhojnë bythën miletit duke dalë nëpër banaqe televizive apo duke shkrujt nëpër gazeta.
Qeveria ime, si çdo qeveri, do ushtrojë dhunë.
Dhuna e qeverisë time do ushtrohet mbi ata që brenda një viti nuk lexojnë të paktën pesë romane, nuk mësojnë përmendësh dhjetë poezi, nuk shkruajnë njëzet letra me zarf. Bastardat që nuk do plotësojnë këto kushte kaq të thjeshta të qeverisë time, qeveria ime, pa ja bërë tërr syri, do t`i kapi për leckash do ti hedhi mes lepujve dhe gjarpërinjve të helmatisur në Sazan. Po hodhën ickla, do i hedhi në det ushqim për peshqit.
Strategjia e Turizmi të qeverisë time do detyrojë 1 mijë kilometra në vit për çdo shqiptar. Sedentarët e pa kurueshëm, ata që këtij detyrimi do ti bishtnojnë, do dërgohen të bëjnë punë vullnetare me kazëm e lopatë në veprat infrastrukturore të qeverisë time derisa t`i marri malli për ndonjë udhëtim andej nga Mokra ose Puka.
“Ministria e faqes së zezë”, që do jetë njëra nga ministritë e qeverisë time, do mbajë gjithë kohën në thep-shqekëz gomerët të cilëve u duket sikur kanë shpikur rrotën duke sharë ambasadorët. Për tja arritur këtij qëllimi, ajo ministri, ata hajvanë, do ti mbledhi si mbledh Bashkia gomerët e braktisur anës rrugës për ti bërë sallam.
Rrugët që do ndërtojë qeveria ime nuk do jenë autostrada, nuk do kenë tunele gjigande, ura madhështore. Rrugët e qeverisë time, do jenë rrugë të asfaltuara me shumë kthesa për të mos u bërë të mërzitëshme gjatë udhëtimeve turistike.
Disa nga rrugët që do ndërtojë qeveria ime dhe do ndjekin shtigje mushkash, do jenë;
Labinot-Shëngjergj, Velçan-Kodovjat, Lenie-Qaf Plloçë, Qukës-Zavalinë, Vithkuq-Mulliri i Hambullës, Frashër-Ersekë, Çesma me Ballkon-Qafa e Kiçokut, Gramsh-Lapardha, Vrap-Peqin, Pezë-Rrogozhinë, Shpirag-Ballsh, Kroi i Kuq-Fush Studë, Vermosh-Theth, Kalaja e Dodës-Lurë.
Fjala “Populli” që duket si top me mut, do ndalohet me ligj. Do zëvendësohet me fjalën e pastër “Shqiptarët”.
Qeveria ime do kujdeset për vdekjet, funeralet, varrosjet. Tani që përvojë ka, qeveria ime do ndihmojë gjithkend që me vullnetin e vet dëshiron të kalojë në jetën tjetër duke e hedhur:
Në kazanin e plehrave nëse i vdekuri në fjalë është mendjemadh.
Në mes të zjarrit nëse është poet.
Në mes të turmës nëse është shkrimtar.
Brenda pusit nëse është historian.
Në fund të detit po qe arkeolog.
Qeveria ime do përkujdeset edhe për festat.
11 pridhi do shpallet “Dita e Kurvit”. Gjatë ditës së kurvit shqiptarët do jetojnë si në kohën e dashnores së Dem Xhepës. Do veshin lecka. Do mbathin shapka. Do përdorin brekë të grisura. Do hanë bukë të zezë me spango dhe insekte brenda. Për mëngjez do pijnë një gotë çaj. Për drekë, fasule. Për darkë, përshesh me kos. Dieta spartane e një dite në vit nuk përbën asnjë rrezik se do u bëhen gratë kurva. Po edhe po u bënë s’ka problem. Kemi dashnoret që mezi na presin. Gruaja ime dashnorja jote, gruaja jote dashnorja ime, s’ësht’ keq.
Gjatë Ditës së Spiunit që qevetia ima do ta caktojë ditë feste, shqiptarët e etur për spiunim do kenë rastin dhe fatin ta spiunojnë njëritjetrin hapur, për qef, për sport, për shfryrjen e instinkteve shtazarake shqiptareske pa pasur nevojë të hyjnë duke u dridhur në ndonjë zyrë, e as të përkulen si pikëpyetje para ndonjë sporteli, si dhe pa asnjë pseudonim, apo frikë se pseudonimin mund tua shpikin ata që hapjen e dosjeve e kanë bërë biznes.
Ditë feste do jetë gjithashtu dhe “Dita e Qenit”, pra dita që qeveria ime do ja blatojë asaj që ndër shqiptarë nuk vdes kurrë; besnikërisë qënërore proverbiale me Mik, Besë, vrasje në mesnatë me hekur prapa kokës, gjak, gjakmarrje, ngujim, etj.
Përdoruesve të shprehjeve të neveritshme; “Unë si artist, “Unë si intelektual”, “Për mendimin tim”, “Personalisht mendoj se”, “Jam i mendimit që”, Unë këtu e këtje, un’ kështu e un’ ashtu, pra brroçkullarëve autoreferencialë, qeveria ime do ua shqyejë gojën deri te veshët si bënin kompraçikosët, duke i bërë mutërit në fjalë të gjithë Guimplenë.
Bartësat e patriotizmit folklorik shqiptaresk, burracakët me shkaba, çifteli, lahuta, rapsodët e verbër me qen pranë, dhe të tjerë të këtij kallëpi, qeveria ime do i zhduki nga faqja e dheut duke i hedhur ata në turrë drush, simbolet e tyre në hale.
Prralla e qeverisë time, se populli i ka qef përrallat, do jetë një përrallë e pafundme me shumë përralla brenda, çdo mbrëmje nga 1, në përputhje me humoret e majmunëve që ende shohin televizor.
Ëndërra e qeverisë time do jetë; Shqipëria ime me sa më tepër shqiptarë që lexojnë libra seriozë, mësojnë zanate, udhëtojnë nëpër katunde, hanë byrek me spinaq, pijnë dhallë, i deh aroma e Blirit, i përlot ardhja e Pranverës.











