Nga Edison YPI
Një fëmijë, të cilit, motra infermiere në Gjermani, atij dhe familjes së tij, u ka përmirësuar dukshëm jetën.
Një tjetër fëmijë të cilit çuni i tezes i ka marrë vëllain në Angli ku së bashku kanë ngritur një shtëpi bari dhe fiton aq shumë sa paret i mbledh me fshesë.
Një tjetër kalama të cilit goca e hallës i punon “me ngritje” në Milano dhe shpreson që pas pak do i marri dhe mamin për tu marrë me të njëjtën punë për të fituar aq pare sa duke mos mundur milionat t’i numurojë, vetëm do i peshojë sa kilogram janë.
Këta dhe të tjerë si këta, s’është çudi që pakngapak, i pari të fillojë të ndjehet gjerman, tjetri anglez, i treti italian e kështu me rradhë, derisa Shqipëria të bëhet Babel dhe shqiptarët kërcunj që i shkul era dhe i merr lumi i çon në det.
Në këto rrethana, që Himni Kombëtar të këndohet në çdo klasë çdo fillim jave, duket iniciativa e duhur. Madje më e pakta që mund të bëhet që shqiptarët, këta nomadë të kohëve moderne me trup të lodhur, tru të shtrydhur, dhe ndjenjë kombëtare të bjerrun, vetdijën shqiptare sadopak të mund ta ruajnë.











