Nga, Elsa L. Sula
Historia dhe faktet na flasin për një shkëlqim të kahershëm të një ure me stil të veçantë të ndërtimit të saj.
Kryevepër inxhinierike e viteve ’30 të shek XX për Europën e ndërtuar në Veri të Shqipërisë.
Ura që asokohe u projektua dhe ndërtua me materiale të importuara nga Europa, shërbeu jo vetëm si pikë kyçe lidhëse mes zonave të veriut të vendit, por edhe simbol i ndërtimeve të veprave inxhinierike të atij stili.
Prej më shumë se njëzet vjet, Ura e Matit është Monument Kulture i Kategorisë së Parë, por sot pas më shumë se dy dekada kjo vlerë duket se e ka çmbrojtur, sepse gjendja në të cilën ndodhet kjo vepër arti, në historinë tonë moderne është e pafjalë dhe e patolershme për një shtet të pretendueshëm demokratik.
Nëse qëndrueshmëria e një populli është identitet që faktohet përmes gjurmëve historike dhe kulturore të një kombi, me historinë tonë moderne prej kartoni e ngjyrash fasadë po tundim themelet e historisë dhe shkatëtrrojmë identitetin, e me Urën e Zogut mund të humbin jo vetëm një copëz trashëgimie, por disa vlera njëherësh.
Kjo urë nuk pati fatin të ishte një kullë, pasi burokratisht ashtu mund të gëzonte mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe jo vetëm titullin që këto kohë nuk po i shërben aspak, mbase për kryearsyen e fortë të mungesës së meritokracisë në instancat përgjegjëse.
E siç populli ka thënë se dardha bie nën dardhë, burokracia pjell burokracira.
Kësaj vepre historike arkitekturore nuk i ka rënë shkëlqimi as sot që qëndron stoike mes vrullit të pamëshirshëm të lumit Mat, të cilit të pamëshirshmit e inerteve ia gërryen shtratin, si për të qenë të destinuar për të fshirë çdo gjurmë të mundshme që na lidh me të kaluarën.
Të jetuarit veç me këtë historinë e sotme nuk ka vlerë, sepse çdo “sot” pasohet nga një “dje” dhe pason një “nesër” e ne duhet të mbrojmë atë historinë e së djeshmes, për ta gëzuar sot e për t’ua lënë të tjerëve në vitet e ardhshme, por kjo ndodh vetëm kur gjërat duhen, ose bëhen sepse me të drejtë duhen dhe mund të ndodhë vetëm kur meritokracia të ketë vrarë burokracinë.
Për Urën e Zogut do jetë vonë dhe do të mbahet mend vetëm shkëlqimi dhe rënia e saj.











