Nga Artan FUGA
Imagjinoni sikur vetëm shqiptarët emigrantë që jetojnë nja pesë a gjashtë orë nga vendi i tyre i votimit në Shqipëri të kthehen për të votuar, çfarë energjie e pamatshme elektorale krijohet!
Një fundjavë në katër vjet t’ja rezervojnë Shqipërisë dhe interesave të tyre në Shqipëri, me këtë rast shohin edhe njerëzit e tyre, bëjnë ndonjë punë dhe çmallen!
Paratë? Ajo shumë që duhet për të marrë autobuzin nga Greqia, ose Tragetin nga Italia t’ja heqin dërgesave në parà që u bëjnë të afërmëve në Shqipëri!
Minimumi nja pesëqindmijë votues të ardhur nga Greqia dhe Italia!
E trondisin skenën politike të vendit, i japin goditje monopolizimit të pushtetit, ngjallin “të vdekurit”, ata që jetojnë në Shqipëri dhe nuk votojnë!
Këtu është rezerva e madhe elektorale e kombit shqiptar! Ky është hapi i parë!
Ky është shansi!
Fati i Shqipërisë është në duart e atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë!
Nuk bën katër orë rrugë për të ardhur për të votuar? Epo atëhere si mund të pretendosh se dikush emigrant do të vinte ta zemë nga Mynihu në Berlin për të votuar?
Kjo është vala e madhe!
Para se partitë politike t’i hyjnë utopisë për votën e emigrantëve atje ku janë, le të bëjnë një gjë më të thjeshtë : Të kujdesen që emigrantët që jetojnë jo më shumë se gjashtë orë me traget, tren, autobuz nga vendi i votimit në Shqipëri të vijnë për të votuar!
E harrojnë këtë !











