Nga Edlira Devolli LEKA
U bë dhe 8 janari për përkujtimore. Dita kur jeniçerët që ishin gostitur ndër vite me trofetë e pushtetit sulmuan për të mos e humbur kurrë atë. Marshalli mbërriti pak me vonesë. Në vend të shpatës lëshonte krahun për të treguar nga duhej sulmuar me krahëmarrje.
Koka e dashit gjëmonte tek godiste mbi dyert e fortifikuara. Ushtimat përplaseshin e shuheshin në muret e Xhamisë së Namazgjasë e në këmbanën e Katedrales Katolike. U përqesh bunkenrizimi me të cilin 8 janari mbeti një 2 prill pa viktima. Qëllimet si sot e 32 vite më parë, si sot një vit më parë.
Në 2 prill 1991 u duheshin treguar dhëmbët atyre që donin një sistem vërtet demokratik. Nuk mund të dorëzohej pushteti, u duhej enveristëve, u duhej ramizistëve, Gramozit me shokë , u duhej punistëve për të mbuluar krimet e sistemit, deri te më të fundit vrasje masive në kufi edhe atëherë kur ishte shfuqizuar akti për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Kaluan pak muaj dhe komunisto punistët ndryshuan emrin e partisë, u konvertuan në socialist, ndërruan edhe logon. Na treguan, na zgjatën një trëndafil në grusht. Tamam e gjetur, edhe grushtin edhe trëndafilin, dhe kamzhikun dhe karrotën.
Njësoj pas 8 janarit. Pushteti nuk duhej lëshuar. Duheshin përzënë nga sulltanati ata që kërcenonin, ata që kërcënonin pushtetin 30 vjeçar të edverëve, lirverëve, salverëve me shokë.
Në stadium duhej rithemeluar partia. Duhej kthyer logoja e dhjetorit 90. Duhen hedhur sehiret për tufat e ekzaltuara. Dhe Iliri do ndërronte emrin, do konvertohej në parti lirie.
Në zgjedhje me logon e Ilirit, dy këmbë urë, që as ka përfunduar e as do të përfundojë së ndërtuari.
Kapaku i pusetës së gjirizeve të pushtetit nuk duhet lejuar të hapet. Këtyre që i gënjen mendja se na rrezikojnë me mbështëtjen e “Daj Samit” u duhet treguar vendi. Amerika ka punët e veta, të pushkaton politikisht dhe ta lë kufomën pa varr. Ashtu jemi dhe ne, të vdekur e të pakallur. Nuk dorëzohemi e nuk lejojmë të na kërcënojnë për bëmat tona.
Ata pak shqiptarë që kanë mbetur le të rrinë te këmbët e urës që na pëshfaq logoja e “polit të lirisë” dhe të vështrojnë nga aty trëndafilin në grushtin mavi të socialistëve. Ne kemi mbretëruar e do të mbretërojmë.
Kaq mund të lexojmë dhe sot në përvjetorin e 8 janarit.