Nga Aleks Kapllaj
Elektorati i bardhë do të vendosë fatin e zgjedhjeve të ardhshme, si ato lokale ashtu edhe parlamentare. Nuk është gri, as i kuq e as i zi, as blu e as mavì, por është i bardhë elektorati i pavarur. Është i pastër e s’është as ushtar-militant, as shërbëtor, as servil, por është i bardhë se është roje i demokracisë.
Mos e ulni, mos e poshtëroni, mos e injoroni elektoratin e bardhë se ai është roje i demokracisë dhe pluralizmit në tanë botën, që kur lindi jo perfektja demokraci dhe nesër ju ndëshkon me votën e tij. Është i bardhë e i pastër, pa interes, pa servilizëm, pa zhurmë dhe dhunë fizike, politike e ekonomike.
Është aty tash mijëra vjet, që kur u shpik demokracia në Greqinë e lashtë të Sokratit, Platonit e Aristotelit në shpinë e vet. Mos e injoroni dhe mos nenvleftesoni forcën dhe rëndësinë e tij, sepse është i lirë elektorati i bardhë, sepse ai është kudo, në qytet dhe në fshat, në rini dhe në pleqni, në arsim dhe në shëndetësi, në turizëm dhe në bujqësi, në bregdet dhe në malësi, është i bardhë elektorati i pa parti. Ai ju sheh e ju studion dhe ju gjykon, ju injoron dhe ju mohon e në fund vendos e ju voton ose ju mohon, ju injoron dhe ju harron, sepse është i pastër elektorati i pavarur.
Duhet dëgjuar elektorati i bardhë se ai jeton i lirë me djersë dhe sakrifica, ndershmëri dhe në vetmi, bukën e tij e fiton vetë e nuk pret therrimet e mbeturinat e partive klienteliste, që u jepni ushtarëve tuaj idealistë të manipoluar. Nuk asht karrierist, e don vendin, shoqnine e tij dhe familjen, ka parti kombin e tij, elektorati i bardhë e nuk asht as i kuq, as i zi apo mavì e as blu safì.
S’ka rëndësi se a janë 30, 20 apo 10 në qind, por asht vendimtar elektorati i bardhë e nuk blehet e as manipolohet, nuk mashtrohet apo korruptohet as nga ushtarët, oficerët apo gjeneralët e kolonelët e Partisë, elektorati i bardhë. Një ditë do të jepni llogari para elektoratit të bardhë se ai është vendimtar për demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri.











