Nga Indrit VOKSHI
E pabesueshme.
Sali Berisha sillet si Nuri beu tek filmi me Kongresin e Lushnjes. E di që ia ka thënë “armiku” por ska gjetje më të mirë. Aty më shkoi mendja.
Prishjuni festën.
Nuk doja të shkruaja sot për të, meqenëse jemi në prag të festës së 28 nëntorit dhe nuk ka kuptim. Mirëpo e pamundur.
Sapo Glauk Konjufca thërret emrin Alibeaj, rebelohen deputetët salistë. Kjo në mbledhjen e paralmenteve Shqipëri-Kosovë. Jo nuk është ai kryetar grupi – bërtasin.
O zotërinj, o çuna, si e doni ju emrin: ligjërisht është ai, Alibeaj – shteti shqiptar atë njeh. Sepse shteti ka ligj mbi partitë, ka gjykata, ka kode, ka rrugë procedurale. Si mund t’i imponosh parlamentit; jo nuk është ai. Me çfarë tagri?
Parlamenti të thotë më sill emrin në mënyrë legale, ta ndërrojmë. E provuat në gusht për të bërë numrat ligjorë për të shkarkuar Alibeajn, nuk arritët, nuk u bë qameti. Pse bëni skandal në parlament?
Pse shkuat ju tek gjykata dhe kërkuat vendim nga Zhukri? Sepse edhe ju e dini se duhet të të njohë shteti.
Është shteti shqiptar që u shpall në 1912, jo shteti e Edi Ramës. Është ai shtet për të cilin u mblodhët sot aty, pse bini në paradoks, edhe përkujtohet krijimi i shtetit, edhe brenda të njejtës seancë, shteti i Edi Ramës. Ja do ikë Edi Rama, i kujt do jetë shteti?
Si bashkim vullnetar ka gjithkush të drejtën të tubohet, të deklarojë ne jemi e vërteta dhe jeta. Ndërsa për të hyrë në mardhënie me institucionet, ka ligje.
Themeloi edhe Petro Koçi “Partia Socialiste e Vërtetë”, mund të merrte militante nga PS-ja por legalitetin PS-së smund tia merrte. Kur ta zgjidhni legalisht çështjen, kërkojeni të drejtën; nëse u jepet ju ligjshmëria, do them unë i pari: ta gëzoni.
Tjetra: del Sali Berisha e deklaron Edi Rama i krimit, anti-shqiptar e të tjera. E dimë.
Por është mbledhje e kuvendeve Kosovë-Shqipëri z.Sali. Një ditë të vetme në vit, për hir të kësaj republike ku po jetojmë bashkarisht, mund të përcillen edhe mesazhe të tjera.
Duhet të jetë tmerr i madh të kesh qenë dikush dhe ta humbësh totalisht rëndësinë. Përfundon duke u sjellë si Al-Kaeda. Gjithkush duhet distancuar totalisht prej këtij modeli. Model humbës dhe i turpshëm.











