Eva Sinanaj: Edukimi i fëmijës është obligim prindëror!

Nga Eva Sinanaj

Me fjalë të thjeshta sociologjike i drejtohem individit social në shoqërinë tonë. I drejtohem lexuesit, që sa vjen dhe po bëhet më i paktë në numër. Dhe kryesisht i drejtohem familjes së sotme shqiptare, të cilën nuk e përcaktoj dot a është më tepër moderne se vetë moderniteti, a është tradicionale patriarkale kur e kërkon nusen të virgjër, a është instagramiane.

Në këtë shoqëri ku dhe koncepti i anomisë nuk gjen më vend, ku individët janë shpërndarë dhe nuk dinë se çfarë duan, ku fasada vlen më shumë se çdo parim, moral a vlerë shoqërore, vetëm rikthimi dhe edukimi familjar mund ta shpëtojë apatinë kaotike, e cila prek direkt ose indirekt të gjithë ne.

Panorama sociale verore deviante do të përsëritet ndoshta me ngjyrime edhe më negative në stinët në vijim, nëse nuk i kthejmë sytë tek edukimi dhe kultivimi normal qytetar familjar. Të dashur prindër, ju përpiqeni shumë të sillni në jetë, të edukoni, të rrisni fëmijët tuaj. Nuk ka rëndësi numri i tyre keni 1, 2 apo disa.

Secili prind pa dallim moshe, gjinie, feje, krahine, statusi social apo ekonomik dëshiron me zemër që fëmija i tij të jetë djalë apo vajzë i/e mirë, i/e mbarë, qytetar i ndershëm që sjell vlera dhe parime.

Për këtë përpiqemi të gjithë aktorët socializues, ju, shkolla, shoqëria etj. Ndoshta projektoni tek ata mangësitë e fëmijërisë suaj, por jo përherë rezultati është ai i dëshiruari.

Fëmijët e rritur kryejnë gabime. Ata mund të bëhen ajo anë e medaljes që sjellin devijanca sociale duke qenë vrasës, hajdutë, imoralë, përdhunues e shumë devijanca të tjera sociale. Prindi i pasviteve ‘90-të përballet me të tjera sfida shoqërore, andaj prindërimi dhe teknikat e tij shfaqen si një ekuacion me shumë të panjohura.

Secila familje ka rregullat e veta të pashkruara, por të gjitha familjet duhet të kenë “rregulla” universale të njëllojta. Prindërimi është proces që mësohet dhe është një detyrë që nuk mbaron kurrë.

Nuk e pyete fëmijën a ta sillje në jetë, andaj ke obligim ta pajisësh me “armatime” të rënda për t’i bërë ballë egërsirës jetë. Ke obligim të përkujdesesh për të, këtu nuk nënkuptoj t’i lash dhe hekurosësh teshat, ato mësoja t’i bëj vetë me kalimin e viteve, janë pjesë e rritjes së fëmijës drejt të qenurit i pavarur, përkujdes do të thotë sipas meje: Të mos ia ndash sytë te parku i lojërave.

Shikoj nëna që rrinë në celular në kafe dhe fëmija i tyre është aq larg sa nuk e kap dot as me vrap Të njohësh rrethin shoqëror të vajzës apo djalit tënd, të dish me kë rri, me kë çaton deri në të gdhirë, kë simpatizon. Njihi miqtë e fëmijës tënd, kështu do kuptosh më tepër dhe do mundesh të marrësh masat e duhura në kohë. Të kalosh kohë fizike me ta dhe të bashkëbisedoni. Gjithë bashkëbisedimi juaj duhet të jetë i hapur, i sinqertë, i vërtetë dhe i kujdesshëm.

Ta zësh kohën e lirë të tyre me aktivitete sportive, artistike, t’i shoqërosh për të shkuar atje dhe t’i presësh deri në përfundim. Përkujdesu të jetë me mësues të së njëjtës gjini, mundohu të shmangësh kurset individuale, përzgjidh kurse me bashkëmoshatarë, kështu shmang abuzimet e mundshme seksuale në faza të hershme fëminore.

Jepi një liri të kufizuar të moderuar. Jepi premtime që mund t’i mbash. Rrëfehu përpara fëmijës duke e bërë pjesë të asaj pjese të jetës tënde ku ata nuk kanë qenë pjesë.

Argëtohuni bashkërisht, nuk nënkuptoj këtu pushimet në det apo në mal apo ato drekat me mish të pjekur, nënkuptoj vajtje në kinema, opera, teatër etj. Besoji dhe jepi përgjegjësi të vogla, të ndihet mirë, i vlerësuar dhe i dobishëm.

Bëhu imazhi jo perfekt, por i denjë për të, nënkuptoj këtu që si nënë mos ta kesh fundin më të shkurtër se vajza dhe as thonjtë kilometrikë fosforeshente, si baba t’u largohesh veseve maskiliste të duhanit, alkoolit dhe bixhozit. Mbro fëmijën në çdo kohë dhe moshë që ai është.

Synimi prindëror duhet të jetë që ata të jenë të sigurt dhe të përgatitur, për t’i bërë ballë çdo rreziku jashtë porte. Mjedisi në shtëpinë tuaj duhet të jetë i tillë sa si djali edhe vajza të ndihet komod dhe rehat të shprehin dhe rrëfejnë sikur gabimin më të madh të kenë kryer apo dhe ndodhi pa ndonjë rëndësi të madhe.

Ky është “luksi” familjar. Nëse arrin këtë mjedis, ti ke bërë mjaftueshëm mirë një pjesë të detyrave të tua. Ke arritur të krijosh ndjesinë e shokut/shoqes për të.

Flisni për seksin pa tabu, mësojini të kryejnë marrëdhënie të mbrojtura seksuale, kjo shmang shtatzënitë e padëshiruara dhe jo vetëm. Nuk e di sa efikase është edukata seksuale në sistemet tona arsimore, por di që studentët skuqen nëse përmendet seksi si temë.

Tregojini se seksi është akti fizik, i cili duhet të jepet dhe merret me dëshirë dhe vullnet të lirë dhe është e mira e tyre shëndetësore të kryhet kur është arritur pjekuria fizike seksuale. Kujdesuni të kontrolloni se çfarë shikojnë fëmijët tuaj në tabletat inteligjente dhe adoleshentëve shprehimisht u tregoni se pornografia nuk është seks dhe dashuri, është film që shitet dhe jo domosdo çdo akt i saj duhet të ushtrohet në jetën reale.

Menaxhoni fantazitë e tyre seksuale, epshet e tyre të pakontrolluara dhe ju lutem flisni lirisht mbi sa më sipër. Ju jeni rojtarët e tyre, jo policia. Policia hyn në lojë kur dëmi kryhet, merr masat sipas ligjit dhe dosja mbyllet.

Po a mbyllen plagët e shoqërisë, viktimës dhe gjithë familjarëve? T’i rikthehemi familjes. Më mungon ecja për dore me tim atë kur më shoqëronte dhe më priste kudo. Nuk kishim telefona atëherë e sikur më të lumtur ishim dhe më mirë merreshim vesh.

M’i mësoi nëna përkujdesjet për shtëpinë, edhe pse kurrë nuk më lodhi me to, duke mos ngrënë asnjë minutë të studimit tim. Asnjëherë nuk fjeta në shtëpitë e shoqeve apo kushërinjve pa praninë e tyre. Përherë në derën e frigoriferit tonë kishte shënime se ku jemi dhe me kë. E ç’të them për fëmijët me mustaqe që pushtuan rrjetin. Jua mpiu trurin opiumi internet, jeta gangstere dhe videot porno pa limit.

Shijoni fëmijërinë, adoleshencën, rininë mbarë, mirë, drejt, me parime, norma dhe vlera qytetare të larta, pse e shkatërroni veten dhe individin tjetër. Të dashur prindër, kohët kanë ndryshuar dhe rreziqet janë shtuar.

E dashur familje shqiptare, largoje birin tënd nga llastimet dhe dukja. Angazhoje me diçka dobiprurëse për veten dhe për shoqërinë. Të dashur prindër, nëse e gjithë shoqëria, ligji apo çdo aktor tjetër social i kthen shpinën, e shan, e shpullos, e ul fëmijën tënd, ti je i vetmi që duhet ta mbrosh. Jo t’i mbulosh gabimet, jo ta justifikosh, por kurrsesi të bëhesh palë me kushdo qoftë që “vret” socialisht fëmijën tënd.

Ti je streha e tij nga lindja e deri në fund. Ti, vetëm ti, vetëm porta jote nuk do mbyllet kurrë për të, pavarësisht turpit, gabimit të pafalshëm, që jot bijë apo yt bir ka kryer. Ne do përpiqemi të gjithë së bashku t’i parandalojmë këto devijanca.

Lind pyetja si? Duke bërë detyrat prindërore, sociale dhe personalisht si profesioniste duke propozuar publikisht futjen e këshilltarit të familjes dhe martesës si pjesë e integruar e profesioneve sociale.

Nuk mjaftojnë vetëm shkrimet, duhen strategji konkrete të ndërmerren nga kush ka forcë vendimmarrëse. Sociologu jep panoramën fotografike që has lupa e tij, jep edhe propozime, pjesa tjetër është politikëbërje.

Zgjidhja dhe shpëtimi i shoqërisë është familja e shëndoshë. Neglizhencat, distancat burokratike prindërore, llastimet, modelet e deformuara sociale sjellin në mënyrë të paevitueshme zbrazëti tek secili individ. Nuk ka vend të bëjmë gjyqe kolektive morale, ka vend për reflektim social.

Ka vend për atë dashurinë njerëzore dhe të mbrojturit e familjes nga kushdo, pavarësisht gjithçkaje dhe gjithkujt. Mbro fëmijën tënd! Mos e vrit fëmijën tënd në asnjë rrethanë! Mos harro se kush je ti për të! Sot jam me ty që t’u dhunua vajza dhe me ty që t’u burgos djali. E keqardhur dhe shpresëplotë!

E juaja, sociologe Eva Sinanaj