Kiko është tashmë majmuni më i famshëm në Shqipëri. Lajmi se një majmun kishte dalë nga kafazi dhe kishte qëlluar me shpulla policët bashkiakë në Sarandë ditën e djeshme u bë viral shumë shpejt. Lidhur me këtë ka reaguar edhe biznesi, i cili ka në pronësi Kikon. Përmes një Instastory, pronari shprehet se majmuni është i familjarizuar me njerëzit.
“Përshëndetje të dashur miq, ky në foto është Kiko. Kiko është një majmun që ne prej vitesh e kemi, është i familjarizuar me njerëz, me njerëz që e duan dhe jo me njerëz që vrapojnë pas tij me shkopinj e gurë. Ne menduam se pas kaq vitesh në kafaz, do ishte mirë që të ishte i lirë. Nga dëshira e tij për të eksploruar vendin, ai del xhiro dhe kthehet prapë në shtëpinë e tij. Ai është majmun… po mbase nuk keni parë majmun…, por ju lutem e lini të qetë, në lirinë e tij… Ai e ka një shtëpi dhe një familje…!”, thuhet në reagimin e biznesit në Sarandë.










