Këngëtarja Fjolla Morina është rikthyer në rrjete sociale që pas daljes nga paraburgimi, pasi u dënua me gjashtë vite burg nga Gjykata e Kukësit, për “trafikim të armëve dhe municioneve” në Shqipëri.
Ajo publikoi në llogarinë e saj në “Instagram” një foto me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor. Në të, këngëtarja shihet së bashku me vajzën e dytë, Alayah, e cila nis klasën e parë.
Fjolla zgjodhi një kostum të bardhë për këtë ditë të rëndësishme të vajzës së saj, së cilës i bëri një dedikim: “Një fillim i ri sot për ty vajza ime e vogël. Jam shumë krenare me ty! Suksese për ty dhe për të gjithë fëmijët anë e kënd botës!”.
Por ndërkohë që ka fituar lirinë pas një arrestimi që avokati i saj e konsideroi çnjerëzor, duket se Fjolla ka humbur bashkëshortin Fisnik Syla, pasi po flitet se mund t’i kenë dhënë fund martesës. Biznesmeni ka fshirë të gjitha fotot nga profili i tij në “Instagram” dhe nuk e ndjek më vajzën e madhe të Fjollës, Ledianën dhe anasjelltas.
Çifti u martua në një ceremoni private në Maldive, ku i thanë “Po” përgjithmonë njëri-tjetrit. Megjithatë, duket se mes tyre kanë lindur disa probleme që sipas burimeve pranë tyre kanë të bëjnë me ca borxhe të Fisnikut dhe që i kanë detyruar të ndërpresin kontaktet.