Nga Indrit Vokshi
Sot po mendoja se Sali Berisha ngjan me personazhin Jozef K. në librin “Procesi” të shkrimatrit Franc Kafka.
Jozef K-së i montohet një proces. Nuk i tregohet kurrë se cila është akuza. Klika e fshehtë brenda sistemit e cila i kishte montuar përndjekjen e përndjekin dhe e sorollasin, e detyrojnë të gjejë avokat, të përgatisë mbrojtjen, pa i treguar cila është akuza konkrete e cilin nen ka shkelur. Thjesht i thuhet “Ti je fajtor”.
Në fund, Jozef K. i lodhur e i sfilitur, i rënduar psikologjikisht e i pashpresë, shkon me vetëdije jashtë qytetit, në natën e shkretë, dy xhelatë e shoqërojnë dhe pasi e shtrijnë dhe e zhveshin, nxjerrin thikën. Aty ata e vrasin dhe kur po ia ngulin thikën, nuk e kam kuptuar aq qartë a ia ngulin vetëm ata apo edhe vetë Jozef K, kap thikën me duart e tij dhe duke u bashkuar me ata, vret veten! Bashkohet me ta në vrasjen e tij.
Vetë sekretari Blinken ka deklaruar se nongrata kundër tij është përgatitur nga lajmet e medias, raportimet e organizatave joqeveritare dhe të dhënat e qeverisë.
Pra Klika mediale dhe e spiunazhit në Tiranë, kanë montuar procesin e përndjekjes, kanë projektuar se Berisha, njëlloj si Jozef. K, do të bashkohet me ta në vrasjen e Sali Berishës. Kërkojnë që Berisha të ikë vetë. Dmth të bashkohet me ta, të kapin bashkarisht thikën dhe ta ngulin në trupin e Sali Berishës. Sepse pa u zhdukur Berisha, ata nuk bien rehat, nuk gjejnë qetësi.
Mirëpo ata kanë haruar vetëm diçka; Kanë harruar se këtu nuk jemi në romanin e Kafkës. Kanë harruar se Sali Berisha nuk është personazh letrar i krijuar nga një shkrimtar çek. Sali Berisha ka një popull, ka një parti dhe, edhe në humbjen e vet në 2013, ka marrë 683.000 vota. Harrojnë se gjysma e popullit në Shqipëri dhe më shumë se gjysma në Kosovë e Maqedoni e thërrasin “Luani i Shqipërisë.” Harrojnë se janë 622.000 vota në zgjedhjet e fundit, njerëz të cilët e pranonë PD-ne me Berishën deputet. (përjashto blerjen dhe manipulimet).
Klika, pasi pa reagimin e fortë në mbrojtje të Berishës, u habit tepër.
Rinisi propagandën duke thënë sa pa ikur Saliu, PD nuk i fiton zgjedhjet. Qëllimi i propagandës është të mashtrohen demokratët, tu thuhet se po deshët të fitoni, duhet të shporrni Berishën.
Pra, sipas tyre, demokratët dhe shqiptarët duhet të besojnë se media, organizatat joqeveritare dhe qeveria të cilat bashkarisht kanë hartuar dosjen kundër Berishës, dëshirojnë fitoren e PD-së?! Kurrë. Asnjë demokrat nuk e beson se Rama me median dhe ojf-të e tij, dëshiron fitoren e PD-së.
Ata thjesht i kanë përgatitur PD-së një skenar krize dhe përçarjeje, ndarjeje në dysh, me qëllim për ta ndarë PD-në në dy LSI të cilat, Partia e Ramës i merr herë njërën, herë tjetrën.. në koalicion.
Kur ky skenar nuk ecën ashtu siç duhet, shpallet se kjo parti, këta demokratë, janë kafshë të prapambetura, janë budallenj, janë militantë të verbër të cilët nuk e dorëzojnë Berishën! Po pse duhet ta dorëzojnë Berishën? Ta dorëzojnë se siç tha vetë Blinken, media, ojëf-të dhe qeveria i kanë përgatitur dosje?
A duhet demokratët t’i nënshtrohen medias proqeveritare dhe ojf-ve qeveritare? Po këta janë armiqt historikë të demokratëve, si mund ta dorëzojnë demokratët Berishën sepse ua kërkojnë armiqt historikë?
Nga ana tjetër, po ta shikoni me vëmendje, ata të cilët kërkojnë largimin e Berishës, nuk janë demokratët por, janë njerëzit të cilët nuk kanë qenë kurrë me PD-në. Ose kanë qenë një stinë dhe janë larguar drejt partive dhe organizatave të tjera. Demokratët nuk e kërkojnë largimin e tij, ndërsa këta e kërkojnë. Dmth këta që nuk janë me PD, dëshirokan fitoren e PD, më shumë se ata të cilët militojnë në PD? Kurrë.
Eshtë thjesht klika mediale dhe e spiunazhit të cilët ngaqë nuk munden ta rrotullojnë dhe ta ndikojnë PD-në ashtu siç dëshirojnë, kërkojnë të largohet ai i cili i pengon në qëllimet që kanë!
Si përfundim, PD nuk fiton asgjë nga goditja e brendshme e Berishës. Fiton thjesht përçarje dhe ndarje. Se zgjedhje jo e jo. Eshtë mashtrimi i sofistikuar. Për më tepër, nëse një parti i nënshtrohet shantazhit me bar tek shkallët e saj, të gjithë do ta humbin respektin për të. Do paraqitej si parti leshkosh dhe njerëzish pa shtyllë kurrizore.
Lidershipi i gjerë, mund të jenë edhe leshko edhe pa shtyllë kurrizore, nuk është çudi. Por nuk guxojnë sepse kanë frikë nga demokratët.
A duhet luftë me Amerikën? Jo. Askush nga PD, sidomos në opozitë, nuk ka dëshiruar një luftë shtesë, me një kundërshtar edhe më të madh siç është segmenti i cili drejton sot Departamentin e Shtetit. Se segmenti i Hillary Clinton psh nuk e shpalli nongrata edhe pse kishte kohë për ta shpallur, nga nëntor 2013, deri në nëntor 2016. Mirëpo kur të vjen lufta tek dera, nuk ke çfarë i bën.
Meqenëse thuhet se Berishën e mbrojnë ata që kanë përfituar prej pushtetit të tij, po sqaroj se as kam përfituar, as përfitoj e as do të përfitoj asgjë nga Berisha. Po sqaroj gjithashtu, se përfituesit e pushtetit të tij, nuk po e mbrojnë Berishën. Po e mbrojnë demokratët e paprivilegjuar. E mbrojnë thjesht sepse nuk duan të shikojnë PD-në të poshtëruar dhe të gjunjëzuar nga shantazhi i klikës mediatike e të spiunazhit, media dhe ojf-ve të cilat, siç tha Blinken, kanë përgatitur dosjen “Berisha”.