InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home InfoPress

Populli baltën, Qeveria mjaltën | Nga Petrit Brahollari

27 Gusht, 2021
in InfoPress, Opinione
A A
Populli baltën, Qeveria mjaltën | Nga Petrit Brahollari

Nga Petrit Brahollari

Zoti i bëri këtij vendi detin, i bëri lumenj, liqene dhe ujë si kristal që burojnë anë e kënd Shqipërisë. I bëri fusha, kodrina dhe male të lartë që puthin qiellin. I dha pyje me bimësi të gjithëllojshme dhe pasuri nëntokësore me bollëk. Bëri gjithçka si me porosi, por nuk bëri dot një bark që të pillte udhëheqës të denjë për të drejtuar popullin me drejtësi e dhembshuri. Të paktën ta donin dhe do të merrnin respektin që iu takonte prej tij.
U rropat për pesë shekuj dhe nuk pa një ditë të bardhë fatziu shqiptar.
Vendi nuk ka lëvizur. Është po ai, qysh nga dita që Europa e ndau në katër pjesë. Ky vend i vogël të cilit nuk i ndahet ndarja edhe sot kur i zgjatin thonjtë dhe e gërvishtin. Kohët ndryshojnë bashkë me udhëheqësit që lindin me prirje sundimtarësh.
Ata lindin me anomali dhe kur ngrihen në këmbë i mbërthejnë duart te kolltuku dhe nuk shkëputen prej tij derisa plaken dhe iu ikën mendja.
Mynxyrat e kanë shoqëruar këtë vend kohë mbas kohe.
Koha e turkut dhe grekut të parë, e Italisë së parë dhe koha e shkjaut.
Koha e Nolit dhe koha e Zogut. Koha e Enverit të diktaturës dhe së fundmi, kjo e udhëheqësve me shumicë të demokracisë.
Koha nuk është e askujt. Udhëheqësit në kohë i kanë borxh popullit varfërinë. Varfëri në kohë lufte, skamje në kohë paqe.
Varfëri e varfëri pa fund, por këtë vend e hëngri më shumë paqja se lufta. Shpresa për të nesërmen nuk duket, e kur ajo humbet, gjithçka vdes.
Kur s’të mban vendi, nis braktisja. Ajo ka kohë që po ndodh.
Shpërngulje masive drejt Europës, shpërngulje dhe vrap në çdo skaj të botës. I shpëtojnë mjerimit mjekë dhe infermierë, lënë vendin pedagogë, inxhinierë, ekonomistë e mijëra intelektualë.
E braktis vendin rinia, që është e ardhmja dhe forca e gjallë e punës.
Fshatrat kanë firuar, fermerët s’e gjejnë më veten.
Gjithkush e ka mendjen jashtë vendit. Emigrimi shton rrjedhën.
Largim politik, largim ekonomik, largim psikologjik.
Pakica që ngelet janë mosha e vjetër bashkë me ushtrinë e të papunëve. Kokrra orizi janë shtesat për pensionet, ndërkohë që pensionistët nuk blejnë dot as ilaçet.
Nuk ngushëllojnë dot veten që nuk arrijnë të pinë ndonjë llullë duhan dhe iu vjen turp që urina iu pikon në brekë se nuk kanë lekë as për pampersa.
Prindër të varfër që rritin fëmijët me stresin e mangësisë në ushqime dhe s’u blejnë dot as abetaren e shqipes.
I çojnë në shkollë me përsheshin e qumështit prej komplekseve me lopë teknologjike.
Balta mjaltë është varfëria që ia gërryen shpirtin në shekuj shqiptarit.
Aq i varfër është ai sa ndahet nga jeta me pengun që nuk arrin të paguajë as faturën e varrimit.
Të mbeturit e pafuqishëm përpiqen të mbajnë traditat, zakonet dhe gjuhën. Të larguarit i marrin me vete ato.
Të ikur e të mbetur lexojnë poetët e rilindjes.
“Balta më e ëmbël se mjalta”.
“Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë.”
Balta mbeti baltë, jo e ëmbël si mjaltë.

2.
Zonja nuk u duk kurrë. Shqiptarët e kanë në shpirt atdhedashurinë, të quajtur balta-mjaltë. Por ajo është nëpërkëmbur ndër kohëra.
E dhunoi diktatura e mbi kurrizin e saj bie pa u ngopur edhe shkopi i shtetit demokratik. Kjo zonjë e rëndë nuk i mëkoi dot bijtë e saj ndaj dhe ata po e braktisin duke grisur testamentin e varfërisë.
Njeriu nuk ka dy jetë, një për veten dhe tjetrën për baltën e helmuar.
Jeta është vetëm një. Frashërllinjtë, Qemalët e Boletinët i dhanë këtij vendi pa kërkuar asgjë në këmbim.
Kurse udhëheqësit tanë bindin shqiptarët se iu ngjajnë atyre dhe iu gjejnë vend në mur për t’iu vendosur fotografitë.
Rruga e duhur nuk është ajo që thonë, por ajo që përshkojnë makinat e blinduara drejt resorteve gjigande të kësaj dinastie mjaltore.
Largimi i elitës dhe të rinjve është kosto për vendin.
Ata që mbeten janë të përhumbur bashkë me baltën.
E tashmja po tretet dhe e shkuara po vdes.
Rrënjët e Shqipërisë po sëmuren dhe mjekët po largohen që të shërojnë botën. Udhëheqësit nuk i shqetëson shpërngulja e madhe.
Ata kanë vilën në kopshtin përrallor të modeluar nga ustai i hajdutërisë.
Ata s’e ndiejnë rënkimin e Lulit të vocërr. Këtyre rënkimeve iu qëndrojnë si re mbi kokë për t’iu rrëmbyer dhe rrezet e diellit. Tashmë vetëm dielli ka mbetur pa u grabitur për ta bërë mjek personal të pavdekësisë. Udhëheqës bëhet gomari, bëhet edhe breshka, mjafton që të kenë prejardhje udhëheqësish apo devotshmëri partiake; të jenë të bindur e servilë ndaj krye-udhëheqësit dhe të imitojnë huqet e tij.
E kush nuk është bërë udhëheqës në këtë vend, nga fusha, mali, fshati dhe qyteti? Është bërë karrocieri, brigadieri, saldatori etj.
Janë bërë udhëheqës, por nuk kanë drejtuar.
Vendin e ka drejtuar ai që ka qenë dhe është në krye, dhe populli e thërret me emrin e komandantit.
Komandanti i mban afër udhëheqësit, i mbron nga populli kur i kritikon, ulet me ta dhe dashit që kanë përpara i lëshohen deri në brinjën e fundit.
Kush nuk i shikon çfarë janë dhe çfarë bëjnë!
Kjo që shikojnë nuk është ajo që i duhet vendit i cili po arratiset i lemerisur.
Vazhdimësi komuniste në një demokraci pa alternativë.
Dhe një parlament monist me garniturë demokratësh të stisur që nuk përfaqësojnë askënd.
Një vend pa drejtësi që s’i hyn në punë kushtetuta.
Enveri vdiq, por enverët e vegjël u rritën dhe u bënë burra; kurse vogëlushet enveriste, gra të mëdha.
Masën e zgjedhës për qafën e popullit e kanë të gatshme nga babai shpirtëror.
Ia vendosin atë dhe kënaqen që i rri mirë.
E kanë kollaj se populli e ul qafën vet.

3.
Spiunët e vjetër vdiqën, të tjerët u verbuan, pasardhësit spiunë u rritën. Jetë stresi dhe e padurueshme. Spiunët e sotëm janë graduar me ligj.
I shkreti popull ka frikë mos i shpëton ndonjë nga ato pa dashje, ka frikë të ngrejë zërin ndaj grabitjes së detit, naftës dhe çdo pasurie nga qeveria me oligarkët. Dje kishte frikë të flinte se spiunët i dëgjonin ëndrrat, sot ka frikë të rrijë zgjuar se raportohet dhe dënohet me burg për të ashtuquajturën shpifje.
Të jetosh mes spiunësh dhe bij spiunësh, enveristë dhe bij komunistësh kërkon durimin e këtij populli.
Të rrosh a të mos rrosh. Nuk të ndalon kush.
Rri e vuaj ose ik e mos kthe kokën prapa.
Nëse ke durim, hidhi sytë nga ekrani e ksehasu me udhëheqësit shakaxhinj e bejtexhinj, pordhacë me pantallona xhins e xhupa firmato, hajdutë me pulovra lajlelule dhe kumarxhinj me atlete “Nike” e “Adidas”, bile dhe nga ata me poture të traditës.
Për thjeshtësi shquhej udhëheqja e djeshme, e kollarisur me stofin e Stalinit dhe populli me gojën e opingave të qepura me tel.
Ndërsa udhëheqja e vazhdimësisë e ka çuar popullin te “gabi” ku me ndonjë lek të zhubravitur përpiqet të blejë brekë e kanotiere të mbledhura nga mbetjet apo të vdekurit e botës.
Nuk është dhe aq e thjeshtë që ta largosh pushtetin nga mjalta.
Do forcë që t’ia shkëputësh duart nga hojet.
Ajo mungon. Muskujt e këtij populli janë këputur.
Dashurinë që ka për udhëheqjen, ajo ia kthen atij në dashuri për kolltukun, se prej kolltukut i vijnë gjithë të mirat.
Një fije shprese duhet të ketë ngelur te Zoti që nuk do t’ua falë perlën e dhuruar hajnave që e kanë bërë pis.
Të grabitësve dhe shpërdoruesve që kanë marrë rolin e Zotit dhe s’kanë qenë asnjëherë në rolin e zotërinjve.
Të jesh zotëri është vlerë.
Rrokja e parë “zot” nuk i takon askujt.
Udhëheqja e Enverit lëshonte tanke dhe autoblinda në parada për të trembur revizionistët dhe populli mjeran i hidhte trëndafila podiumit për të gëzuar fitoret e arritura. I duartrokiste ata që “punonin aq shumë dhe kishin bërë popullin të lumtur”.
Udhëheqësit e kohës moderne të demokracisë nuk kanë punë me armiqtë e dukshëm, por me të padukshmin armik.
Autoblindat zhurmojnë dhe i frikësuari i padukshëm pale ku është strukur. Populli i paketuar në karantinë e di që korona virusi nuk luftohet me barut, por duke e trembur si dje revizionistët.
Edhe populli kur ngrihet kundër keq-qeverisjes nuk goditet me frikën e armëve, por me autoblindat e frikës.

4.
Ushtri e armatosur, polici e krekosur, popull i trembur.
Kot harxhojnë karburant për autoblindat, më mirë t’i hedhin një kothere bukë të zbutur me ujë, që të mbajë shpirtin gjallë.
Virus i padukshëm pandemie, virus i dukshëm urie, truri i mpirë dhe vaksinë për mirëqenien s’ka. Ajo që mungon është shumë e më shumë. Ajo është shuplaka e popullit. Shuplakë si ajo e Skënderbeut që guxoi dhe iu kundërvu sulltanit, shuplakë e fortë në fytyrën e sulltanëve shqiptarë që bëjnë qëndresë në kalanë e parasë, të sulltanëve që s’iu hyn në punë populli, që kullandrisin pasuritë e grabitura dhe nga fortesat luksoze nuk iu bën përshtypje mjerimi epidemik i vendit.
Po ku është ai Skënderbe ndryshe nga kjo racë, kur do dalë një burrë që t’i ngjajë atij dhe të marrë në dorë fatet e vendit për ta bërë ashtu siç e meriton dhe për të vlerësuar perlën e dhuruar nga Zoti.
Një herë u ngrit populli kundër udhëheqësit sundimtar, disa vite pas vdekjes së tij, dhe i hoqi zvarrë shtatoren.
Ngriti dy gishtat lart dhe kujtoi se shpëtoi.
U përgjum aq shumë dhe harroi se përbindëshat kur plagosen të shqyejnë më keq. Këlyshët e rritur me qumështin e tyre marrin veset e nënës me dhëmbë edhe më të mprehtë.
Vendin po e shtrëngon diktatura.
Për drejtësi as që bëhet fjalë.
Asnjëherë s’ka qenë kaq i poshtëruar shqiptari.
Ia hoqën dhe dinjitetin.
Duket që është i zemëruar dhe nuk jeton dot në vendin e vet me aq andralla sa të zënë frymën.
Shpërthen në urrejtje e prapë duron. Të do edhe po nuk i dhe.
Nuk e ngre zërin edhe kur e rrahin.
Ul kokën e murmurit me vete se ai që të rreh të do.
Një proverb nga vet goja e tij.
Madje edhe kur ia marrin frymën, ikën i qetë se shpëton nga hallet.
Bashkë me frymën marrin fund dhe vuajtjet.
Largohen nga vendi me brengën për baltën shqiptarët.
Rrinë pranë baltës me shpresën për mjaltën.
Në atdhe është dhe balta dhe mjalta.
Mjalta për mbretërinë e arinjve qeveritarë.
Balta për mallin e poetëve të Rilindjes.

Të Lidhura

Një dedikim për ty, babi!
Opinione

Një dedikim për ty, babi!

13 Shtator, 2025
Shqipëria dhe ministri i saj i AI-së
Opinione

Shqipëria dhe ministri i saj i AI-së

12 Shtator, 2025
Shqipëria dhe dashuria e vjetër BE, më mirë syri se nami
Opinione

Shqipëria dhe dashuria e vjetër BE, më mirë syri se nami

12 Shtator, 2025
Nga Era Dushi: Këtë shtator vendosim në plan të parë marrëdhënien prind-fëmijë!
Opinione

Nga Era Dushi: Këtë shtator vendosim në plan të parë marrëdhënien prind-fëmijë!

5 Shtator, 2025
Ermal Spahiu: Varësitë që “infektojnë” një shoqëri.
Opinione

Ermal Spahiu: Varësitë që “infektojnë” një shoqëri.

31 Gusht, 2025
Ekrani i heshtur dhe matematika e medias
Opinione

Ekrani i heshtur dhe matematika e medias

10 Gusht, 2025

TË FUNDIT

Temperatura deri në 31°C, parashikimi i motit për sot
Aktualitet

Temperatura deri në 31°C, parashikimi i motit për sot

21 Shtator, 2025

HOROSKOPI I DITËS, e diel 21 Shtator 2025
Horoskopi

HOROSKOPI I DITËS, e diel 21 Shtator 2025

21 Shtator, 2025

Ish-ambasadorja Yuri Kim mbyll karrierën diplomatike
Aktualitet

Ish-ambasadorja Yuri Kim mbyll karrierën diplomatike

20 Shtator, 2025

Rama: “Diella” do lindë fëmijë në maternitetin e AI, i duhen bashkëpunëtorë
Aktualitet

Rama: “Diella” do lindë fëmijë në maternitetin e AI, i duhen bashkëpunëtorë

20 Shtator, 2025

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com