Të flasësh për Lekë Vatnikaj’n është sa e thjeshtë, aq dhe e vëshirë; e thjeshtë, sepse në takimin me të manifestohen vlera të njeriut me cilësi të dëlira e të karakterit malësor, e vështirë se me pak fjalë, duhet të përmbledhësh një sërë arritjesh që ai ka në fushën e ligjit e sidomos të veprimtarit shoqëror, në dobi të njerëzve dhe të komunitetit ku jeton.
Janë kontributet e tij jo vetëm në punën e zakonshme si noter, ku ai u shërben me kompetencë ligjore njrerëzve, por sidomos në fushën e aktivizimit shoqëror, gjë që ka bërë që t’i jepet votëbesimi për të qënë 15 vite anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Kamzës si dhe anëtar i Qarkut të Tiranës po kaq vite.
Këto vite aktive në përvijimin dhe ngritjen me guxim të shumë problemeve në dobi të mbarëvajtjes së punëve, janë të mbushura me shqetësimin e një njeriu të drejtë dhe të interesuar që çdo problem të ndiqet nga instancat përkatëse dhe zgjidhja e tij të sjellë dobi për qytetarët.
Duke dëshmuar vlera dhe mirësi, guxim dhe intelektualizëm, rrokje të problemit që në fillesë, kuptim dhe çfarë mundësie gjendet për ta shtjelluar atë në kushtet e dhëna, rrethanat ligjore etj, Vatnikaj ka spikatur si një këshilltar i zoti jo vetëm si debatues, por edhe si interpretues ligjor, në mënyrë që gjithçka të zgjidhet në kohë e sa më shpejt.
Të gjitha këto vlera të tij, të manifestuara për një kohë të gjatë, të bërë pjesë e motos së tij të punës dhe të programeve të harmonizuara, bënë që Leka të propozohej për titullin “MIRËNJOHJA E QYTETIT TË KAMZËS” dhe ky titull të miratohej unanimisht dhe t’i akordohej nga kryetari i Bashkisë së Kamzës.
Një titull i tillë është jo vetëm nderim, por edhe detyrim moral, për të mos e ulur tempin e aktiviteteve dhe të projekteve në dobi të qytetarëve, këtë Vatnikaj e thekson me forcë.
Duhet thënë se Vatnikaj, ka një begraund të pasur në jetën e tij prej veprimtari të palodhur.
Bir i Currajt të Epërm, zona prej nga vjen, një nga perlat e natyrës shqiptare, ai ka dhënë ndihmesë kryesore në hapjen e rrugës për në Curraj të Epërm prej 13 km e gjatë. Është një nga iniciatorët dhe organizatorët për hapjen e kësaj rruge, e cila është shembull i mirë dhe i lakmueshëm sesi mund të hapet një rrugë e tillë vetëm me kontributin e komunitetit, pa asnjë ndihmë nga shteti.
Si katolik i devotshëm Leka, ka vazhduar gjithë punën dhe e ka nxitur interesimin e tij në shpalosjen e vlerave të kësaj feje dhe kulture të madhe, duke u ndalur në njohjen e prelatëve katolikë që u persukutuan dhe u goditën pa mëshirë nga regjimi komunist me “fajin” e tyre të vetëm se kishin kulturë dhe donin Perëndimin.
Qëllimi i Lekës për të shpluhurosur nga harresa figura të tilla të katolicizmit si: Gaspër Thaçi, Patër Prendushi, Çun Sadiku etj nuk mbetet thjesht në kuadrin e një bisede të thjeshtë, por ai materializohet edhe në artikujt e tij të shumtë mbi këtë temë, të botuara në shtypin qëndror, sidomos në gazetën “Koha jonë”.
Si njeri me vlera dhe modest, Leka nuk flet shumë për vete, por vetëm nëse do të mundesh t’i integrosh pyetjet që ai të flasë natyrshëm, por teksa e pyesim për këtë Mirënjohje të Qytetarisë dhe Bashkisë Kamëz, ai thotë:”Falemnderit për këtë Titull Bashkisë Kamëz.
Në Kamëz i mbusha 24 vite jetë e veprimtari,15 vjet si anëtar i Këshillit Bashkiak e si anëtar keshillit Qarkut-Tiranë dhe tani 6 vite si noter.
Sërisht do t`i shërbej me përkushtim qytetit tim. Urime dhe suksese Kamzës sonë, këtij qyteti që rritet çdo ditë dhe bëhet më i bukur”.
Fjalët e Lekës shprehin simbiozën(bashkëjetesën ose bashkëlidhjen dhe kohezionin) e njeriut profesionist, po edhe të njeriut që jeton çdo ditë me shqetësimet e qytetarëve dhe kjo e bën atë një personalitet të kultivuar, duke i dhënë hijeshinë dhe formatin modern të njeriut të sotëm perëndimor…