Mesazhi i qartë që duhet të prodhojnë zgjedhjet në PD

Nga Red VARAKU

Rezultati i deformuar i zgjedhjeve të 25 prillit ka prodhuar një realitet të ri politik në Shqipëri që e detyron Partinë Demokratike të llogarisë me shumë kujdes aksionin e saj politik dhe koston politike të një manipulimi zgjedhor .

Për pasojë, qëndrimi politik ndaj zgjedhjeve të 25 prillit është sot qëndrimi më i rëndësishëm politik për opozitën dhe i vetmi qëndrim ku aktorët e rëndësishëm politikë duhet të jenë të qartë dhe të bashkuar pa asnjë ekuivok.

Çdo qëndrim tjetër ose është naivitet politik ose është një qëndrim i sponsorizuar nga kundërshtarët e kësaj partie, sepse sado e maskuar qoftë, ka si qëllim vetëm përçarjen e kësaj partie.

Ndaj është me rëndësi jetike për opozitën që jo vetëm të mos e pranojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, por të qëndrojë me vendosmëri përballë faktit që këto zgjedhje ishin një masakër elektorale dhe të bëjë me kujdes llogaritë mbi pasojat e asaj që është deformuar.

Nëse dikush tenton të devijojë nga ky qëndrim dhe kësisoj të pranojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, në fakt po bën një vetëvrasje të pastër politike, sepse po vetëdiskretitohet si vegël e pushtetit, që po përdoret si kamikaz kundër opozitës.

Në kushtet e një përpjekje të hapur për të asgjësuar opozitën dhe në kushtet e një masakre elektorale të gjithëpranuar, zgjedhjet në PD janë dhe duhet të mbeten një proces rutinor që duhet respektuar thjesht për shkak të afateve, por ato nuk duhen konsideruar kurrsesi si një frëngji nga ku mund të vritet pabesisht kauza më e rëndësishme opozitare, që është vjedhja e zgjedhjeve.

Sigurisht , janë të mirëprituara kritikat dhe qëndrime të caktuara në lidhje me çështje problematike të drejtimit të PD, që duhet thënë që në PD ka mjaftueshëm duke filluar nga mungesa e meritokracisë , por është vetëvrasje politike që këto kritika të shkojnë kundër qëndrimit politik të opozitës në lidhje me këto zgjedhje.

Është e papranueshme që në vend të një analize të kujdesshme dhe në vend të një kritike konstruktive për problematikat reale që u hasën gjatë këtyre tetë vjetëve, ky proces të kthehet në një linçim politik dhe poshtërues të Lulzim Bashës bazuar në të njëjtat akuza që i bën dhe kundërshtari ynë politik, sepse kështu ky është një dëm i madh që i bëhet opozitarizmit dhe një shërbim i jashtëzakonshëm për këtë regjim.

Ndaj është me shumë rëndësi që të peshohet me kujdes çdo qëndrim dhe të refuzohet me neveri çdo aludim i ulët, në mënyrë që këto zgjedhje të mos prodhojnë një çarje të PD, përmes krijimit të opozite të re të pranueshme për qeverinë, e cila të shërbente si presion për zëvendësimin e opozitës reale, siç ndodhi me opozitën parlamentare pas djegjes së mandateve.

Për këtë arsye këto zgjedhje duhet të kthehen në një gjest mobilizimi të madh nga ku PD, jo vetëm të mos përçahet, por të dalë edhe më e fortë dhe më e bashkuar se ç’ishte.