Kreu i PD, Lulzim Basha ka shkuar sot në Malësinë e Madhe, ku u është drejtuar me një mesazh qindra qytetarëve që kishin dalë ta takonin dhe i afronin mbështetjen e tyre.
“Në veçanti ju djem e vajza të Malësisë së Madhe, krenaria e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, faleminderit për mikpritjen, – tha Kryetari i PD-së. – Në këto 30 vite, vendi ynë është përballur me sfida të mëdha. Shpesh herë politika i ka ndarë njerëzit në llogore, por kurrë më parë nuk kanë qenë shqiptarët kaq të bashkuar sa sot.
Tetë vite ka ky njeri që mban peng vendin, që i ka shndërruar pasuritë e Malësisë në pasuri private. E bëri politikën e pistë, sepse erdhi me premtime të mëdha, dhe me paturpësinë më të madhe i braktisi.
Do të mbahet mend si fushata e parë dhe e fundit kur kryeministri u kthye në satelit të kryeministrit të ardhshëm.
Banorëve të Malësisë së Madhe, Shkodrës e Shqipërisë nuk u shpjegon dot pensionistëve pse i gënjeu 8 vite.
Asnjë fjalë për t’iu shpjeguar studentëve që i degdisi në sistemin më të falimentuar universitar me ligjin më primitiv dhe zero mbështetje financiare, s’ka si t’u dale përpara fermerëve, u hoqi edhe subvencionet, i zhyti në varfëri me çmimet më të larta të taksave dhe naftës; nuk del dot para të papunëve, biznesit të vogël, minatorëve, punonjësve të turizmit, ka dështuar në çdo fushë.
Koha e tij ka marrë fund, dhe sot e di Malësia e Madhe, Shkodra e gjithë Shqipëria. Një ditë e re po vjen, një ditë e politikës së re, e vendimmarrjes që ndihmon e nuk pengon mirëqenien e qytetarëve.
Ashtu siç hoqëm vizat, do e fusim Shqipërinë në BE. Një ekonomi që zhvillohet, do të sigurojmë vende pune, që rinia e Malësisë së Madhe të arsimohet këtu, me paga dinjitoze, pranë prindërve të tyre.
Ndodhem sot mes jush jo vetëm për t’iu thënë bashkohuni për ndryshim që Malësia të fitojë, Shqipëria të fitojë. Drejt fitores së Shqipërisë, do i prini me votën tuaj. Ndryshimi ka ardhur.
Ja kështu siç jemi mbledhur. Kështu do mblidhen shqiptarët kudo. Vendimi është marrë. Ndryshimi do të vijë me votën tuaj.
Vendosni maskat, mbani distancën. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. I uroj gjithë besimtarëve katolikë të kenë një Pashkë të bekuar.”– tha Basha.











