Përmes një video-mesazhi, ish-deputeti Eduart Ndocaj, tashmë kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, ka apeluar bashkëqytetarët e tij lezhianë, për një mbështetje masive, pasi ai, përfaqëson vlerat dhe dinjitetin e kësaj treve, e cila gjatë këtyre viteve ka promovuar më së shumti individë që e kanë braktisur votën dhe besimin e qytetarëve.
Ndocaj, u ka kujtuar zgjedhësve të qarkut Lezhë, se ai ka një vizion tjetër për rolin e parlamentarit, ku për asnjë çast, mandati nuk duhet të përdoret për interesa personale, por për interesat e komunitetit.
Gjatë video-mesazhit, Ndocaj theksoi se beteja e 25 prillit, më shumë se politike, është morale dhe esenciale, pasi përballja është në mes njerëzve të thjeshtë dhe atyre që duan të zhvatin taksat e qytetarëve, përmes pushtetit.
Më pas Ndocaj, ka evidentuar cilësinë e listës që kryeson në qarkun e Lezhës, duke pohuar se është një listë cilësore dhe me kandidatë dinjitozë për përfaqësimin e të gjithë qarkut.
Ai ka bërë thirrje të votojnë për Koalicionin e ADR, si përbërje e njerëzve të ndershëm dhe që e duan zhvillimin e vendit.
Ndiqeni video-mesazhin e plotë: