Nga Elsa SULA
Çoje çikën te shkolla,jo te burri – kjo ishte shprehja që unë sot e rroka në rrjetet sociale,aty ku shpeshherë ngatërrojmë virtualen me realen.
Ishte gjetja më ideale që erdhi te unë fiks pas 48 orësh,kur nuk e kisha gllabëruar ende faktin se femra është “e lirë” vetëm në një ditë.
Në atë të ashtuquajturën gabimishit “Festa e Nënës”, “Festa e Femrës”. Ç ‘festë mund t’i adresosh një të vuajture në një vit,dy,tre,dhjetë vite…përgjithmonë?
Për ç’festë mund t’i flasësh një femre me shpirt të dhunuar,një femre fjalëpakë,ku ato fjalë nuk iu dëgjuan kurrë. Një vajze të heshtur e të zgjuar si mund t ‘ja mësosh idetë e mendimet ,kur para burrit dridhet ,ashtu si një fëmijë i zënë në faj.
Femrat fajtoret me dhe pafaj.
Fajtore se lindën të tilla ,në një vend ku një trëndafil lan gjithë duart e ngritura ndaj tyre,padrejtësisht dhe të fajshme pse atë trëndafil nuk e flakën,nuk e hodhën tutje,nuk ia plasën në fytyrë mashkullit që u kujtua për to. Të tregonin se edhe kaq është guxim për të vepruar ,për të vepruar kundër çdo të padrejtë.
Çokollatat e dhuruara në atë ditë nuk janë kurrsesi më të ëmbla se fjalët e një femre të lumtur. As dhuratat e shtrenjta nuk e shlyejnë borxhin ndër vite krijuar figurës së gruas shqiptare.
Dalja me leje në një shëtitje absolutisht nuk është liri,as barazi veç një akt i pështirë që tregon tërrthorazi se femra ende është e komandueshme. Se ende duket se buzëqeshja e saj blihet me pak ,por kurrë ajo buzëqeshje disa orëshe nuk mund të jetë tregues i një zemre të lumtur ,apo një shpirti të lirë.
Tabloja e trishtë zgjat një vit e vit pas viti…