Ishte aleati që kishte mbetur ende në pikëpyetje, por megjithatë Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu kanë rënë dakord që Partia Demokratike dhe Partia Republikane të garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Mediu pas takimit me Bashën në selinë e PD-së.
“Është konsideruar cdo gjë që është e vlefshme për ta bërë sa më mirë çdo parti dhe çdo kandidat. Do ta shikoni marrëveshjen, e cila përcakton raportet e partive politike. Kjo marrëveshje ka përmbledhur të gjitha marrëdhëniet, që i shërbejnë fitores. Marrëveshja i jep PD, si parti lider, që të përcjellë në KQZ kandidatet e partive politike”, tha në një prononcim për mediat Mediu.
Kujtojmë se sot është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. Ndërsa më herët Basha ka arritur marrëveshjen me PAA, LZHK, PBDNJ, PDIU dhe PDK. Ndërsa vijojnë negociatat me Frymën e Re Demokratike.