Nga Aleks KAPLLAJ
Rama, duhet të fillojë pastrimin e kryeministrisë nga mediokriteti i dëmshëm, i pasqyruar në pikturat që ka mbushur në mënyrë abuzive dhe të paligjshme muret e ambienteve shtetërore për qëllime dhe fitime personale, shprehje metaforike tragjike e përdorimit të pushtetit në të gjitha nivelet, për qëllime përfitimi monetar dhe konsensual, për vete dhe shërbëtorët e tij.
Ai duhet të largohet me të gjitha mjetet demokratike, sepse ai ka vrarë demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Ai ka në dorë gjykatat, prokuroritë, pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv qendror dhe lokal, Byronë Kombëtare të Hetimit, Operacionin Forca e Ligjit, Spak, Policinë e asfiksuar nga shefat politik të Rilindjes dhe së fundi me emërimin e Pamela Ballukut, motra e ministres Balluku, e “maskuar” me mbiemrin Qirko, në postin më të lartë të reformës në drejtësi, (Kryetare e Komisionit të “Pavarur” të Kualifikimit) me bekimin e ndërkombëtarëve, (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit), të cilët janë shndërruar në ortakë të pavetëdijshëm të Ramës, në shkatërrimin e institucioneve pluraliste e të pavarura që duhet të kontrollojnë veprimtarinë e qeverisë, shkaktare e varfërimit të shqiptarëve.
Drejtësia tashmë është në shërbim të Ramës, për qëllime politike dhe është më e keqe se në kohën e Enverit, ku akuza dhe gjykatësit të korruptuar, janë në bashkpunim kundër qytetarëve dhe avokatëve të tyre mbrojtës, të cilët policia politike nuk i lejon të takojnë klientët e tyre si një presazh i instalimit të diktaturës.
Duke kontrolluar drejtësinë dhe Gjykatat, Rama arriti ta shndërrojë vendin tonë në plantacionin e hashashit në Evropë, (prodhimi i hashashit në Lazarat në 2013, ishte 3% i kultivimit sot të drogës), duke i mbrojtur edhe kultivuesit dhe trafikantët e tij dhe kjo vertetohet edhe me objektivin e tij, legalizimin e drogave “të lehta”, për “qëllime” shëndetsore, si shpërblim për organizatat kriminale që kanë mbështetur Ramën të vinte në pushtet, si dhe me përgjigjen që i dha ambasadores së Shba-së, Yuri Kim për eliminimin e kandidatëve të inkriminuar, duke e quajtur si shkelje e të drejtave të njeriut, mohimin e botës se inkriminuar për të patur përfaqësuesit e tyre në parlament, sic e bëri ai në dy legjislacionet e kaluara.
Rama premtoi 300 mijë vende pune, jo vetem qe nuk i krijoi ato, por i shtoi te papunët dhe i detyroi ata të imigrojnë jasht Shqipërisë.
Programi i PS për vitin 2021 është i njëjti i vitëve 2013, 2017, të parealizuara, kështu që nuk mund të ketë një mandat të tretë bazuar mbi dështimet e dy mandateve të mëparshme.
Premtoi rritjen e pensionëve, por jo vetëm që nuk i shtoi ata, por me çmimet dhe taksat e larta të ujit, energjisë dhe artikujve ushqimorë, e pergjysmoi vlerën dhe forcen blerëse të tij.
Në programin e qeverisë, Rama premtoi fillimin dhe shtrimin e rrugeve të akseve kryesore të vendit, te cilat nuk u bënë, por edhe ato ekzistueset po degradohen e po shkaterrohen çdo ditë e më shumë.
Njekohësisht, bëri me pagesë rrugën që lidh Shqipërine me Kosoven.
Premtoi programe të lidhjes së studentëve të universitetit me botën e punes, por e bëri jo me ate të vendit tonë, por me vendet evropiane, si punetorë te pakualifikuar.
Siguria e vendit është një iluzion i të gjithë shqiptarëve. Tashme bandat e krimit ekonomik kontrollojnë të gjithë vendin, të mbrojtur edhe nga përfaqesues të pushtetit lokal e qëndror. Kriminalizimi i strukturave të pushtetit lokal dhe të forcave të rendit e tregon edhe arrestimi i 7 drejtuesve të forcave të rendit në Himarë dhe Vlorë para pak ditësh, zona e deputetit Edi Rama. Ky është vetëm një pjesë e lidhjes së krimit me shtetin.
Akademia e shkencave u shndërrua në një organizatë të pensionistëve të partive te majta nën drejtimin e ish kryetarit të bandave komuniste në aleancë me bandat kriminale, Skënder Gjinushit, që i vendosën flakën Vlorës dhe më pas të gjithë Shqipërisë, në vitin 1997.
Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, qëllimisht për të mos hedhur poshtë zgjedhjet e paligjshme lokale të 30 qërshorit, të zhvilluara në kundërshtim me dekretin e presidentit, e njohur si një veprim i drejtë edhe nga Komisioni i Venecias.
Premtoi luftën ndaj korrupsionit, por e rriti indeksin e tij nga 0.73 qishte ne 2010, ne 0.9 ne vitin 2018, sipas studimeve te OKB-se, duke e futur vendin tone në 15 vendet me te korruptuara te botës.
Ka shtuar presionin dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe televizioneve që kritikojnë qeverinë e Ramës dhe ka mbyllur programe e Tv që kanë dalë kundër tij, duke i kushtuar vendit tonë 140 mln euro, vetëm mbyllja e Agon Channel, pa llogaritur dëmet nga mos denoncimi i abuzimeve me pushtetin. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë denoncojnë dhunën ndaj “gazetarit të “Rtv Ora” Xhoi Malësia, shoqërimin e kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani, dhunimi i gazetarit të “Syri TV” në Durrës Aldo Mustafa dhe po në Durrës, i punonjësit të medias “Durrës Lajm” Shefqet Duka, si sjellje e pandryshuar e policisë kundër mediave të pavarura.
Çdo ditë e më shumë me Ramën dhe Rilindjen në drejtimin e qeverisë shqiptare, është një dëm me pasoja të rënda për demokracinë, ekonominë dhe sigurinë fizike e shëndetsore të shqiptarëve.
Aleks Kapllaj











