Nën-kryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka bërë një deklaratë të fortë kur në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, u shpreh se sulmet e kryeministrit ndaj Evropës dhe SHBA-së bëhen sepse Rama ka marrë garanci për një azil në vendet e Lindjes.Drejtuesi politik i PD në qarkun e Durrësit tha se kjo nuk duhet të shihet si një çudi, pasi koha do të tregojë gjithçka.
“Për mua, ka disa interesa, duke i bashkuar edhe sulmin ndaj Evropës, ndaj Francës në vecanti, vaksinat ishin sebepi, ndërsa sulmi ndaj ambasadores amerikane unë i shoh si një përpjekje e dëshpëruar e një mandati që nuk e mbron dot më. Kriminelët janë e vetmja fuqi e tij në zgjedhje dhe ai po tenton t’u thotë atyre dëshpërimisht atyre, jo ambasadores, që unë do iu mbroj deri në fund, mos më braktisni.
Për mua ky është qëllimi i asaj që deklaroi me ambasadoren. Sulmi ndaj perëndimit pastaj mund të jetë pak më i thellë. Është një njëri që mbase shpreson, ose ka marrë garanci për një azil pas 25 Prillit në lindje dhe bën shërbime pastaj.
Po sulmon këdo, BE, Francën, prisja edhe për këtë Ndraghetën të sulmonte Italinë, janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që kërkon të zgjidhë problemin e madh të 25 prillit për kokën e tij, asgjë tjetër. Rama ka një aeroport privat, një charter privat, aeroportin e Rinasit, një charter privat në Rinas që quhet Air Albania që vetëm emrin ka Air Albania dhe mos t’ju duket çudi që pas 25 prillit t’i hipi këtij charterit privat e të shkojë diku në Lindje e të mos kthehet më. Një njeri që ka bërë kaq shumë zullume ka frikë nga cdo gjë, jo vetëm nga opozita që do vijë nesër në pushtet për ato që ka bërë e do duhet të përballet me drejtësinë.
Po ti e ke parë që Rama bredh me ushtri? Ushtri, ka dy badigardë që mbajnë dy valixhe antiplumb anash, janë valixhe që hapen në moment që ka problem e të mbajnë”, u shpreh Paloka.
Arian Cani: Nuk e përjashton që mund të ketë marrë ndonjë sinjal negativ?
Paloka: Ka një logjikë që një kryeministër i një vendi që rezulton që 97% e popullsisë kërkojnë Evropën, 3 muaj par zgjedhjeve të sulmojë BE, e kupton që bëhet partia e parë në Shqipëri kundër Evropës?











