Nga Myzafer ELEZI
Thashmë është bërë publike se, Qeveria Rama në muajin dhjetor 2020, disa muaj para zgjedhjeve qendrore, ka bërë disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren e Policisë së Shtetit. Sigurisht që është në të drejtën e saj që të miratoj akte të ndryshme, por ajo që bie në sy është fakti që, këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, etj., krijojnë pasiguri në punë, si dhe rrezikojnë karrierën e punonjësit të policisë. Më poshtë po paraqesim disa nga ndryshimet e çuditshme të bëra me VKM nr. 1143, datë 09.12.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 750, datë 16.09.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit”.
Paligjshmëria I. Është ndryshuar neni 30 “Elementët e aktit administrativ” dhe shfuqizuar neni 32 “Njohja me aktet”, duke i bashkuar në një nen të vetëm neni 30 “Elementet e aktit administrativ dhe njohja me aktet“, dhe reduktuar përmbajtjen e tyre në vetëm një fjali. Neni 32, tashmë i shfuqizuar parashikonte:
“Njohja me aktet”
“1. Njohja me aktet administrative në Policinë e Shtetit, realizohet si më poshtë:
a) duke i dërguar kopje të tyre subjektit që i drejtohet;
b) duke i punuar në mënyrë të organizuar me të gjithë punonjësit e Policisë, sipas strukturës organizative të Policisë, për aktet me karakter të përgjithshëm;
c) duke i afishuar në vende të dukshme të strukturës përkatëse të Policisë, i cili frekuentohet nga personeli i Policisë ose duke i publikuar në faqen e internetit të krijuar për këtë qëllim.
2. Aktet normative shoqërohen gjithmonë me listë njohjeje. Njohja e punonjësve të Policisë me aktet normative realizohet në mënyrë individuale ose të organizuar në bazë njësie policore. Punonjësi i Policisë që njihet me një akt normativ, është i detyruar të nënshkruajë listën e njohjes ose dokumentin përkatës që vërteton këtë fakt”.
Ajo që bie në sy, është fakti që nuk gjendet asnjë arsye e vetme që të justifikoj shfuqizimin e këtij neni. Përkundrazi, shfuqizimi i nenit 32 është një hap pas, pasi e privon punonjësin e policisë për tu njohur me aktet e ndryshme administrative që dalin në funksion të detyrave të tyre funksionale duke e zëvendësuar vetëm me një ndryshim të thatë të nenit 30, ku thuhet se, “Procedurat e njohjes me aktet administrative dhe elementet e aktit administrativ janë në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative”. Ky shfuqizim bie ndesh me nenin 23 të Kushtetutës së Shqipërisë e cila garanton të drejtën e informimit.
Paligjshmëria II. Është shfuqizuar neni 31 “Vërtetime dhe kopje të dokumenteve”, i cili parashikonte se:
“Punonjësit e Policisë, sipas juridiksionit dhe kompetencës, janë të detyruar t’u lëshojnë palëve të interesuara, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës prej tyre dhe pa qenë nevoja për të pritur ndonjë urdhër nga eprorët, vërtetime apo kopje autentike të dokumenteve, të cilat përmbajnë të gjithë ose pjesë të informacionit të mëposhtëm:….”.
Ky shfuqizim bie ndesh me nenin 23, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Shqipërisë lidhur me të drejtën e informimit, në të cilën parashikohet se:
“1. E drejta e informimit është e garantuar.
2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”.
Shfuqizimi i këtij neni është një hap pas, pasi ia heq të drejtën punonjësve të autorizuar për t’ju vënë në dispozicion qytetarëve të interesuar dokumente dhe vërtetime që iu nevojiten, duke e lënë këtë të drejtë legjitime të qytetarëve, në oreksin dhe dëshirat subjektive të titullarëve të ndryshëm të policisë.
Paligjshmëria III. Është shfuqizuar neni 43, dhe sidomos pika 4 dhe 5 e tij që sanksionon disa kushte minimale që duhet të kenë punonjësit e ruajtjes së objekteve, ku citohej:
“4. Për punonjësit e Policisë së shërbimit të ruajtjes krijohen ambiente pune dhe shërbimi me pajisjet e duhura të zyrës dhe mjetet e nevojshme (si tavolinë, karrige, kasafortë, telefon, ndriçues emergjence e mjete kontrolli, etj.).
5. Për sigurimin e mjeteve dhe ambienteve të nevojshme për shërbim, të përcaktuara në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni, përgjigjen strukturat përkatëse të menaxhimit të burimeve materiale e financiare të këtyre institucioneve”.
Shfuqizimi i nenit të sipërcituar bie ndesh me pikën 1, të nenit 23 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila detyron shtetet të sigurojnë kushte të favorshme pune, duke parashikuar se:
“Gjithkush ka të drejtën për punë, të zgjedhë lirisht profesionin, të ketë kushte të favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia”.
Paligjshmëria IV. Është shfuqizuar neni 49 që bënte fjalë për detyrimin që ka Policia e Shtetit për rregullat për sigurimin e kushteve të punës për punonjësit e policisë, i cili parashikonte:
“Rregullat për sigurimin e kushteve të punës
1. Strukturat e Policisë duhet të sigurojnë kushte optimale pune për të gjithë punonjësit, sipas veçorive të shërbimeve dhe vendeve të punës.
2. Eprorët duhet të sigurojnë për të gjithë punonjësit që punojnë në terren kushte pune që sigurojnë mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit, kushtet higjienike, plotësimin e nevojave personale, fizike dhe mundësi për çlodhje.
3. Vendi i punës për punonjësin e Policisë duhet të përmbajë:
a) karrige dhe tavolinë me sirtarë, e përshtatshme për mbajtjen dhe përdorimin e kompjuterit;
b) kompjuter të pajisur me të gjithë aksesoret e domosdoshëm;
c) telefon, etazher për mbajtjen e dokumentacionit;
ç) kasaforta metalike për punonjësit që punojnë dhe mbajnë dokumente të klasifikuara, etj.;
4. Institucionet e Policisë duhet gjithashtu të sigurojnë:
a) sallë për takime të ndryshme dhe mbledhje pune të pajisura me kompjuter, projektor, video projektor, flipcharter, kancelari, etj.;
b) zyra për pritjen dhe trajtimin e publikut;
c) mensë dhe bar;
ç) ambiente higjienike të ndara për meshkuj dhe femra me shenjën përkatëse;
d) vende të caktuara për shoqërimin dhe mbajtjen e personave të shoqëruar, duke plotësuar kushtet dhe standardet;
dh) energji elektrike dhe ujë;
e) fjetore për strehim të përkohshëm të punonjësve të Policisë;
ë) vende të posaçme për zhvillimin e instruktazheve dhe pastrimin e armatimit;
f) mjedise të posaçme për përgatitjen fizike dhe testimin e punonjësve;
g) vende të posaçme për trajnimin për qitje;
gj) parkimin e automjeteve private të punonjësve të institucionit.
5. Është përgjegjësi e sektorit të shërbimeve mbështetëse/logjistikës dhe detyrë e të gjithë punonjësve të Policisë, t’i mbajnë ambientet e tyre të punës në kushte të mira dhe të pastra”.
Gjithashtu, ky shfuqizimi i nenit të sipërcituar bie ndesh me pikën 1, të nenit 23 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila detyron shtetet të sigurojnë kushte të favorshme pune. Tashmë, me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, Policia e Shtetit nuk ka më asnjë detyrim për të siguruar kushte optimale, madje as kushte minimale pune për punonjësit e saj. Ata duhet ti sigurojnë vetë kushtet normale për të kryer detyrën.
Paligjshmëria V. Është shtuar neni 61/1, me këtë përmbajtje:
“Transferimi i punonjësit të policisë në struktura të tjera shtetërore
1. Transferim në struktura të tjera shtetërore është emërimi i punonjësit të policisë në një institucion publik jashtë Policisë së Shtetit.
2. Institucioni në të cilin punonjësi i policisë transferohet është Ministria e Brendshme, institucionet në varësi të saj, si dhe organe apo institucione të tjera të administratës shtetërore, të cilat kanë në organikë funksione që mund të kryhen profesionalisht nga punonjës të Policisë së Shtetit.
3. Punonjësi i policisë mund të transferohet në funksione të ndryshme në struktura të tjera shtetërore, në rast se kjo kërkohet ose miratohet nga autoritetet zyrtare përgjegjëse, në përputhje me kriteret e parashikuara për çdo funksion
4. Gjatë kohës që punonjësi i policisë shërben si i transferuar në pozicione të ndryshme jashtë
strukturës së Policisë së Shtetit, ai nuk gëzon atributet që lidhen me statusin e policisë gjyqësore
dhe as ato që lidhen me statusin e punonjësit të Policisë së Shtetit.
5. Në rastet kur punonjësi i policisë transferohet në administratën publike, ai emërohet në funksione me nivel ekuivalent me gradën e tij policore. Për procesin e ekuivalentimit të gradave
të Policisë së Shtetit dhe administratës publike, për qëllime të zbatimit të këtij procesi, merren në konsideratë parashikimet në aktin nënligjor përkatës, që miraton Këshilli i Ministrave për këtë qëllim.
6. Punonjësi i policisë, i transferuar sipas këtij neni, mund të rikthehet në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, sipas të njëjtave rregulla dhe procedura që ndiqen edhe në rastin e transferimit të tij jashtë strukturave të saj, në përputhje me kualifikimin profesional dhe gradën policore.
7. Transferimi i punonjësit të policisë në struktura të tjera shtetërore nuk konsiderohet dalje
nga Policia e Shtetit në kuptim të nenit 43 të ligjit për Policinë e Shtetit.
8. Periudha e shërbimit të punonjësit të policisë së shtetit, të transferuar sipas këtij neni në funksione jashtë Policisë së Shtetit, konsiderohet si periudhë e vlefshme për efekte të vjetërsisë.
9. Punonjësi i Policisë së Shtetit ka të drejtën e lëvizjes paralele dhe të ngritjes në detyrë në pozicionet e administratës publike, sipas parashikimeve të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin
civil”, të ndryshuar, pas ekuivalentimit të gradave policore me ato civile.
10. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që fiton të drejtën e studimeve në fushën e sigurisë në një prej universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose të Bashkimit Evropian, i ruhet e drejta e rikthimit në të njëjtin pozicion, me mbarimin e studimeve. Periudha e studimeve konsiderohet si periudhë e vlefshme për efekte të vjetërsisë së shërbimit.
11. Në rastet e transferimit të punonjësve të policisë në struktura të tjera zbatohen rregullat dhe procedurat e hollësishme të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave përkatës për këtë qëllim”.
Kjo shtesë, që Qeveria e shet si një mundësi, nëpërmjet të cilës i jepet punonjësve të policisë për të punuar edhe në struktura të tjera të administratës shtetërore mbart rrezikun që, për persona të padëshiruar drejtori i Përgjithshëm i Policisë në bashkëpunim me ministrin e Brendshëm i largon ata me pretekstin se, i vë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme, e mandej ata rrezikojnë që pa dëshirën e tyre të transferohen në Gardën e Republikës, Zjarrfikëse, apo struktura të tjera.
Paligjshmëria VI. Shumë e çuditshme dhe pa sens që, janë shfuqizuar plotësisht nenet 106, 107, 108, 109, 111, 122 dhe 123, që lidhen me disa nga parimet bazë dhe kushtetuese, mbi të cilat punon policia, të tilla si: Parimi i ligjshmërisë; Përgjegjshmëria; Mbrojtja e interesave publike dhe të individit; Barazia dhe mos diskriminimi; Paanshmëria; Llogaridhënia dhe transparenca; si dhe Monitorimi i zbatimit të etikës.
Me këto ndryshime, organizata e policisë i është shmangur detyrimeve ligjore për zbatimin e parimeve bazë me të cilën kjo organizatë ka funksionuar që prej periudhës së rrëzimit të sistemit totalitar. Ajo që mund të mendoj kushdo që ka sadopak njohje mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve, është fakti që mungesa e parimeve kushtetuese zbatohet vetëm në vendet ku demokracia nuk ekziston.
Paligjshmëria VII. E papranueshme dhe e pajustifikuar është edhe shtesa që është bërë në pikën 1, germa “f” të nenit 140, që konsiston në s’kualifikimin nga e drejta e konkurrimit për tu pranuar si kursant në Akademinë e Sigurisë, të kandidatëve, të cilët gjatë kontrollit shëndetësor evidentohen me tatuazhe në pjesët e dukshme të trupit. Është e panevojshme të shtohet një paragraf i tillë, pasi kjo barrierë s’është gjë tjetër, veçse një mendësi e vjetër komuniste dhe që bie ndesh me nenin 1 “Detyrimi për të respektuar të drejtat e njeriut” dhe nenin 14 “Ndalimi i diskriminimit”, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Neni 140 – Rastet e skualifikimit
1. Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, shtohen shkronjat “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:
“f) nuk kalon kontrollin shëndetësor ose gjatë këtij kontrolli evidentohen tatuazhe në pjesët e dukshme të trupit”.
Ky kufizim bie ndesh me nenin 7 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, në të cilën parashikohet se:
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji. Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur barabar kundër çdo diskriminimi që cenon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë”.
Paligjshmëria VIII. Është shtuar neni 149/1 “Kriteret e pranimit për nevoja të veçanta”, i cili konsiston në rekrutimin në strukturat e Policisë së Shtetit të ushtarakeve nga Forcat e Armatosura.
Duke parë abuzimet që janë bërë me funksionet e veçanta duke i`u dhënë grada policore të larta si “Drejtues” apo “Kryekomisar” vetëm me një kurs 5 ditor në Akademinë Sigurisë të personave me arsimim civil, dhe për fusha jo të domosdoshme në Policinë e Shtetit, si tek burimet njerëzore, zyrat ndihmëse, etj., nenet 149/1 dhe 150 duheshin rishikuar vetëm në funksion të parandalimit të abuzimeve me këto nene.
“Neni 149/1 – Kriteret e pranimit për nevoja të veçanta
Për plotësimin e nevojave të veçanta pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin për
Policinë e Shtetit”.
Neni 150 – Funksionet e veçanta
Pas paragrafit të parë shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:
“Funksionet e veçanta në strukturën organike të Policisë së Shtetit përcaktohen me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe miratim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë”.
Më poshtë vijojnë disa nene të rregullores, të shtuara/shfuqizuara tashmë nga Qeveria, të cilat i japin ministrit të Brendshëm atributet e kryepolicit, për të pranuar, testuar, graduar dhe transferuar punonjësit e policisë mbi bazën e procedurave që vetë ai i harton, miraton dhe zbaton.
Paligjshmëria IX. Është shtuar neni 161/5, sidomos pika 2, e cila i jep kompetence ministrit të Brendshëm për përcaktimin e procedurave te konkurrimit dhe kriteret e vlerësimit për fitimin e gradës së radhës, duke filluar nga aplikimi deri në vlerësimin përfundimtar të aplikantëve, dhe janë shfuqizuar nenet baze që i hiqnin të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe çdo personi tjetër të ndërhynte në procesin e konkurrimit për gradim. Janë shfuqizuar nenet 165, 166, 167, që lidheshim me komisionet e gradimit, si dhe nenet 198, 169, 170, që përcaktonin rregullat për testin me shkrim, intervistën me gojë, dhe ushtrimet vlerësuese për kandidatët që do të marrin gradën e radhës. Pra, i është hequr kjo kompetencë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili edhe po të donte ta ndryshonte, kufizohej nga kjo rregullore, e cila e kishte të shtjelluar në shumë nene këtë procedurë.
“Neni 161/5 – Zhvillimi i procedurës së konkurrimit për fitimin e gradës
1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton me urdhër fillimin e procesit të konkurrimit për fitimin e gradës së radhës, fazat e konkurrimit, si dhe afatet për zhvillimin e tyre.
2. Procedura e konkurrimit dhe kriteret e vlerësimit për fitimin e gradës së radhës, duke filluar
nga aplikimi deri në vlerësimin përfundimtar të aplikantëve, zhvillohen sipas standardeve të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike”.
Neni 165 – “Komisionet e Gradimit”, shfuqizohet.
Neni 166 – “Përbërja e Komisioneve të Gradimit”, shfuqizohet.
Neni 167 – “Funksionimi i Komisioneve të Gradimit”, shfuqizohet.
Neni 168 – “Testi me shkrim”, shfuqizohet.
Neni 169 – “Intervista me gojë”, shfuqizohet.
Neni 170 – “Ushtrimet vlerësuese”, shfuqizohet.
E thënë më shkurt, paligjshmëria e ndryshimeve në Rregulloren e Policisë së Shtetit qëndron në faktin se, ato bien ndesh me nenin 23 të Kushtetutës së Shqipërisë; nenin 7 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut; si dhe nenet 1 e 14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve:
• Policia e Shtetit i shmanget detyrimit të zbatimit të parimeve kushtetuese, të tilla si: parimi i ligjshmërisë; përgjegjshmëria; mbrojtja e interesave publike dhe të individit; barazia dhe mos diskriminimi; paanshmëria; llogaridhënia dhe transparenca; si dhe monitorimi i zbatimit të etikës.
• I hiqet e drejtën punonjësve të autorizuar për t’ju vënë në dispozicion qytetarëve të interesuar dokumente dhe vërtetime që iu nevojiten, duke e lënë këtë të drejtë legjitime të qytetarëve, në oreksin dhe dëshirat subjektive të titullarëve të ndryshëm të policisë.
• Privohen punonjësin e policisë nga e drejta për tu njohur me aktet e ndryshme administrative qe dalin ne funksion te detyrave te tyre funksionale.
• Qeveria ka hequr dorë nga detyrimi i saj për të krijuar kushte optimale/minimale pune për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të ruajtjes së objekteve.
• Ekziston rreziku që për persona të “padëshiruar”, kategori të cilën e përcakton pa procedurë ligjore drejtori i Përgjithshëm i policisë apo ministri i Brendshëm, të largohen pa motivacion nga Policia e Shtetit dhe jashtë vullnetit të tyre të transferohen në struktura të tjera si, në Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Zjarrfikëse, etj.
• Është vendosur një kriter s`kualifikues diskriminues, në kundërshtim me nenet 1 dhe 14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që konsiston në përjashtimin e kandidatëve nga e drejta për tu pranuar si kursant në Akademinë e Sigurisë, të cilët gjatë kontrollit shëndetësor evidentohen me tatuazhe në pjesët e dukshme të trupit.
• Ministri i Brendshëm merr atributet e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Drejtorit të Akademisë së Sigurisë, për të pranuar, testuar, graduar dhe transferuar punonjësit e policisë mbi bazën e procedurave që vetë ai i harton, miraton dhe zbaton.
• Nuk janë konsultuar organizatat policore partnere si ICITAP dhe PAMECA, të cilat prej vitesh asistojnë Policinë e Shtetit. Theksojmë se, këto organizata janë investuar mjaftueshëm jo vetëm në trajnimin e punonjësve të policisë, por edhe në hartimin e rregullores tashmë të ndryshuar, duke përfshirë në të procedura standardet më të mira që aplikohen në vendet demokratike.